LV-ja reagon: Përparim Rama po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është duke u intervistuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Pas publikimit të lajmit, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje. Asamblisti i kësaj partie në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka publikuar një dokument lidhur me projektin që, sipas tij, ishte denoncuar nga kjo parti.
Sveçla ka pretenduar se Komuna e Prishtinës ka paguar 1 milion e 48 mijë euro për shërbimet e ofruara nga Zyra e Arkitektit të Kryeqytetit, vetëm gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 2023.
“Plot 1 milion e 48 mijë euro i ka paguar Komuna e Prishtinës për shërbimet e ofruara nga Zyra e Arkitektit të Kryeqytetit, vetëm për dy muaj, tetor dhe nëntor të vitit 2023. Shërbimi i ofruar me vlerë mbi 1 milion euro, sipas përshkrimit në faturë, ka qenë – KONSULENCË! Ndërkohë, kontrata e përgjithshme për këtë projekt kap vlerën prej 12 milionë eurosh. Tre vjet më vonë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është thirrur për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pikërisht lidhur me këtë projekt të cilin si Lëvizje VETËVENDOSJE! e kemi denoncuar qysh nga dita e parë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
.



