‘Merr para borxh dhe blej barna’, Bytyqi i vendos Vitisë një letër gjatë seancës në Kuvend
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka kritikuar mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore, duke thënë se pacientët po detyrohen të marrin para borxh për të siguruar terapinë e nevojshme.
Gjatë seancës së Kuvendit, Bytyqi i ka vendosur para ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, një letër në të cilën shkruhej: “Merr para borxh, dhe blej barna. Arben Vitia jam”.
Në fjalimin e saj, ajo ka thënë se është e papranueshme që në vitin 2026 qytetarët të detyrohen të hyjnë në borxhe për të blerë barna që, sipas saj, shteti ka obligim t’ua sigurojë përmes institucioneve shëndetësore.
“Në vitin 2026 një qytetar i Kosovës të detyrohet të marrë pare borxh për të blerë barna që shteti, përmes institucioneve të tij shëndetësore, e ka obligim t’ia sigurojë. Në vendin tonë kemi pacientë që, për shkak të mungesës së këtyre barnave në institucionet publike shëndetësore, detyrohen t’i blejnë ato me paratë e tyre, duke hyrë në borxhe dhe obligime financiare vetëm që të vazhdojnë trajtimin. Pra, zoti ministër, këtu nuk po flasim vetëm për një problem administrativ, por po flasim për jetën e njerëzve, për pacientë që kanë nevojë për terapi në kohën e duhur”, ka thënë ajo.



