Hoxhaj prezanton platformën e PDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit

13 janar 15:45

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka shpalosur të mërkurën planin qeverisës të kësaj partie për rimëkëmbjen e Kosovës.

Hoxhaj në një konferencë për medie ka treguar prioritetet e PDK-së për qeverisjen e ardhshme të udhëhequr nga ai, si dhe ka folur për mënyrat e implementimit në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Hoxhaj po ashtu, ka ftuar Albin Kurtin që të dalin përballë njëri-tjetrit në debat publik për t’i krahasuar planet dhe platformat e të dy partive, pasi që ka thënë se gara në këto zgjedhje është në mes të PDK-së dhe LV-së.

Fjalimi i plotë i Hoxhajt:

Të dashur bashkëqytetarë,

Sot Kosova kërcënohet nga katër rreziqe.

Dy prej tyre, pandemia dhe pasojat e saj ekonomike, janë rreziqe globale.

Megjithatë, rrezik nacional është mënyra se si është menaxhuar pandemia dhe mënyra se si jemi përgatitur për periudhën pas pandemisë.

Fatkeqësisht, Kosova po dështon në të dy aspektet.

E, kjo është një arsye e fortë për t’u shqetësuar.

Rreziku i tretë buron prej mungesës së stabilitetit politik dhe krizave të vazhdueshme të klasës sonë politik.

Nuk është koha për hasmëri tradicionale politike.

Klasa politike duhet t’i dalë në ballë sfidave dhe pritshmërive të qytetarëve.

Qytetarët kërkojnë konsistencë, lidership të sprovuar, stabilitet, siguri.

Qytetarët janë lodhur prej hasmërive partiake.

Kushtetuta jonë, sistemi ynë, e kërkojnë dhe e promovojnë bashkëpunimin.

Punën ekipore.

Sakrifikimin e të mirës personale për të përfituar e mira e përgjithshme.

Qytetarët kërkojnë që ta vendosim Kosovën, atdheun tonë, mbi partitë dhe natyrisht mbi egot tona.

Rreziku i katërt vjen nga Haga.

Nuk janë duke u gjykuar thjesht heronjtë tonë, themeluesit e shtetit tonë.

Por, duke u gjykuar është vetë ekzistenca jonë si shtet.

Më lejoni që këtë ta them sa më qartë që është e mundshme në çdo aspekt.

Kosova nuk është një shtet i dështuar i ndërtuar nga kriminelët e luftës.

Kosova është një shtet i ri, i ndërtuar nga heronjtë e saj.

Një shtet që për pak kohë ka arritur shumë. Një shtet i qytetarëve trima, punëtorë dhe të mençur që meritojnë respekt.

E, këtu, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm.

Antagonizmat e brendshme politike duhet kultivuar dhe duhet të kultivohet ky respekt.

Respekt për historinë tonë, respekt për institucionet tona, respekt për vlerat tona, respekt për qytetarët tonë.

Respekti për qytetarët tonë nënkupton: t’i dëgjosh ata dhe të flasësh me ta.

Vazhdimisht.

Por, posaçërisht në një periudhë parazgjedhore.

Pas vendimit… ne do të kemi zgjedhje parlamentare më 14 shkurt.

Kësisoj, periudha parazgjedhore faktikisht ka filluar.

Tash është koha që partitë ta dëshmojnë respektin e tyre për proceset demokratike.

Kjo është ajo çfarë bën PDK-ja.

Më 31 janar, ne do ta prezantojmë programin tonë para qytetarëve.

Ky është programi i tyre-programi i qytetarëve.

Sepse ne jemi duke i dëgjuar ata, duke i marrë idetë e tyre, duke i kuptuar prioritetet e tyre.

E, ne i adresojmë ato me përvojën, përgjegjësinë dhe dijen tonë, si dhe me praktikat më të mira nga bota.

Qytetarët janë të shqetësuar me gjendjen dhe me të ardhmen e ekonomisë sonë, sidomos për periudhën pas pandemisë.

Qytetarët presin që ky vit të jetë më i mirë se viti i kaluar.

E, PDK-ja është partia që ua përmbush këto pritshmëri.

Qytetarët janë të shqetësuar rreth pandemisë dhe nivelit të sistemit shëndetësor tek ne.

Ata po e shohin se sa të paafta kanë qenë dy qeveritë e dala nga zgjedhjet e fundit.

E, ata i kanë kthyer sytë nga ne, nga PDK-ja, si partia që mund ta nxjerrë Kosovën nga balta/kriza.

Qytetarët janë të shqetësuar nga shkalla e lartë e korrupsionit dhe nga mospërfillja ndaj sundimit të ligjit.

PDK-ja është gati që t’ua tregojë rrugën përpara.

Rrugën kah shteti modern.

Një shtet i cili do t’i zbatojë vlerat kryesore evropiane të respektimit të sundimit të ligjit dhe të respektimit të institucioneve.

Qytetarët janë të shqetësuar rreth pozitës së Kosovës sonë në skenën ndërkombëtare.

PDK-ja e ka planin për përmirësimin e imazhit të dëmtuar të atdheut tonë.

Në fakt, ka qenë shokuese kur e kemi lexuar postimin në “Twitter” të ish-ambasadorit amerikan, Delawie, pas trazirave që ndodhën në kongresin amerikan.

Jo! Kosova nuk është një shtet i banditëve.

Kosova nuk është një shtet i gazit lotsjellës.

Kosova nuk është një shtet i kriminelëve të korruptuar.

Kushdo që e thotë këtë, është duke i bërë dëm vendit tonë.

Duhet që së bashku t’i refuzojmë pretendimet e tilla – pavarësisht se prej nga vinë ato. Qoftë nga jashtë, por sidomos nga brenda vendit.

Ne duhet që të tregojmë respekt ndaj historisë sonë, arritjeve tona dhe vendit tonë.

Sidomos tash kur të trija këto janë duke u gjykuar nga një gjykatë ndërkombëtare.

Si gjithnjë, PDK-ja tregon respekt ndaj proceseve politike.

Respekt ndaj parimeve demokratike.

Kështu që, sot, unë do të bëj diçka goxha të pazakontë.

Unë do ta paraqes detajisht se si do të komunikojmë me qytetarët dhe se si do ta shpalosim në detaje planin tonë parazgjedhor.

Duke filluar nga e diela që po vjen, për çdo të diele dhe të mërkurë, gjer të dielën e 31 janarit, PDK-ja do të organizojë takime publike për t’i prezantuar shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës.

Deri më 31 janar, qytetarët do ta dinë programin tonë dhe po ashtu do t’i dinë njerëzit që do ta implementojnë atë.

Kjo është mënyra se si PDK-ja do të dëshmojë respektin ndaj qytetarëve dhe proceseve demokratike.

Transparencë e plotë.

Program, zotime, emra.

Sepse qytetarët meritojnë të informohen.

Sepse qytetarët janë ata që do të na gjykojnë.

Unë e inkurajoj LV-në, por edhe partitë e tjera – ta bëjnë të njëjtën.

Këtë ia kemi borxh qytetarëve.

Po i referohem LV-së sepse të gjithë e dimë se këto zgjedhje që po na presin janë realisht një garë mes PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Kjo është dilema e madhe sot në Kosovë.

Kjo është ajo për çfarë do të vendosin qytetarët.

Ne duam që njerëzit ta krahasojnë ofertën e PDK-së me ofertën e LV-së.

Për këtë shkak, po i drejtohem Albin Kurtit që ta ndjek shembullin tonë dhe të veprojë njëjtë.

Të prezantojë programin e tij, zotimet e tij dhe të na tregojë se si do t’i zbatojë ato.

Unë shpresoj se ai do ta bëjë këtë. Deri më 31 janar. Sikurse duhet ta bëjmë secili prej nesh.

E, më pas do t’i kemi 10 ditë, prej 3 deri më 12 shkurt që të debatojmë.

Debati është i domosdoshëm për çdo demokraci.

Sot i bëj thirrje Albin Kurtit që t’i kemi 5 debate. Debate serioze. Debate informuese.

Ashtu që qytetarëve t’ia ofrojmë informacionin dhe elementet e nevojshme për ta marrë vendimin e tyre.

I bëj thirrje Albin Kurtit që ta pranojë këtë tani.

Kudo që ai dëshiron. Me çfarë kushte që ai dëshiron.

Me kusht që i respektojmë rregullat bazike të angazhimit demokratik. Me kusht që i respektojmë proceset demokratike.

Demokracia nuk është monolog.

Demokracia është dialog.

Demokracia nuk është dogmë – askush nuk e ka versionin e vetëm të së vërtetës.

Demokracia është veprim në emër të qytetarëve për të mirën e qytetarëve.

Tash është koha që ta shprehim respektin tonë ndaj demokracisë.

Tash është koha që ta shprehim respektin tonë ndaj qytetarëve.

Tash është koha që t’i tregojmë botës dhe ish ambasadorit amerikan Delawie se Kosova nuk është më ai vend të cilin ai e kishte në mendje kur e bëri atë postim në Twitter në javën e kaluar.

Ne kemi përparuar. Ne kemi mësuar prej gabimeve tona. E, ne jemi të gatshëm që t’i tregojmë botës se kush jemi ne në të vërtetë.

Bota është duke na vrojtuar. Ne jemi para gjyqit. Vendi ynë është para gjyqit.

Këto zgjedhje janë momenti i duhur për t’i tubuar qytetarët tonë përreth vlerave bazike. Respektimi i vendit tonë dhe i Historisë sonë.

Këto zgjedhje janë momenti i duhur për ta rikthyer besimin e qytetarit tek proceset politike.

Për ta rikthyer besimin e humbur mes qytetarit dhe klasës politike.

Ne ia kemi borxh këtë qytetarëve tonë.

Ne ia kemi borxh këtë heronjve tonë që janë duke u gjykuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), gjatë…