IHF-ja: Kosova shkruan historinë në Spanjë

14 korrik 2019 | 20:03

Federata Ndërkombëtare e Hendbollit ia ka kushtuar një artikull pjesëmarrjes së Kosovës në Kampionatin Botëror të juniorëve në Spanjë. Përfaqësuesja e U21 në hendboll është e para përfaqësuese e Kosovës në të gjitha sportet dhe në të gjitha grupmoshat që është kualifikuar për kampionat botëror.

U21-shat “Dardanë” janë po ashtu ekipi i parë i kualifikuar për botëror përmes garës IHF Trophy dhe e ka arritur këtë duke fituar fazën interkontinentale të mbajtur në Prishtinë në prill. Për trajnerin Fatmir Muhaxheri suksesi në IHF Trophy ishte kulmi i punës shumëvjeçare.

“Ne e kemi merituar atë sukses, pasi kemi stërvitur për katër vjet, jemi munduar për katër vjet dhe e meritojmë të jemi pjesë e kampionatit botëror”, i ka thënë Muhaxheri faqes zyrtare të IHF-së, pasi Kosova fitoi titullin. “Tani do të punojmë shumë që të paraqitemi sa më mirë në Spanjë”. Ekipi i tij u kualifikua për fazën interkontinentale pasi fitoi zonën evropiane të IHF Trophy. Me valën e suksesit që ka përfshirë hendbollin kosovar së fundi – ekipi senior i Kosovës së fundi ka fituar ndaj Izraelit – presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, është i vetëdijshëm për rëndësinë e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare dhe paraqitjes në to. “Hendbolli në Kosovë është themeluar 65 vjet më parë, por për ne është me shumë rëndësi të kemi impakt tjetër, dhe një mënyrë për të bërë këtë është të organizojmë ngjarje ndërkombëtare. Suksesi në fushën e lojës është nxitje për ekipet që të punojnë më shumë dhe të arrijnë rezultate më të mira. Natyrisht, do të ketë sfida në botërorin e juniorëve, por jemi të sigurt që IHF-ja, Federata e Hendbollit e Spanjës dhe komiteti organizativ lokal do të bëjnë punë fantastike. Hendbolli në Kosovë është në rritje dhe kjo ngjarje do ta inspirojë gjeneratën e re t’i bashkohet familjes së hendbollit”, ka thënë Saraçini.

Selektori i Kosovës, Taip Ramadani, që ka prezantuar Australinë në Lojërat Olimpike të vitit 2000 në Sydney, do të jetë në Spanjë si udhëheqës i delegacionit dhe, krahas Muhaxherit, do të shpresojë që do të mund ta inspirojë ekipin e ri që të shkojë sa më larg që është e mundur.

“Presim garë të vështirë. Është botërori i parë për ne dhe është shumë me rëndësi për vendin tonë të ri, pasi është, po ashtu, hera e parë që një ekip sportiv do ta prezantojë vendin tonë në një botëror në të gjitha sportet. Të marrim pjesë në botëror është krenari për ne dhe qartë se do të motivojë një valë të re fëmijësh që të merren me hendboll, sportin me histori të pasur në vendin tonë. Qëllimi ynë është ta prezantojmë vendin tonë me krenari dhe dinjitet dhe të garojmë për më të mirën. Lojtarët tanë janë të motivuar për të performuar në këtë nivel dhe të jenë pjesë e një ngjarje kaq të madhe. Shpresojmë të dalim në raundin kryesor dhe të vazhdojmë t’i sfidojmë ekipet superiore ndërkombëtare”, ka thënë Ramadani. Në përfaqësuesen e Kosovës janë disa lojtarë që bëjnë karrierë në vende të tjera. Drenit Tahirukaj, që luan për Besa Famgas, ishte top golashënuesi në fazën interkontinentale të IHF Trophy, duke shënuar 31 herë në katër ndeshje. “Nuk kam fjalë për ta shpjeguar ndjenjën kur e veshi fanellën e vendit dhe dëgjoj himnin. Ndihem shumë krenar që luaj për vendin tim. Kemi talent dhe me punë të madhe mund të shkojmë larg”, ka thënë kapiteni i Kosovës U21, Jon Muqolli.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu,…