Ide interesante nga Gani Sejdiu për stadiumin kombëtar  

21 nëntor 2019 | 12:17

Debati për ndërtimin e stadiumit kombëtar po vazhdon në Kosovë. Qeveria Haradinaj, një vit më parë pati marrë vendim që stadiumi kombëtar i Kosovës të ndërtohet në Korreticë të Drenasit dhe jo në Bërrnicë të Prishtinës.

Mirëpo vendimi i qeverisë Haradinaj mund të mos jetësohet pasi me ndërrimin e pushtetit, pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, mund të ndryshojë edhe lokacioni i stadiumit.

Për “Epokën e re”, lidhur me çështjen e stadiumit, ka folur edhe trajneri me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës, Gani Sejdiu. Ky i fundit mendon se vendimet dhe debatet lidhur me çështjen e stadiumit janë politike. “Nuk është mirë të kemi këto debate sepse është një projekt sportiv por, për fat të keq, po përdoret nga politika. Nëse i shikojmë vendimet apo debatet, shohim se janë për interesa politike dhe kjo nuk është mirë, sepse jemi një vend i vogël dhe duhet t’u gëzohemi sukseseve të përfaqësueses dhe jo të krijojmë ndarje të regjioneve”, ka thënë Sejdiu, i cili ka një ide interesante lidhur me stadiumin. Ai beson se shumë më mirë do të ishte që të investohet në stadiumet e tjera.

“Mendoj se është dashur të investojmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, që ta shtojmë kapacitetin edhe në stadiumin ‘Adem Jashari’, kurse disa mjete të tjera t’i investojmë nëpër stadiumet e Superligës, ku gjenda e tyre nuk është e mirë dhe, të them të drejtën, nuk i intereson akujt. Megjithatë, projekti për stadiumin nacional është madhor dhe do t’i shërbejë Kosovës për të ardhmen, por nuk është mirë të përdoret për interesa politike”, ka deklaruar Sejdiu.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda…