IKShP-ja: Nuk ka më epidemi të gripit sezonal në Kosovë

11 prill 2019 | 15:39

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShP) ka njoftuar se prej datës 1 prill deri më 4 prill janë raportuar 1.913 raste ILI, 148 raste ARI dhe gjashtë raste SARI.

Sipas IKShP-së, rastet e lehta raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës.

“Nuk ka më epidemi të gripit sezonal në Kosovë. Javën e fundit janë shënuar 1 913 raste të lehta në tërë Kosovën. Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit, IKSHPK, deri sot janë testuar gjithsej 1 104 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 452 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A (pozitiviteti 40.9 për qind). Sipas subtipit 375 mostra Influencë A e pasubtipizuar dhe 76 mostra rezultojnë pozitive në sub-tipin AH1pdm09 dhe një mostër rezulton pozitive në AH3”, është thënë në njoftimin e IKShP-së.

Bëhet me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë hospitalizuar gjashtë raste me Dg.Bronchopneumonia (ARI) dhe dy raste me Dg.Status Griposus.

“Deri sot nga Klinika Infektive janë raportuar tetë raste të vdekjes të konfirmuara me Influencë AH1N1 dhe 16 raste me influenza A. Pacientët e sëmurë kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal. Vaksinimi i gjertanishëm në Kosovë ka treguar një efikasitet dhe ulje të rasteve të hospitalizuara”, është theksuar në njoftimin e IKShP-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur të enjten mbledhje…