Ibraimi, besnik i Shkëndijës

26 korrik 2018 | 12:01

Shkëndija ‘blindon’ Besart Ibraimin, i cili firmos kontratë të re me kuqezinjtë, duke u lidhur me marrëveshje deri në verë të vitit 2021.

Bomberi më i mirë i tre viteve të fundit në elitën e futbollit në Maqedoni vendos që edhe periudhën në vazhdim të jetë pjesë e skuadrës kuqezi, kur pritet të vazhdojë rendimentin e deritashëm. Kontrata e paraprake e Ibraimit skadonte në qershorin e vitit 2019, mirëpo duke dashur t’ia sigurojnë për një periudhë më të gjatë kohore drejtuesit e klubit vendosën t’i ofrojnë rinovimin.

Duke vlerësuar insistimin e klubit Ibraimi ka refuzuar oferta shumë të volitshme, ndërsa ka gjetur akordin për të vazhduar kontratën edhe për dy vite tjera. Kështu Shkëndija dhe Ibraimi me marrëveshjen e re firmosin bashkëpunim deri në verën e vitit 2021.

Me kontratën e re dyvjeçare dhe një që kishte me marrëveshjen e vjetër,  Besart Ibraimi pritet të kompletojë gjashtë sezone në radhët e Shkëndijës. Brenda kësaj periudhe nëse vazhdon me ritmin e deritashëm, pritet të thyejë shumë rekorde statistikore.

Pas një periudhe të suksesshme jashtë vendit, Besart Ibraimi u bashkua me Shkëndijën verën e vitit 2015, duke u konfirmuar menjëherë si golashënues i spikatur, pasi si askush më parë nuk e fitoi tre herë resht titullin e golashënuesit më të mirë në LPFM.

Në tre sezone që fiton çmimin “Golashënuesi i vitit”, Ibra sezonin  2015/2016 e mbylli me 25 gola të shënuar, sezonin e radhës realizoi 20-të gola, ndërsa në vitin garues 2017/2018 sërish shpallet ‘Këpuca e Artë’ e kampionatit me 23 realizime. Ka shënuar rregullisht edhe në Kupën e Maqedonisë, ndërsa me 14-të gola është shënuesi më i mirë në historinë e Shkëndijës në Kupat Evropiane. /Telesport/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bardhyl Mahmuti Në fazën finale të Dialogut për Normalizimin e…