Hoxhaj: Misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka përfunduar para një dekade

09 shkurt 2019 | 16:18

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka mirëpritur vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për t’i reduktuar takimet periodike për misionin e UNMIK-ut në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, deklaroi se misioni i UNMIK-ut është kryer një dekadë më parë dhe dëshmia për këtë është ndërtimi i suksesshëm i shtetit në Kosovë.

Në një postim në profilin e vet në “Twitter”, Hoxhaj shkroi se “Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së në mënyrë që kjo organizatë ta ketë një rol të ri në Kosovë, njësoj sikurse në vendet e tjera”.

“Mirëpresim vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’i rralluar takimet periodike për UNMIK-un. Ky mision ka përmbushur mandatin e tij një dekadë më parë dhe dëshmia më e mirë për këtë është ndërtimi i suksesshëm i shtetit dhe paqes në shtet. Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së në mënyrë që kjo organizatë ta ketë një rol të ri në vendin tonë, njësoj sikurse në vendet e tjera”, ka shkruar zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Rikujtojmë se Këshilli i Sigurimit mori vendim që katër mbledhje në vit për Kosovën janë të tepërta, duke pasur parasysh që situate në Kosovë është e qetë.

Presioni për reduktimin e mbledhjeve erdhi nga ana e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa u kundërshtua ashpër nga Rusia dhe Serbia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë janë të regjistruara si Organizata…