Humbja për Kosovën, me shije të fitores

12 shtator 2019 | 11:23

Trajneri Arsim Prepolli dhe futbollisti Taulant Dajaku e kanë cilësuar humbjen e Kosovës nga Anglia me shije të fitores pasi kundërshtari i “Dardanëve” është i një niveli më të lartë në futbollin botëror. Prepolli ka rikujtuar se Kosova është vetëm në vitin e tretë që është pranuar ndërkombëtarisht. “Paraqitja ka qenë e mirë dhe ne nuk duhet të harrojmë në asnjë çast se këta djem janë duke i tejkaluar prishmëritë dhe ky është vetëm viti i tretë që jemi pranuar në UEFA dhe FIFA”, ka deklaruar Prepolli.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll pësoi humbje nga Anglia (5-3) në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Pavarësisht kësaj humbje, analisti dhe trajneri i njohur në Kosovë, Arsim Prepolli, si dhe futbollisti Taulant Dajaku janë shprehur të kënaqur me atë që kanë treguar “Dardanët” të martën në Southampton.

Prepolli për “Epokën e re” ka thënë se nuk duhet të harrojmë se Kosova ka hyrë vetëm në vitin e tretë që është pranuar në UEFA dhe FIFA. Ndërsa për futbollistët është i mendimit që e kanë arritur atë që nuk është pritur, prandaj edhe pritjet e sportdashëve janë shtuar dukshëm. “Kur bëhet fjalë për një kombëtare siç është Anglia normalisht se duhet të jemi të kënaqur me paraqitjen e djemve tanë duke i marrë parasysh rrethanat dhe gjithë ato mungesa që i kemi pasur. Paraqitja ka qenë e mirë dhe ne nuk duhet të harrojmë në asnjë çast se këta djem janë duke i tejkaluar pritshmëritë dhe ky është vetëm viti i tretë që jemi të pranuar në UEFA dhe FIFA. Mendoj se loja kyçe ka me qenë ndaj Çekisë dhe ajo çfarë mund të them është se gjithçka është në duart tona. Besojmë në djemtë tanë që po na bëjnë krenarë dita-ditës”, ka thënë Prepolli.

Ndërsa Taulant Dajaku, që është një nga lojtarët me përvojën më të madhe në vend dhe njohës i mirë i ngjarjeve sportive, ka vlerësuar se kjo humbje mund të vlerësohet edhe si fitore për faktin se përballë ishte një nga kombëtarët më të forta në botë. “Kjo është një nga ato ndeshje ku humbja cilësohet si fitore krenarie, pasi përballë e kishim një prej kundërshtarëve më të fortë në botë”, ka thënë Dajaku, i cili ka treguar edhe për gabimet që “Dardanët” i bënë në përballje me anglezët. “Në aspektin profesional ishte një lojë që zgjedhjen taktike e kishte të guximshme me shumë sesa që duhej, që e pranoi edhe elektori. Pas golit të hershëm ekipi ynë me presion të lartë linte hapësira në mbrojtje dhe kam vërejtur disa gabime në vendosje në tri raste kur pranuam gol. Pjesa e dytë ishte shumë e mirë për Kosovën, ku shënuan dy gola dhe krijuam më shumë raste, por edhe Anglia kishte hapësirë, po nuk arriti t’i shfrytëzojë rastet që kishte. Dobësia e skuadrës sonë është reparti i mbrojtjes sepse përtej dëshirës për të dalë në sulm dy mbrojtësit e krahut kishin vonesa në rikthim të pozicioneve të tyre, por një moskoordinim ishte edhe në mes dy mesfushorëve defensivë. Gjithsesi, duhet të jemi të kënaqur me këtë paraqitje dinjitoze pasi kemi shfaqur futboll të mirë dhe të mësojmë për të ardhmen në mënyrë që të jemi më të kujdesshëm në repartin e mbrojtjes”, ka deklaruar ai.

Pas ndeshjeve të muajit shtator Kosova zë vendin e tretë me 8 pikë, një pikë më pak se Çekia që pozicionohet në vendin e dytë dhe katër më pak se Anglia që është lidere e Grupit A.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova ka numër më të madh të votuesve sesa numri…