I vdiq babai, i biri i piktorit me akuza të rënda për stafin e spitalit të Mitrovicës

11 prill 2024 | 20:34

Të dielën e 3 marsit, një 79-vjeçar vdiq në spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. Mes lotësh e dhimbjes për humbjen e më të dashurit të tyre, familja Peci vendosi që trajtimin jo të duhur të personelit mjekësor ta rrëfente për Kiks Kosovën.

Engjëll Pecit iu desh rreth një muaj që të merrte veten e të dalë para kamerës, të fliste për artin e bukur që babai i tij e kishte krijuar dhe realitetin e keq, në të cilin ai dha frymën e fundit.

Profesori i parë i artit në qytetin e Mitrovicës kaloi ditët e fundit të jetës duke e bërë atë që e kishte dashur gjatë tërë jetës së tij. Me brushë e me letër, të pikturonte realitetin në të cilin ai besonte.

Nga shtypja e lartë e gjakut, Peci, 79-vjeçar, pësoi sulm në tru. Familja në alarm për shëndetin e babait e bashkëshortit, kontaktoi numrin e emergjencës pranë spitalit “Dr. Sami Haxhibeqiri”.

Duket se kontakti emergjent i spitalit kishte një plan tjetër për familjen Peci. Sipas rrëfimit të Engjëll Pecit, të birit të Xhaferit, emergjenca lëre që s’erdhi, por u tall me ta në linjën telefonike.

Ndonëse nuk shkuan për t’i marrë, Peci thotë se shërbimet dhe trajtimi mjekësor në emergjencën e spitalit ishte në nivel. Gjithçka u rrotullua, kur sipas tij, shkuan në repartin e neurologjisë.

Akuza si “infermieret gra refuzuan të merreshin me babanë tim me pretekstin se është mashkull”, zënë vend në rrëfimin e mitrovicasit për Kiks Kosovën.

Rrëfimi i të birit pas vdekjes së babait pason me një listë të gjatë akuzash kundrejt personelit mjekësor, specifikisht infermiereve.

Sipas Engjëllit, 79-vjeçari, ndonëse me dhimbje të mëdha, po qëndronte me vetëdije të plotë edhe në ditët, të cilat dolën të ishin të fundit për të. Karshi shtimit të dhimbjeve, po shtoheshin edhe problemet me stafin e repartit të neurologjisë.

Katedra e cila vendoset në fshikëzën urinare ishte një ndër problemet tjera në krejt këtë situatë.

Madje edhe pas frymës së fundit të babait të tij, Engjëlli thotë se personeli mjekësor nuk u treguan të drejtë. Sipas tij, fletëlëshimi i spitalit nuk përkon me gjendjen reale, nëpër të cilën kishte kaluar piktori mitrovicas, babai i Engjëllit, Xhafer Peci.

Me zemër të plasur e me dhimbje të madhe, Engjëlli sot mundohet ta ruajë imazhin e babait të tij siç ishte para se të futej brenda mureve të spitalit.

Ndonëse fizikisht Xhafer Peci vdiq në moshën 79-vjeçare në spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në vendlindjen e tij, Mitrovicë, krijimtaria e tij prej piktori bën që emri i tij të mbetet i gjallë përjetë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin,…