Ikja nga atdheu, kataklizëm mbytës

05 shkurt 2020 | 19:59

Shkuarja në masë të madhe e të rinjve kosovarë diku larg në një vend të huaj, ka nxitur njërin nga profesorët tanë që ta bëjë një kushtim.

Profesori në shkrimin e tij paraqet tanimë realitetin e hidhur shqiptar. Ai nuk trajton vetëm ikjen si ikje nga atdheu, por shkon përtej dhe sjell të dhëna interesante edhe nga e kaluara, raporton “Epoka e re”.

Mes të tjerash, profesori shkruan:

“Shqiptarët këtë mynxyrë e përjetuan më rëndë se të tjerët. Fatin e patën të tillë, gjithmonë nopran, që ua hodhi me të pabesë. Ikja e tyre qe e dhunshme dhe masive. Bukuria e trojeve të tyre të begata u bë kob për vetveten. Të gjithë e lakmonin dhe, kur u jepej rasti, vërsuleshin pamëshirshëm, si bisha të pangopura, duke i shqyer pjesë të dhimbshme nga shtati. Kështu, ata, nga zullumi e barbaria, u detyruan të iknin e të iknin, duke u tkurrur, sa u bën lëmsh e tërkuzë në cepin e poshtëm të Ilirisë hirplote”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook prof. Bedri Tahiri.

Shkrimi i plotë:

MOS IKNI NGA ATDHEU!

I K J A

Një fjalë vetëm me katër shkronja: IKJA. E vogël në të parë, por me domethënie shumë të madhe në jetë. Ka lloj-lloj ikjesh. Ikje nga rreziku. Ikje nga e keqja. Ikje nga fatkeqësia. Ikje nga beteja. Ikje nga belaja. Ikje nga shtëpia. Ikje nga shkolla. Ikje nga puna. Ikje nga marrëzia. Ikje nga vdekja. Ikje e ikje…
Dhe, që të gjitha këto, kur ua gjurmon gjenezën, ndoshta disi edhe mund të arsyetohen.
Po ikja nga atdheu?!
Ah, të keqen vëllai, kjo është histori në vete që kërkon studim më të hollësishëm. Po, po, studim analitik, përmbajtjesor, psikologjik e sociologjik. Një fenomen i vjetër sa vetë njerëzimi. Zë fill qysh me dëbimin e Adamit e Evës nga parajsa. Paskëtaj, pasuan: ikjet kolektive e individuale, të dhunshme e të vullnetshme, të largëta e të afërta, të kthyeshme e të pakthyeshme, normale e jonormale…
Shqiptarët këtë mynxyrë e përjetuan më rëndë se të tjerët. Fatin e patën të tillë, gjithmonë nopran, që ua hodhi me të pabesë. Ikja e tyre qe e dhunshme dhe masive. Bukuria e trojeve të tyre të begata u bë kob për vetveten. Të gjithë e lakmonin dhe, kur u jepej rasti, vërsuleshin pamëshirshëm, si bisha të pangopura, duke i shqyer pjesë të dhimbshme nga shtati. Kështu, ata, nga zullumi e barbaria, u detyruan të iknin e të iknin, duke u tkurrur, sa u bën lëmsh e tërkuzë në cepin e poshtëm të Ilirisë hirplote.
Edhe kjo sikur nuk mjaftoi. Lëvozhga e tendosur e kësaj Mbretërie të zvogëluar skajshmërisht, nuk arriti t’i mbajë zogjtë e vet. Ajo u çjerr nga brenda e nga jashtë dhe ikjet vazhduan. Në çdo kohë e në çdo periudhë. Nga zori e nga qejfi. Për mirë e për keq. Vetëm e me familje. U degdisën larg e larg. Një farë shpërndarëse që u quajt Diasporë. Një emër jo i këndshëm, mbase edhe përbuzës e fyes. Kohëve të fundit, besa edhe në fillimet e hershme, është parapëlqyer pagëzimi Mërgatë e Mërgimtarë.
Sidoqoftë, ata gjalluan e mbijetuan faqebardhë, duke ruajtur për mrekulli qenësinë kombëtare e duke u bërë pjesë e pandarë dhe shumë e rëndësishme e mëmëdheut.
Ikjet na përcollën edhe më vonë. Për këtë u hartuan edhe elaborate e u nënshkruan konventa. Ato kulmuan gjatë luftës sonë të fundit çlirimtare në Kosovë. Një ikje biblike që tmerroi botën e civilizuar. Gjithë arsenali luftarak i një perandorie të quajtur Jugosllavi u zbraz në Kosovë dhe, natyrisht, popullata vendëse u shtrëngua ta marrë botën në sy. U boshatis sa nuk mbahej mend ndonjëherë tjetër. Shumica vajtën tek vëllezërit, në Shqipëri e në Maqedoni. Brenda ngelën luftëtarët e lirisë që i bënin ballë kësaj lubie shfarosëse dhe pak familje që lëviznin nën hijen e vdekjes. Veçse, edhe kthimi i tyre në vatrat e bëra shkrumb e hi, qe mahnitës, u bë jashtë çdo parashikimi, saqë bota ngeli gojëhapur.
Po ikja e sotme?!!!
Kjo, vërtet është një kafshatë migjeniane që nuk kapërdihet dot. Sot, dy dekada e ca pas çlirimit, kur kemi Shtetin dhe Pavarësinë, e gjithë kjo zbrazje si me gurgule, nuk mund të përthekohen me mendjen e atij që ka dy kokrra mëndë në kokë.
Dorën në zemër, Dita e Bardhë, nuk solli gjithë ato që i pritëm. Dhe, lindën edhe pakënaqësi e zhgënjime. Edhe shkaktarët po dihen hapur: varfëria, papunësia, mos perspektiva e të rinjve, në njërën anë dhe, pasurimi, depërtimi e mospërfillja e disave që, siç shprehej një rilindës yni, të pa brekë i gjeti nata e milionerë i çeli dita, në anën tjetër.
Mirëpo, varfëria të rrezmit, por nuk të korit, thotë populli ynë përvojëhidhur. Apo ta kujtojmë Çajupin tonë të madh që thoshte, më e ëmbël balta se mjalta! Jo, more nuk ka nevojë të lodhemi aq shumë e të shëtisim nëpër histori. T’i kujtojmë djemtë e vashat tona që lanë luksin perëndimor dhe rrokën armët e erdhën me i dalë zot atdheut të sakatuar. Me gjakun e tyre mbëltuan lirinë që ne sot po e gëzojmë, por edhe po e nëpërkëmbim, po e përbuzim, po e braktisim. Edhe ne jemi me hallet e atyre që ia kthejnë shpinën trojeve të veta, por, më e madhe është gjëma e mëkatit ndaj gjithë atyre sakrificave që sollën lirinë e pritur me sheku
Andaj, mos ikni! Qëndroni, se do të bëhet mirë!
Vallë, çka ua merr mendja, a do të lejonte një gjë të tillë Serbia, po të ishte në të mirën tonë?! Kurrë e kurrë! Ajo është mplakur vetë dhe ashtu kërcure e do edhe vendin tonë. Ardhmëria e çdo vendi është rinia, atëherë ç’na duhet Kosova, pa ardhmërinë tonë? Asgjë fare! Politika e saj perfide reflekton përtej kodrash. Karremi i hedhur, për lumturi përrallore përtej atdheut, është shndërruar në një verbëri të babëzitur. Një ëndërr e parealizuar. Rrushi sheh rrushin dhe piqet. Dikur, po kjo Serbi, na rrihte, na burgoste, na torturonte, na vriste, na digjte, vetëm e vetëm që të iknim larg, e ne, përkundrazi, qëndronim të palëkundur në vatrat tona stërgjyshore. E sot, mjerisht, po ngjet e kundërta!
Obobo, sa keq!
Mjerim fare!
Kjo është një kambanarë që duhet të tingëlloi ashpër në ndërgjegjen a atyre që kanë mundësi të bëjnë diç në parandalimin e këtij kataklizmi mbytës. Aman, aman, një e keqe, që në heshtje e pa shumë zhurmë, po na gërryen si kanceri, e sikur nuk po i bëjmë turr vençe e pa hile që ta ndalojmë.
Nesër, sigurisht, do të bëhet vonë dhe, kot, mund të çirremi:
Ore, po ku ishim dje?!

Profesori Tahiri shquhet për stilin e veçantë të të shkruarit. Ai është autor i shumë librave dhe fitues po aq edhe i çmimeve për letërsi./Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behgjet Pacolli ka bërë me dije se ka marrë komplimente…