ICK bashkë-themeluese e “Startup Europe” të Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor

15 nëntor 2018 | 16:28

Në një ceremoni zyrtare në Samitin e Sofjes (Bullgari), në prezencën e komisioneres Mariya Gabriel, drejtori ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK), Uranik Begu nënshkroi deklaratën e përbashkët për themelimin e Rrjetit “Startup Europe” për Ballkanin Perëndimor, të Komisionit Europian.

Përveç ICK-së si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, deklaratën e përbashkët për themelimin e rrjetit, e nënshkruan edhe “SPARK” nga Bosnja dhe Hercegovina, “Ofiçina” nga Shqipëria, “Startup Serbia” nga Serbia”, “Digitalizuj.me” nga Mali i Zi & “Seavus Education and Development Centre” nga Maqedonia.

Kjo nismë synon të bashkojë partnerët kyç nga shtetet pjesëmarrëse, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve, për një ekosistem të qëndrueshëm dhe prosperues të ndërmarrësisë dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor.

“Startup Europe Western Balkans” do të jetë po ashtu urë lidhëse e regjionit tonë me Europën Qendrore e Lindore, nëpërmjet programeve të shkëmbimit dhe bartjes së praktikave më të mira.

Rrjeti do të synojë të ngushtojë zbrazëtirën që ekziston ndërmjet sistemeve në regjione të ndryshme të Europës, dhe do të ofrojë fonde për të gjashtë shtetet anëtare nga Ballkani Perëndimor.

Më poshtë deklarata e plotë nga Samiti i Sofjes:

“Ne, themeluesit, angazhohemi për të arritur një ndikim afatgjatë në rrjetin e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet përmirësimit të ekosistemeve ekzistuese, duke krijuar bashkërisht lidhje të qëndrueshme brenda rajonit dhe sinergji në nivel pan-evropian, për të lehtësuar qasjen në burime të ndryshme të financave dhe për të zhvilluar edukimin dhe kulturën e ndërmarrësisë”.

Pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët, Uranik Begu u shpreh: “Nga sot hapet një perspektivë e re për bizneset startup në Kosovë, derisa si komunitet po integrohemi zyrtarisht në platformën më të madhe europiane të fushës, atë të Startup Europe. Bashkë me 5 vendet tjera të Ballkanit, zyrtarisht themeluam Startup Europe Western Balkan Network, si një dritare e re mbi mundësitë europiane dhe vizion i përbashkët për zhvillim dhe integrim. Krenar me punën që po bëjmë ne si komunitet në Kosovë dhe shpresoj që të kemi edhe përkrahjen e duhur vendore për të avancuar tutje ndërmarrësinë dhe inovacionin në vend”.
Samiti i Sofjes po mbahet në kohën kur Kosova dhe 170 shtete nga e mbarë bota po shënojnë Javën Globale të Ndërmarrësisë (12-18 Nëntor).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Britani të Madhe do të mbahet koncerti për bamirësi,…