IKShP-ja rekomandon që nxënësit me simptoma të gripit të qëndrojnë në shtëpi

09 shkurt 12:30

 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) ka bërë me dije të enjten se ka intensitet të shtuar të rasteve të gripit sezonal në gjithë territorin e Kosovës.

“Gjatë javës së pestë të vitit 2018 në Kosovë janë raportuar 6 451 raste të gripit, që paraqet rritje prej 55.5 përqindësh krahasuar me javën e kaluar, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje të numrit të përgjithshëm të rasteve. Nga 1 tetori i vitit 2017 deri më 2 shkurt 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 31 383 raste të dyshimta në grip (ILI)”, është thënë në njoftimin e IKShP-së.

Sipas këtij institucioni, në laboratorin e Qendrës Kombëtare të Gripit deri më 7 shkurt 2018 janë testuar gjithsej 322 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip.

Prej tyre 165 ose 51 për qind kanë rezultuar pozitive në influencë, prej të cilave 66 mostra janë pozitive në influencën A (1 rast A (H1) dhe 99 në influencën B (48 raste janë B subtipi Yamagata).

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka kërkuar nga ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë që t’i njoftojë të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private), se të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja dhe simptoma të gripit (temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut.

IKShP-ja u ka rekomanduar qytetarëve të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorin sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Sipas IKShP-së, të gjithë personat që ndihen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për t’i parandaluar komplikimet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, njofton të gjithë pensionistët…