Neglizhenca e vazhdueshme ndaj kërkesave të Arlindës, arsyetimi i KPK-së për suspendimin e Vuçetajt
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka suspenduar të enjten nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, në kuadër të hetimeve disiplinore për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj më 25 tetor.
Vuçetaj është suspenduar menjëherë nga ushtrimi i detyrave zyrtare, me 50 për qind të pagës.
KPK-ja e ka arsyetuar vendimin me konstatimin se Vuçetaj, gjatë gjithë kohës sa ka qenë në krye të Prokurorisë në Pejë, ka pranuar kërkesa nga e ndjera, ka qenë në dijeni për urgjencën e tyre dhe për rrezikun që i kanosej jetës së saj.
Gjatë ushtrimit të detyrës si kryeprokurore, ajo ka qenë në dijeni për raportet e prokurorëve që kanë trajtuar rastet në të cilat Arlinda Zekaj ka qenë palë e dëmtuar, si dhe për raportet zyrtare të Policisë së Kosovës lidhur me nivelin e rrezikshmërisë ndaj saj.
Sipas KPK-së, kryeprokurorja është njoftuar përmes Këshillit, kryesuesit Arian Gashi dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët i kanë kërkuar trajtimin e kërkesave urgjente të Arlindës.
Megjithatë, në vendimin për suspendim është konstatuar se Vuçetaj ka dështuar të ndërmarrë veprimet prokuroriale të kërkuara me ligj dhe nuk e ka marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara nga viktima.
Në arsyetimin e vendimit citohet edhe dispozita ligjore që përcakton përgjegjësinë për mosmarrjen parasysh të të drejtave të dëshmitarëve ose palëve të dëmtuara, veçanërisht sa i përket marrjes së masave për mbrojtjen e jetës, sigurisë dhe privatësisë së tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në këtë kontekst, në vendim thuhet se neglizhenca e vazhdueshme e kryeprokurores Vuçetaj në trajtimin e kërkesave urgjente të palës së dëmtuar ka çuar në pasoja fatale për Arlindën.
Sipas KPK-së, veprimet e Vuçetajt janë në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë.





