Humolli: Bashkë me Abazin po përpiqemi ta krijojmë një grup parlamentar

26 maj 2023 | 13:09

Ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli dhe Haki Abazi, që për momentin funksionojnë si deputetë të pavarur në Kuvendin e Kosovës, po bëjnë përpjekje për të formuar një grup të ri parlamentar.

Këtë gjë e ka konfirmuar Humolli, i cili njësoj si Abazi është larguar nga LV-ja në shenjë pakënaqësie.

Ai ka thënë se së bashku me Abazin kanë rënë dakord t’i koordinojnë punët bashkërisht, dhe tani janë në punë e sipër për krijimin e një grupi të ri parlamentar.

“Jemi në përpjekje. Jemi duke punuar, nëse mund ta bëjmë grupin parlamentar do ta bëjmë. Nëse gjejmë gjuhë të përbashkët me deputetë për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve. Me deputetin Haki Abazi kemi rënë dakord, tani jemi në punë e sipër. Kemi rënë dakord me i koordinuar punët bashkërisht. Për arsye se në mënyrë individuale, deputeti në Kuvend të Kosovës nuk ka mundësi me ndikuar pa qenë grup sepse sistemi i punës që është ndërtuar në Kuvendin e Kosovës, deputetin e pavarur e bën të pavlerë”, ka thënë Humolli, raporton “Indeksonline”.

Humolli nuk ka pranuar të përmend emra të tjerë, sepse sipas tij nuk është korrekte, derisa të merret një vendim.

“Nuk është korrekte me tregu, për arsye se jemi diskutuar me deputetë. Kur të bëhet grupi ne do ta bëjmë publike. Tani jemi duke punuar për ta bërë grupin. Nëse bëhet mirë, nëse jo do ta vazhdojmë punën ashtu qysh jemi. Për momentin jam deputet i pavarur”, ka thënë Humolli, duke shtuar se ka pasur oferta nga opozita për të qenë pjesë e tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Kemi pasur oferta, kemi oferta. Por nuk përputhen pikëpamjet që i kemi ne. Ato kanë dallim prej LV-së, LDK-së, PDK-së e AAK-së. Pikëpamjet e tyre janë të përafërta. Atëherë me ndërruar prej një partie në parti tjetër, i bie për ego personale. Unë jam larguar për shkaqe parimore politike, jo për interesa personale. Secila parti, jam i bindur që ka interes që unë t’i bashkëngjitëm si deputet. Por, pikëpamjet politike për momentin nuk i kemi të përafërta, me partitë tjera politike”, ka thënë Humolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portali lokal nga “Mitrovica” ka publikuar një video në të…