Ibrahim Rugova për poezinë e Musa Ramadanit

05 shkurt 2024 | 21:07

Teksti i parë është parathënia e kritikut dhe studiuesit Ibrahim Rugova për përzgjedhjen me poezi të Musa Ramadanit me titull “Nostalgji antike”. Edhe teksti i dytë i Rugovës është i përfshirë në këtë libër, por është shkruar për krijimtarinë poetike të M. Ramadanit.

Radhitjen e tekstit nga libri e ka bërë shtëpia botuese “Armagedoni”, e cila është duke përgatitur për botim kompletin e veprës të M. Ramadanit.

Fotografinë e Ibrahim Rugovës: Fahredin Spahija

Hyrje

Ndërsa po përgatisja këtë libër, Nostalgji antike, të poezisë së Musa Ramadanit, m’u kujtua një mbrëmje e vitit 1969, kur bashkë me autorin lexonim korrekturën e fundit të librit të tij të parë Mëkatet e Adamit. Ishte gëzimi i tij i parë që e ndienim së bashku, si miq të brezit, të një brezi që donte të thyente lëvozhgën e mendimit dhe të jetës dogmatike. Ishin ato net të një bohemie poetike të njerëzve të rinj, që po hynin në botën e artit, në botën e jetës. Ishin ato vite të revoltës së studentëve në mbarë Evropën. Evropa po çlirohej shpirtërisht nga Lufta e Dytë, dhe fundi i Luftës së Ftohtë të etheve atomike. Kjo revoltë i përfshiu edhe studentët dhe të rinjtë e Kosovës. Nuk u cilësua si revoltë e ’68-s evropiane të çlirimit shpirtëror, po si “nacionalizëm e irredentizëm”. Po edhe kjo s’prishë punë, sepse hymë në rrjedhat e idealeve evropiane këtu në Prishtinë. Flitej se ishin bërë padrejtësi ndaj shqiptarëve. Mundohej të ndreqej diçka. Në ato vite për herë të parë e shihnim publikisht dhe oficielisht flamurin shqiptar. Së pari i shihnim në shitje librat nga Shqipëria. Zu të funksionojë tregu shqiptar kulturor. Ndienim një gjallërim të qenies sonë.

Libri i parë i M. Ramadanit u prit mirë. Pasuronte poezinë e kohës me nivelin e abstraktes. Ndoshta për kohën dukej artificial. Kështu duket çdo gjë që kërcen mbi mesataren.

Dhe rrodhën vitet, e Ramadani u bë një ndër shkrimtarët tanë të shquar në poezi e në prozë. Tema e mëkatit nga libri i parë thuajse u bë një temë obsesionuese në gjithë poezinë dhe prozën e tij të mëvonshme duke nisur nga fillimi i botës, antika, historia dhe koha më e re. Dhe sot, titulli i librit të dytë Thirravaje, më bëhet se lidhet me gjëmën në vajtimet shqiptare për të vdekurin, një rit i antikës ilire-shqiptare, të cilin e shënuan shkrimtarët tanë të parë Budi e Bogdani, që quhet vaj, “thirrje vaj” e që ende gjallon në Veriun shqiptar. Kështu më duket sot kuptimi i titullit të librit, mbasi kemi zënë ta njohim më mirë traditën tonë.

I thashë këto kujtime dhe impresione kohe, sepse duke u marrë me politikë në këto vitet e fundit, e sidomos sivjet, nuk pata kohë të shkruaja diçka më speciale për këtë libër të zgjedhur. Sepse, për të mbajtur jetën dhe artin, jemi bërë zoon politikon, siç do thoshte Aristoteli dhe nuk munda t’ia kthej dëshirën e besimin Autorit dhe Redaktorit të këtij koleksioni të përgatis këtë botim të zgjedhur.

*

Kjo zgjedhje me titull Nostalgji antike, sikur shpreh dëshirën e autorit për antikën universale dhe nacionale dhe për kohën e tij. Kaq dhe nuk po hyj më në interpretim.

Thashë se atëherë thuhej se ishin bërë padrejtësi ndaj shqiptarëve, e sot, ato, pas njëzet vjetësh, po bëhen në formë më të ashpër. Është kohë tronditjesh të jetës dhe artit. Histeria kundër kulturës po bëhet më e vrazhdë: duan të mos flasim e të mos shkruajmë më libra në shqip, në njërën nga gjuhët më të vjetra të Evropës. Historia na thotë se këso histerish patë më shumë po, megjithatë, libra u shkruan në shqip. Sot, më të ngritur se kurrë, duam të shkruajmë më shumë. Dhe, duhet të punojmë, që të shkruhen më shumë, se kjo është logjikë e jetës dhe e veprës. T’i mbrojmë ato që i kemi dhe t’i bëjmë ato që t’i kemi.

Më me zell do të shkruaja një analizë „të pastër”, kësaj here, por ç’të bëjmë kur është kohë e tillë, kur duhet mbrojtur dhe mbajtur jetën, njerëzit dhe librat, miku im i dashur shkrimtar dhe ti lexues i çmuar. Por, edhe kjo është kritikë. Që edhe kujtimet e reja lëmë si dokument se gjithmonë kemi vuajtur për dokumente që na u zhdukën shumë herë, se me njerëz ia kemi bërë disi. Vitaliteti antik nuk u shua për as një herë. Ishim të aftë e të gjallë për të ekzistuar dhe për të vazhduar. Dhe, ndoshta, për ato gjëra të humbura, “dokumente”, për mbijetesat e tyre dhe për ne të gjallët, na kujton ky titull i librit të Autorit, Nostalgji antike. Për Vitalitetin antik…

*

Dhe, ja, këtu, po i ndërpres kujtimet për të shkuarën dhe refleksionet për të tashmen individuale dhe të përbashkët, e po jap në vazhdim një kritikë të shkruar para sa vitesh me rastin e botimit të librit Eugjenika e tri deteve, si vështrim më i thellë për këtë vepër të autorit, që prek edhe kredon krijuese të përgjithshme të tij.

Ibrahim Rugova

Prishtinë, 24 korrik 1990

SUBLIMIMI I THËNIES EUGJENIKE

  1. Në të parë

E titulluam kështu këtë vështrim mbi librin e poezisë të Musa Ramadanit, “Eugjenika e tri deteve”, meqë në vete përmban një botë apo, thënë me terminologji më moderne, përmban një strukturë, një shenjëzim e kod të veçantë poetik. Pastaj, me qëllim nuk deshëm të largohemi fort nga titulli i vet librit, që shpreh dhe na jep këtë botë përmes një thënieje poetike eugjentike. Në të parë titulli i librit sikur na duket se ka të bëjë me një nominacion të rëndomtë njerëzor apo mitologjik, pra me Eugjenikën, po mbas një zbërthimi të këtij emërtimi dhe leximit të librit, mund të përfundojmë se kemi të bëjmë me diçka më të thellë, më serioze. Librat profesionalë lidhur me këtë çështje na njoftojnë se emërtimi Eugjenikë vjen nga greqishtja e vjetër, që do të thotë fis i lartë, origjinë fisnike e të tjera. Dhe në bazë të këtij kuptimi zanafillës të etimologjisë së fjalës, siç na njofton Robert-i Frëng, eugjenika është dije, shkencë mbi metodat e përsosjes së vetive trupore e shpirtërore, se merret me kushtet në të cilat shfaqen të metat e trashëguara dhe virtytet e pasardhësve. Është dije për riprodhimin dhe përsosjen e racës njerëzore, që lidhet deri në kuptimin bashkëkohor për gjenetikën si shkencë. Shkurt, merret me mënjanimin e të keqes njerëzore. Të gjitha këto kuptime të semantikës së titullit i gjejmë në libër në forma të ndryshme, po mendojmë se autori, përmes të folurit të tij poetik si akt brenda thënies poetike, na siguron një të folur eugjenik, pra të lartë, sublimues dhënë përmes dëshpërimit të subjektit poetik me karakter përmirësues, shërues të së keqes apo, thënë më mirë, siç e bën arti, ta konstatojë këtë të keqe dhe kjo mjafton. Konstatimi, fundi i fundit, është intencionaliteti i artit, në këtë rast i poezisë. Këtë na e përforcon edhe pjesa tjetër lokucionale e titullit Eugjenika e tri deteve, do thotë subilimacioni i trashëguar i qytetërimit të tri deteve, të atij fisi të lartë, e që në mënyrë të natyrshme sikur lidhet me lokucionet e ngjashme të krijimtarisë gojore shqiptare: tri dete, tri maja e të tjera, apo përmes një asociacioni të largët me të bukurat, hyrijat e detit, aq të pranishme dhe funksionale në prozën fantastike gojore shqiptare. Tash për tash ky na duket sugjerimi i parë i titullit, e në vijim do ta shohim substancën e tij poetike.

  1. Ideja e ndërlidhur

Këtë folur të thënies eugjenike, sikur e kemi lajtmotiv në gjithë veprën e frytshme të Musa Ramadanit. Që nga libri i tij i parë „Mëkatet e Adamit” (1969), që kryesisht niset nga mëkati biblik, e që ndihet si gjenealogji e mëkatit në librin „Thirravaje” (1971), pastaj „Neurosis” (1973) përpunimi e plotësimi i tij si „Alfabeti i neurozave”  (1982), ku dominon problemi i neurotikës, si kategori e botës moderne në raport individi-shoqëria-ekzistenca, që thyhet në përditshmërinë e individit si dhe te “Muzat nuk flenë”, ku shtrohet çështja e krijimit në raport me përditshmërinë, e deri te libri i fundit i poezisë „Eugjenika e tri deteve” (1986), e keqja njerëzore formësohet e konstatohet me insistim. Kurse në romanin „Zezona” kjo kategori del si dhunë mbi një kolektivitet dhe te „Ligatina”, jepen dimensionet më të gjera të saj: e keqja kolektive, që thyhet në individin, se kolektiviteti ndërtohet mbi individin. FO themi se ne vetëm e konstatuam këtë ide-lajtmotiv të veprës së tij, pa e pasë absolutizuar apo thjeshtëzuar, se është shumë më e gjerë se një konstatim me interes vështrimi.

Pos kësaj ndërlidhjeje të tërthortë si realizim në vepër, në librin e fundit të poezisë, autori bën edhe një ndërlidhje të drejtpërdrejtë poetike. Kështu nga libri i parë „Mëkatet e Adamit” na jep një moto sugjestive, pastaj e inkorporon vjershën me titull Kah mitologjia, tash, Pse më kthejnë në mitologji dhe vjershën Diçka ose asgjë si dhe në hyrje të ciklit të dytë Në kërkim të harileve. Pra autori, në tërësi librin më të ri e ndërlidh me idetë e miteve të librit të parë, që tash e ka objekt qendror.

  1. Fenomenologjia e leximit

Shikuar në tërësi, do thënë se autori e ka organizuar mjaft mirë librin. Së pari fillon me vjershën Miqtë e mi memecë, si një përjetim i momenteve të perceptimit poetik, pastaj nis me një moto, si ëndërr, për të vazhduar me ciklet Libri i vdekur dhe Libri i gjallë, që mund t’i marrim si paratekste, thënë me fjalë të Zh. Zhenetit dhe përmbyllet me vjershën Miqtë dhe hijet e tyre. Ky mbarështrim i lëndës poetike del mjaft funksional, sepse autori ka ndërtuar mirë e kuptimshëm çdo vjershë në kuadër të librit. Prandaj këtë organizim poetik nuk mund ta marrim si formalitet, po intencë të realizuar të autorit. Pastaj vetë ky organizim sikur na imponon edhe një rrjedhë të leximit, apo thënë me Wolfgang Iserin, një fenomenologji të leximit. (Phânomenologie des Lesens), përmes së cilës e ndërtojmë botën e librit. Përkundër disa shpjegimeve paraprake që i dhamë, të ndjekim këtë fenomenologji të leximit.

  1. Mitologjia – Autoktonja – Historia

Që me vjershën e parë Miqtë e mi memecë, me të cilën e hap librin, autori na sugjeron tematikën e veprës, na shpie në botën e veprës si paralajmërim, njoftim paraprak. Është kjo një vjershë e cila jep momentin e formësimit të lëndës poetike, çastet e inspirimit, aktin e krijimit dhe të ideve që shfaqen në raste të caktuara krijimi. Këtu e shohim atë intuitën e gjallë poetike dhe racionalitetin poetik në formësimin e vjershës. Na paralajmëron perceptimin e brendshëm të së shkuarës në shpirtin dhe në mendjen krijuese, përkthyerjen e të shkuarës në vizionin e subjektit poetik. Këto janë amplitudat e përjetimit të kohës, që tingëllojnë e shqetësojnë nga universi i jashtëm në universin e brendshëm të individit dhe në hapësirën e caktuar e të kufizuar: 

Më gjezdisin pa përtesë ndër kohëra e hapësira

Civilizime e rrënime, qytete e shtete më shpien

Dhe prapë më kthejnë në dhomën time

E gjithë kjo sikur të kthen në aktin e krijimit, në vetminë e tij të ballafaquar me kohë, me veten, me aktualen që del si raport i ndërlikuar subjektiv. Të gjitha thyhen në individin. Më pastaj fare natyrshëm, më bindshëm na paralajmëron momentin e përjetimit dhe kërkesën, intencën për një identitet të qenies përmes formave të ndryshme të qytetërimit:

Ku është mitologjia ime? –

pyeti një natë Mu-Rai.

Gjurmo, mbase do ta gjesh! –

iu përgjigj i ati mijëvjeçar.

(Nga një ëndërr e 1984-tës)

Në formë mjaft sugjestive, përmes një „ëndrre” të kufizuar në kohë, subjekti poetik, kërkon mitologjinë e vet. E gjithë kjo ngjet në aktin e krijimit. Sikur na shfaqet një dëshpërim, moskënaqësi me njohjen e të shkuarës, me njohjen e vetes në planin kolektiv e individual. Dhe kësaj i përgjigjet me kërkesën për hulumtim, për verifikim, me bindje të plotë reale se ajo ekziston, është, po nuk ka subjekt kërkimor. Dhe kjo është një përgjigje me bindje arti, që korrespondon me përgjigjen shkencore, po përderisa e para konstaton, e dyta argumenton, fakton e dokumenton.

Mbas këtyre dy parateksteve, si i quajtëm, kemi tekstin e plotë që për objekt ka mitologjinë dhe historinë. Cikli i parë i librit titulluar Libri i vdekur i kushtohet mitologjisë, komplekseve e fytyrave të njohura mitologjike duke filluar nga antikiteti greko-iliro-romak, që qëndrojnë në themel të mitologjisë dhe të kulturës evropiane, e pastaj të asaj biblike, hinduse, islamike, asirase, egjiptase e kështu radhë. Për ta ilustruar këtë, vetëm po i përmendim disa

figura e topoi mitologjikë, si Erida, Troja, Aresi, Akili, Ikari, Metuzalemi, Nirvana, Narcisi, Arka e Nuhit, Kutia e Pandorës, Zeusi, Gilgameshi, Demosteni, Diogjeni, Prijapi, Geja, Penelopa, Manët, Odiseu, Jonia e shumë të tjera.

Me këtë rast do vënë re se këtë mitologji autori e shfrytëzon në formë produktive. Çdo figure apo topoi mitologjik ia kushton nga një vjershë, pra atë e bën objekt të çdo vjershe. Së pari niset nga simbolika apo semantika e miteve, e zbërthen atë në materie poetike. Me çdo mit lidh nga një ide, virtyt, gjest apo moment të kohës, pra bën një riaktualizim të mitit. Po më mirë, këtë bashkë me Meletinskin, do ta quanim remitologjizim, proces ky kur mitet antike ndërlidhen, aktualizohen me mitologjitë moderne. Duke pasur këtë parasysh, mund të themi se autori, duke bërë zbërthimin, apo rindërtimin e mitit në kontekst të ri poetik dhe në perceptimin e tij, na jep një vizion mjaft funksional të atyre miteve dhe të momenteve aktuale. Nga secili mit nxjerr esencat dhe ndonjërën prej tyre e ngrit në simbol të mesazhit poetik. Në të parë ky prosede duket pak si i vështirë, pa njohur literaturën shkencore mbi këtë problematikë, po në bazë të një rindërtimi të qartë e konsekuent të çdo miti, del se mund të lexohen e përjetohen, madje të kuptohen edhe pa të. Është vetë vjersha që flet për çdo dimension të aktualizuar. Ky prosede na duket më krijues sesa të përmendeshin vetëm mitet në kontekste të vjershave të veçanta.

Duke marrë për bazë semantikën origjinale të mitit poetik, implikon situata, pikëpamje e ide të kohës së vet. Kështu vjersha del si mbindërtim në elementet e mbijetesës, survivalit mitologjik, gjithnjë duke mos tradhtuar kuptimin qendror të çdo miti. Pos kësaj, në të shumtën, autori bën edhe një dialog të gjallë me idetë që përmban miti duke inkarnuar në të idenë dhe përvojën e vet në raport me kohën. Dendur mitet dalin si personazhe poetike, që bartin në vete kuptimin e ri të vjershës së veçantë. Me këtë poeti krijon mitologjinë e vet poetike, të bazuar në atë antike. Do shtuar edhe këtë, poeti nuk i kërkon t’i maskojë idetë e veta prapa mitit apo me të, po ato të mitit t’i vërë në kontekste të caktuara të ekzistencës.

Për të ilustruar këtë metodë të shkrimit mitologjik, po i marrim disa vjersha më të realizuara, edhe pse del vështirë të veçohen. Gjithnjë në frymën e të folurit eugjenik, në vjershën Androkle, bishën e ke mik, vërehet një zhgënjim, për të mos thënë total e thuajse hobsian për njeriun. Androkle, që vjen nga greqishtja e vjetër, do të thotë njeri, e më pastaj simbolizon raportet ndaj njerëzve:

Ruaju gjithçkaje që ecën me dy këmbë

 …………………………………………………

Ai nuk është njeri që çdo gjë harron

Androo-kleee

Androo-klee

Në vjershën tjetër mjaft të bukur Epidemia e quajtur Demosteniana, autori zhvillon idenë e demagogjisë si rezultat i gojëtarisë së zbrazët, ku njeriut i janë mbushur veshët dhe koka me fjalë e veç me fjalë. Kjo inkarnohet në Demostenin, babanë e kësaj mjeshtërie, që personifikon retorikën antike, e më vonë çoroditjet e saj nëpër kohë:

Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania

Demostenët e kohës i flasin njëri-tjetrit

Po ashtu, kjo vjershë shenjon se retorika nuk ka vlerë dhe kuptim, e madje as efekt kur njeriu, ushtruesi i saj, nuk ka çka të thotë. Thënia pa esencë dhe pa kuptim shpie në “dialogun e të shurdhëve”, i cili zakonisht mbaron me grindje dhe ndeshje njerëzore. Pra edhe një kërkesë për trupësimin e fjalës dhe kuptimin e plotë të saj në raportet njerëzore.

Pastaj në vjershën Çdo kohë, Prijap, jotja është, që njihet si simbol i frytënimit, përmes të cilit mbahet vazhdimësia e farës njerëzore, autori shtron çështjen e dëshmisë së gjallë të ekzistencës nëpër kohë, me një dëshpërim të shquar në mitologjitë moderne me karakter supermanipulues:

Të ka rënë vlera Prijap, në tregun e madh të botës,

Jo, ka popuj që u duhesh pas dv mijë vjetësh ekzistimi

Të mbajnë simbol frytnimi, përtëritje e vazhdimësie.

Dhe vjersha Manët nuk harrojnë, një ndër më të fuqishmet në këtë libër, merret me çështjen e rikthimit të atyre që ekzistojnë në mënyrë të vet, vetëm e vetëm për të vazhduar të veten. Manët, që njihen si njerëz mitologjikë të nëntokës, të nëndheshëm, siç e ka autori, apo një fis ilir i panjohur sa duhet në historiografinë tonë, simbolizojnë njerëzit që ekzistojnë dhe duhet të jenë. Poeti sikur sugjeron se ajo që ka ekzistuar, geni i antikitetit nuk harrohet lehtë, ai ringjallet, riprodhohet për ta siguruar veten, edhe pse në rrjedhën e kohës ka mundur të mos jetë aktual dhe dominues për ndonjë kohë të caktuar. Me një ritëm të jashtëzakonshëm, apelativ vjersha krijon imazhin e një ngarendjeje të kujtimit arketipor të memories njerëzore.

Do të më shpien Manët lartë në kështjellë

Të lodhur nga udhëtimi i mbretërisë nëntokësore

Do të më japin të ha të pi e të çoj pak dashuri

E pastaj do të më pyesin për gjenezën deri në shtatë breza

Nëse ngatërrohem në emra a do të më besojnë, vallë.

Cikli i dytë i librit Libri i gjallë vazhdon thënien e mëparshme poetike, po për objekt ka historinë. Kështu përmes vjershave me përkushtime disa figurave të njohura historike iliro-shqiptare që nga Teuta, Genci, Pirro, Skënderbeu, Pjetër Bogdani, Nora e Kelmendit, Ali pashë Tepelena, Abdyl Frashëri, Mic Sokoli, Zef Serembe, Naimi, B. Curri, I. Boletini, H. Prishtina e deri tek ato të ditëve tona, autori lëndën e vet poetike, me qëllim sintetizimi të karakterit të këtyre figurave në planin nacional dhe në atë të përgjithshëm. Kështu ato ngrihen në simbol të vazhdimësisë së ekzistencës në hapësira të caktuara dhe në kohë të caktuara, që trupëzojnë në vete përkatësinë dhe mesazhin e veprimit dhe idealeve të tyre. Do vënë re, se duke aplikuar këtë prosede të riaktualizimit, poeti nuk bën slogane poetike, që do ta ngushtonin semantiken historike, po në formë fare të natyrshme, duke hetuar vlerën e tyre, arrin të nxjerrë esencialitetin e tyre njerëzor dhe praktik e kulturor që dhanë për popullin dhe rrënjën e vet. Përderisa në ciklin e parë autori krijon një mitologji poetike, këtu na jep një histori poetike, e cila përmban nyjat kryesore të saj, qoftë si përjetim apo edhe racionalizim poetik në masë të konsideruar.

Kështu do veçuar vjershën Trofeu i gjallë, kushtuar mbretit të fundit ilir, Gencit, që romakët të gjallë e bartën si rob lufte, si një ndër më të mirat në veprën e autorit dhe në poezinë tonë të sotme në përgjithësi, ku jepet tragjikja e individualitetit historik dhe, njëherësh, edhe ajo e një populli:

Në cilin pallat romak të vendosën

Të zbukurosh vitrinën publike

Model i gjallë i koleksionit ilirian

…………………………………………..

Trofe i fundit i koleksionit ilirian.

Të këtij niveli janë edhe vjershat Fitorja e Pirros, Dialog nga viti 1878 e tëhu kushtuar Abdyl Frashërit, që simbolizon veprimin e tij diplomatik e prijës. Këtu autori shtron temën e njohur në formë pyetjeje se Ku ka histori pa gjeografi dhe gjeografi pa histori, e cila sot ka legjitimitet shkencor, politik e kulturor në bashkësinë njerëzore. Insistim me vend, do të thoshim.

Dhe në fund vjen vjersha Miqtë dhe hijet e tyre, e cila ndërlidhet me atë të fillimit të librit, gjithnjë në vazhdën e aktit të krijimit, përjetimit të cikleve të mëdha kohore, të cilat në vetëdijen dhe në ndërdijen e njeriut kodifikojnë ekzistencën e tij dhe konstatimi poetik që të kemi „Një libër të vogël për të dëftuar kthimin”, qenien dhe vazhdimësinë.

Këto dy cikle të librit, që i pari ka për objekt mitologjinë dhe i dyti historinë, sikur lidhen me konceptin se mitologjia dhe historia janë dy vazhdimësi. Këtu del se autori i kundërvihet konceptit të vjetruar se nuk është histori, duke afirmuar atë tjetrin se mitologjia është historia e parë e përvojës njerëzore, se mitografia është edhe historiografi në kuptimin modern të fjalës, se historiografia nuk e përfshin gjithmonë historinë e as mitografia mitologjinë, esenca këto të ekzistencës njerëzore. Pra një insistim relativizues për të çliruar konceptet dhe vizionin e tyre. Kur është fjala për mitologjinë, do thënë se këtu na del koncepti i njohur universal se përsosja njerëzore në kontinuitetin mitologjik e historik, është shumë e vogël: të njëjtat probleme që e kanë munduar njeriun dikur, e mundojnë edhe sot. Ai i ika po ato të meta dhe virtyte në kushte të ndryshme. Kjo është tezë mjaft depresive filozofike, po mjerisht, mjaft e vërtetë, të cilën M. Ramadani e materializon në librin e tij më të ri. Pastaj, në trikotominë mitologjike iliro-greko-romake, e kërkon autoktonen e vet, „Eugjenikën” e tri deteve, e cila ka sublimimin eugjenik, po nuk është diferencuar si e tillë. Kërkesë për identifikimin e përkatësisë historike e kulturore.

  1. Në fund

Po të vështrohet në planin e thënies poetike, do konstatuar se ky libër i M. Ramadanit del mjaft komunikues. Autori, në stil të paimponueshëm komunikon vetëm me esencat e lëndës poetike dhe kështu poezia e tij bëhet më e qëndrueshme. Këtë komunikativitet të poetit ndaj tematikës dhe problematikës poetike, do konsideruar si kualitet të ri të veprës si tij. Po ashtu, thënia e këtij libri ka një ndërlidhje të fortë kuptimi e përjetimi dhe autori ka shkruar, siç thuhet zakonisht, „pa pardon”, çlirshëm e bindshëm, pa mistifikim që mund të imponojnë momentet e caktuara. Për nga tematika, do thënë se është libër i një “strukture të thellë”, po të tjetërsonim formulimin linguistik të N. Çomskit, meqë përmes thënies poetike, që e quajtëm bashkë me autorin „eugjenike”, kemi një sublimim, i cili realizohet në kundërshtimin që sjell dëshpërimi poetik si mospajtim. Madje, fare natyrshëm ky sublimim kuptimor e shpirtëror që ofron vepra, ngrihet në rezultat të një përjetimi të fatit individual e të përgjithshëm të subjektit poetik. Mendojmë se ky libër është një formë e shkrimit të ri poetik në kuadër të veprës së autorit, që e pasuron poezinë tonë bashkëkohore, duke dalë si një ndër librat më të mirë saj. Ky ishte mendimi ynë i përgjithshëm për këtë vepër që, besojmë, nuk do të mbetet i vetmuar!

Ibrahim Rugova

1986

 

Botuar në “Epoka e re” me pëlqimin e Sh. B. “Armagedoni”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bekim Brestovci është emëruar të hënën drejtor i Shërbimeve Publike…