Hoxhaj zyrtarizon kandidaturën e Aliut: Modelin e qeverisjes në Ferizaj do ta përhapim edhe në komunat e tjera

04 qershor 2021 | 16:37

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka zyrtarizuar të premten kandidaturën e Agim Aliut për kryetar të komunës së Ferizajt.

Në një konferencë për medie, Hoxhaj ka thënë se Agim Aliu është kryetar model i një komune shembull në Kosovë dhe se të gjitha të arriturat në Komunën e Ferizajt mbajnë vulën, pasionin, dhe përkushtimin e një njeriu që e do mbi të gjitha qytetin e tij.

“Sot jemi këtu për dy gjëra. E para, jemi këtu për të falënderuar Agim Aliun për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për Ferizajn dhe qytetarët gjatë këtij mandati. Agimi  ka dhënë shembullin adekuat sesi qeveriset në të mirë të qytetarëve. Dhe e dyta, për t’i kërkuar edhe zyrtarisht tani që punën e mirë ta vazhdojë edhe për 4 vite të tjera. Prandaj, po. Agimi gëzon besimin e plotë timin, të partisë, strukturave dhe çfarë është më e rëndësishmja, të qytetarëve të Ferizajt që të vazhdojë ndryshimin e madh që ka nisur në këtë qytet. Si parti e lirisë, e pavarësisë dhe e shtetndërtimit ne jemi parti edhe e punëve e përgjegjësive që marrim ndaj qytetarëve. E shembulli më i mirë është Agim Aliu në Ferizaj – model që do ta bartim nga tetori i këtij viti edhe në komunat e Kosovës si në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Klinë, Skenderaj, Drenas e deri në Sharr”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se PDK-ja nuk ndalet edhe kur  goditet padrejtësisht dhe përfaqëson një model qeverisjeje të ndërtimit dhe zhvillimit siç është qeverisja në Ferizaj, kundrejt modelit të mashtrimit të krijuar nga kryeministri Kurti, i cili po i arsyeton punësimet familjare.

“Ferizaj sot është qendër urbane e ndërmarrësisë që lidh Prishtinën me Shkupin, falë përkushtimit të Agim Aliut. Një qytet ku interesi për të investuar nuk kanë vetëm ndërmarrës vendor por edhe nga jashtë. Kjo është bërë e mundur vetëm falë vizionit, punës dhe përkushtimit të Agimit, lista e të cilit me të arritura është shumë e madhe. Po i përmendi vetëm disa nga to: mbi 100 milionë euro investime në Ferizaj, përfundimi i projektit ‘Bashkimi i Qytetit’ që para 3 vitesh konsideroj një ëndërr utopike nga shumë kush, fillimi i ndërtimit të spitalit rajonal të Ferizajit, ndërtimi i shkollave të reja; zvogëlim të taksave komunale, hapësira më shumë gjelbërimi dhe promovim e investime në rajonin turistik të Jerzercit që po kthehet në top destinacion në Kosovë”, ka theksuar ai.

Më tutje, Hoxhaj ka ftuar qytetarët e Ferizajt që të vazhdojnë ta përkrahin PDK-në dhe Agim Aliun për të nisur projekte të reja dhe për ta përhapur edhe në komunat tjera këtë model të mirë të zhvillimit.

Ndërsa kandidati për kryetar të Komunës së Ferizajt nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetar i degës së kësaj partie dhe kryetari aktual i kësaj komune, Agim Aliu, ka falënderuar kryetarin Hoxhaj dhe strukturat e partisë që edhe për një mandat ia besuan kandidaturën për të qeverisur në këtë komunë.

“Sigurisht se kjo mbështetje dhe ky besim është edhe vlerësim për mua sepse kanë kaluar katër vite. Para katër vitesh në Ferizaj ka ndodhur një bashkim që nuk njohu ngjyrim politik, ishte dashuria për një Ferizaj ndryshe për të ndalur një kaptinë që kishte sjellë gjëra jo të mira për këtë qytet, që t’i kthehej dinjiteti dhe zhvillimi këtij qyteti dhe ne ishim përmbledhja më e mirë e gjithë këtyre. Ne me punën tonë kemi tejkaluar gjithçka që kishim në kuadër të platformës dhe kemi tejkaluar pritjet e qytetarëve, sepse kemi pasur guximin dhe njerëzit e duhur për t’i kryer këto projekte. Vizioni ynë për transformimin e Ferizajt shkon përtej një mandati dhe ne nuk do të ndalemi sepse kështu kanë vendosur dhe po vendosin qytetarët”, ka theksuar Aliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej më shumë se 13 vjetësh, Serbia vazhdon të operojë…