Hoxhaj për Ahtisaarin: S’lejoi autonomi për serbët e Kosovës – ia mundësoi shqiptarëve ta jetësojnë vullnetin e tyre për një shtet sovran

07 prill 2024 | 19:33

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari, ishte “profet dhe vizionar” në parashikimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ahtisaari ka qenë një lloj profeti në mënyrën se si e ka udhëhequr negocimin. Mënyra se si ai ka ndërmjetësuar ka qenë përtej asaj që është një ndërmjetësim i zakonshëm, ka qenë shumë imponues dhe vizionar në mënyrë se si ka hedhur propozime dhe si e ka parë situatën”, tha Hoxhaj në një intervistë për Euronews Albania.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka treguar po ashtu se delegacioni serb gjatë negociatave kishte insistuar që serbët në Kosovë të kenë një autonomi politike dhe fetare, por “Ahtisaari ka qenë i prerë që kjo të mos ndodh”.

“Ahtisaari e ka ruajtur karakterin e realitetit të Kosovës, meqë ia ka mundësuar shqiptarëve që ta jetësojnë vullnetin e tyre për një shtet sovran dhe të pavarur edhe ka ofruar zgjidhje për komunitetin serb pa e dëmtuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, potencoi Hoxhaj.

“Ajo çka ka mbetur nga plani i Ahtisaarit pa u zbatuar dhe që ka dëmtuar Kosovën edhe në Veri, por edhe në pozitën e saj ndërkombëtare, ka qenë mos mbështetja e këtij plani nga BE-ja, meqë jo të gjitha shtetet e njohën pavarësinë e Kosovës dhe nga mos mbështetja e këtij plani nga Këshilli i Sigurimit”.

Gjatë kësaj interviste, Hoxhaj është pyetur si ishte njohur me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me zotëri Thaçin kemi qenë shok në studime në Universitetin e Prishtinës, kemi studiuar historinë. Përmes zotëri Thaçit kam njohur edhe zotëri Kadri Veselin dhe të tjerët. Në vitin 1993 kemi shkuar së bashku në Vjenë për të studiuar”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës ka ripërsëritur gatishmërinë për zgjedhje të…