Iku një vit kur kaloi në përjetësi baca i madh, Adem Demaçi

26 korrik 10:57

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Të verbër në mendje, të çalë në veprime: Thuhet se në këtë botë jemi kalimtarë dhe shtegtarë të rastit, por se të gjithë e kemi të përcaktuar një rol dhe një mision duke lënë një gjurmë, pozitiv a negativ, varet nga veprat që i lëmë pas. Në shumë raste gjurmët janë të përkohshme, mbesin brenda një rrethi të mbyllur familjar dhe, me kalimin e kohës, zbehen duke u shndërruar në shifra të një gjenealogjie familjare. Ndërkaq, në raste të veçanta dhe për personalitete të veçanta, veprat janë përcaktuese për përjetësinë e tyre pavarësisht prej ndryshimeve që bëhen, proceseve historike apo shoqërore nëpër të cilat kalohet, si për personalitete, vepra arti dhe kulture, zbulime shkencore e deri edhe te bota animale. Edhe këtu vlen rregulli se vepra mund të jetë negative apo pozitive, por se e fiton përjetësinë. Edhe sot flitet për Neronin.

Kaligulën, Xhingis Kanin, Hitlerin, Musolinin, Stalinin, Leninin, Dr. Mengelen, Sllobodan Millosheviqin, Arkanin, Sheshelin dhe personalitete të tjera që kanë bërë shumë krime, por se janë bërë pjesë e pandashme e mosharresës njerëzore, historike, shoqërore, politike dhe morale. Flitet gjithashtu edhe për kalin e Kaligulës që u bë senator në Senatin e Romës, Gomarin e Buridanit, Gralin e Shenjtë etj. Flitet për shkak të përjetësisë edhe për veprat e Da Vinçit, veprat e Pikasos, Guernikën, Kullën e Pizas, Murin Kinez, bibliotekën e Aleksandrisë, Aja Sofia, Piarmidat në Egjipt, Kullën e Ajfelit, Kanalin Grande, Ujëvarat e Nijagaras, Statujen e Lirisë etj. Janë të pavdekshme veprat e Moxartit, Betovenit, Çajkovskit, Ravelit, Shtrausit sikur edhe interpretimet e Luçano Pavarotit, Andrea Boçellit, Edit Piaf, Domeniko Modunjos, Mirej Matje, Hulio Iglesias, Selin Dijone etj.

Gjithashtu, të pavdekshëm janë edhe Gabi Markez, Paulo Koelho, Dostojevski, Tolstoj, Pushkini, Hemingueji, Tomas Man, Onore de Balzak, Servantes etj. Të paharrueshëm janë Martin Luter Kingu, Nelson Mandela, Mahatma Gandi etj. Në anën tjetër, edhe zhvillimet, proceset dhe zbulimet që kanë pasur pasoja katastrofike për njerëzimin janë bërë pjesë e përjetësisë si: Kryqëzatat, Koha e Inkuizicionit, shkatërrimi i civilizimeve dhe veprave artistike, kulturore, fetare etj. (shkatërrimi i civilizimit të Majave dhe Inkave, përndjekja e të mençurve gjatë inkuizicionit, zbulimi i dinamitit nga Alfred Nobeli, zhdukja e insianëve në Amerikë, bombat atomike mbi hiroshimën dhe Nagasakin, luftërat ballkanike dhe botërore et.). Këto që i përmenda më lart kanë karakter global, ndërsa çdo popull ka personalitete dhe procese me rëndësi lokale, rajonale dhe globale.

Shqiptarët, si një popull i vogël dhe thuaja tërë kohën i robëruar, nuk kanë pasur edhe aq shumë personalitete që e kanë vulosur kohën kur kanë jetuar dhe kanë vepruar pas së cilës janë bërë pjesë e përjetësisë. Përmenden prijësit e ilirëve si Agroni, Teuta dhe Pirroja pas të cilëve është një errësirë e madhe kohore, deri te koha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Janë të dalluar shqiptarët që kanë kontribuar për popujt e tjerë sikur disa papë të Vatikanit, Sami Frashëri, Arkitekt Sinani, Vaso Pasha, Mbreti Faruk, Kemal Ataturku, Ismail Qemali, Hasan Prishtina etj.

Ndërkaq, personalitetet kryesore që me vetëflijimin e tyre kanë siguruar përjetësinë duke u bërë pjesë e Panteonit të personaliteteve të pavdekshme botërore janë: Mësuesi, Ideologu, Strategu dhe Frymëzuesi për liri njerëzore dhe kombëtare, Baca i Madh, Adem Demaçi sikur edhe i Pavdekshmi, Komandanti Legjendar Adem Jashari. Këta janë personalitetet që e vulosën kuptimin e lirisë dhe e legjitimuan sakrificën sublime për këtë çështje duke i vënë çmim lirisë jetën e tyre, pa lënë asnjë mundësi tjetër. Investim kapital, për një qëllim kapital siç është liria dhe e drejta për të jetuar në një shtet.

Bacë Adem Demaçi në rrafshin ndërkombëtar është shpirti binjak i Nelson Mandeles, gjithmonë kur përmendet Mandela në luftë kundër aparteidit, përmendet edhe Bacë Adem Demaçi si luftëtar i pakompromis për fjalën e lirë, lirinë e shprehjes, luftën për çlirim kombëtar dhe njerëzorë sikur edhe për mbrojtjen e atyre që ishin rrezikuar për shkak të përkatësisë etnike, fetare, bindjeve politike etj.

Të shohësh me sy nuk do të thotë se nuk jeni i verbër në mendje. Edhe nëse i keni gjymtyrët e shëndosha nuk do të thotë se nuk çaloni apo nuk vendnumëroni nëse këtë gjendje nuk e shfrytëzoni për organizim, veprim dhe ecje para, drejt ardhmërisë. Është një dallim i madh midis të shohësh atë që shihet dhe të parashohësh atë që nuk duket, ta përshkruash gjendjen ekzistuese apo të parashohësh diçka që duket e padukshme dhe që, për realistët, është diçka që nuk llogaritet si normale.

Pak janë ato personalitete që e kanë këtë dhunti, mbase edhe të lindur dhe kanë paguar çmim të lartë, edhe me jetë, këtë vlerë që e kanë dhe të cilën e mbrojnë në çdo kohë dhe me çdo çmim. I tillë ishte Baca Adem Demaçi prandaj në shumë raste dhe në shumë procese mbetej si “Mohikani i Fundit”. Jo që nuk gjente përkrahje, por se anatemohej deri në linçim publik! Nuk mbeti kush pa e sulmuar dhe pa e dënuar; nga regjimi jugosllav dhe serb, shkaku se e këndonte këngën e lirisë në kohën kur liria kishte tjetër kuptim dhe për disa ishte robëri, kurse për disa të tjerë liri, e sulmuan dhe e kryqëzuan “demokratët e rinj” apo të konvertuarit nga Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Jugosllavisë, tash me akronimin LDK për faktin se e kundërshtonte “rezistencën paqësore të hamëshorëve të tredhur”, e kundërshtuan shkaku i Rambujesë sepse tha se kjo Konferencë nuk është e duhura për shqiptarët, e sulmuan dhe “miqtë” ndërkombëtarë sepse nuk deshi ta barazojë UÇK-në me Tigrat e Arkanit duke e cilësuar si paramilitare dhe terroriste.

“Shokët e burgut dhe të luftës” ia mbyllën të gjitha rrugët dhe mundësitë për ta përmbushur misionin politik dhe kombëtar duke ia siguruar margjinat, kurse për vete ndanë skenën kryesore në përpjekje të luajnë një rol kryesor, ndërkohë që u vërtetua të jenë mashtrues ordinerë dhe “artistë të çastit”. Gjatë sëmundjes mbeti kryesisht nën përkujdesje të familjes dhe të madhështores Arbërie Demaçit, ndërkohë që vizitohej nga shokët e vijës së parë të frontit që asnjëherë nuk iu ndanë, Ilmiut (Reçica), Llapqinit (Nuhi Ahemti), Dul Tarakut (Abdullah Dërgutit), Doktorit (Haki Gashit), Baralecit (Besim Baraliu), Nakut (Binak Dinaj), Zhidovit (Tahir Hani), Rrumullakut (Basri Ibrahimit) dhe derisa vdiq, edhe nga Qali (Sashivar Makolli). Të tjerët e vizituan në çaste të caktuara kur deshën që edhe nga ajo gjendje shëndetësore e Bacës të përfitojnë e që është mjerim moral dhe ndryshk njerëzor. Procesi i varrimit të Bacës Adem ishte mjerim i llojit të vet sikur edhe protagonizëm i personave të cilët për së gjalli Baca nuk i duronte afër.

Pastaj, një kohë vendi ku prehet Baca i Madh i Popullit Shqiptar, Adem Demaçi, ishte shndërruar në vendparkim, pa pagesë i automjeteve dhe kamionëve kurse më vonë aty u vendosën edhe dy varre të tjera, të Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës, pa pëlqimin e familjes, pa pëlqimin e shokëve të Bacës dhe, pa asnjë dyshim, ky veprim ishte i motivuar politikisht sikur që kishte qëllime manipulimi.

Tash, në sheshin afër Shkollës së Mjekësisë, i emërtuar Sheshi “Adem Demaçi”, është paraparë të ngrehet një shtatore e Bacës Adem e cila duket të jetë e kundërta e personalitetit të Bacës. Në çdo vend normal vlerat njerëzore, kombëtare, morale dhe politike mbrohen me ligj ani pse personalitetin e vërtetë e mbron vepra. Te ne, në kohën e horrave dhe korbave bëhet e kundërta, mbrohen dhe institucionalizohen antivlerat e ndryshkura, ndërkaq margjinalizohen apo hijezohen vlerat e vërteta.

Është ironi e cila përkufizohet me çmendurinë fakti se pikërisht dy figurat emblematike të shqiptarisë që i dhanë përmbajtje dhe kuptim lirisë, Adem Demaçi dhe Adem Jashari, më së shumti janë sulmuar nga vetë shqiptarët apo ata që kanë folur shqip, ndërsa kanë menduar me gjuhën e interesit material dhe personal duke mbrojtur qëndrimet e atyre që i kanë persekutuar me shekuj të gjithë ata që kanë luftuar për lirinë e popullit që i kanë takuar, por që nuk e kanë shkelur lirinë e të tjerëve. Adem Demaçi ishte, është dhe do të jetë personalitet që nuk i ka takuar askujt përveç çështjes së kauzës kombëtare dhe luftës për liri. Askush nuk mund të ketë pronësi mbi veprën e Adem Demaçit sepse është vepër që i tejkalon këto interesa dhe vepra e Bacës Adem Demaçi është pronësi e gjithë njerëzimit, është hipotekë botërore dhe çdo përpjekje për ta individualizuar veprën dhe personalitetin e Adem Demaçit paraqet mjerim moral dhe shpërfillje të interesave kombëtare.

Në vjetorin e parë të shkuarjes në amshim të Bacës Adem Demaçi kemi një situatë kur duhet të përballemi, së pari me veten tonë, pastaj edhe me të tjerët në raport me Bacën Adem. Baca Adem është në një botë ku takohet me ata që i ka respektuar, nga të cilët është frymëzuar, prej të cilëve ka mësuar dhe me të cilët është sakrifikuar.

Është bashkë me Skënderbeun, me Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Ismail Qemalin dhe rilindësit liridashës. Është bashkë me Azem dhe Shotë Galicën, Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën, me Gjon Serreçin dhe Marie Shllakun, Rifat Berishën dhe Hoxhë Idriz Gjilanin, Shaban Shalën dhe Fazli Grajçevcin, me Dedë Gjo Lulin dhe Jakup Ferrin, me Çerçiz Topullin dhe trimat e Sulit, mr. Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, me Tahir dhe Nebih Mehën, me Adem, Hamëz, Shaban dhe Jasharët e martirizuar, me ata që i deshi shumë si Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, me Remzi Ademajn, Shkëzen dhe Luan Haradinajn, Hafir Shalën si dhe Xhavit Hazirin. Është me të gjithë ata që u sakrifikuan për këtë copë lirie që e kemi dhe që po e shpërdorojmë dita-ditës. Aradhes së atyre që Baca Adem i respektoi shumi iu bashkua edhe shkrimtari dhe kamxhiku kundër mashtrimit, injorancës dhe vlerave të rreme, Rexhep Hoxha.

Ka përpjekje që të minimizohet vepra dhe personaliteti i Bacës Adem Demaçi nga ata që duan të bëjnë karrierë politike, nga disa skribomanë që duan të shiten si pronarë të së vërtetës për Bacën përmes disa pamfleteve të shkruara, nga disa që duan ta pastrojnë të kaluarën e tyre të ndyrë njerëzore dhe kombëtare apo këta të tashmit që duan ta përdorin Bacën si mburojë nga punët e liga që i bëjnë. Mirëpo, është e dëshmuar se kurrë nuk ka ndodhur që luanin ta veshin me lëkurë qeni sikur që as qyqja nuk ka kënduar me zërin e bilbilit. Dhe nuk do të ndodhë!

Dikush prej shokëve, Ilmiu apo Hakiu, thanë një ditë se me ikjen e Bacës Adem në amshim na është mbyllur një derë dhe mundësi të bashkohemi. Mund të jetë edhe e vërtetë por, nëse na është mbyllur një derë, në njërën anë, në anën tjetër Baca na ka lënë një rrugë të madhe kah duhet të shkojmë në aspektin njerëzor dhe kombëtar. A jemi në atë rrugë apo, siç thoshte Baca, kemi hyrë lakrave. Secili e vlerëson për vetën e vet.

Riformatizimi i UÇK-së: Baca Adem u prish me tërë botën shkaku i UÇK-së. E mbrojti kur fasulja hahej kokërr-kokërr. Nuk mund të vepronte ndryshe sepse nuk mund ta mohonte veten dhe rrugëtimin familjar dhe personal. Se Baca Adem ishte shumë largpamës dhe parashikues tregon fakti se pas përfundimit të luftës pati thënë se “nuk do të mbetet askush pa u koritë” dhe se do të vijë një kohë që këta që kanë mbetur gjallë (luftëtarët e UÇK-së) do t’ua kanë lakmi atyre që kanë rënë në betejat e nderit. Dhe kjo kohë duket se ka ardhur. Gjykata Speciale po e bën formatizimin e UÇK-së duke i thirrur, si të dyshuar, bartësit kryesorë të luftës çlirimtare.

Po e formon një UÇK të re, jo për të luftuar, por për t’i futur në burg. Madje, më shumë ushtarë dhe komandantë të UÇK-së janë ftuar para kësaj gjykate se që ka pasur në formimin e hershëm të UÇK-së. Ndoshta edhe ty, Baca Adem, Gjykata Speciale ta dërgon një ftesë. Dhe mirë bën nëse ta dërgon ftesën sepse, edhe nga varri më mirë do ta mbrosh luftën çlirimtare se disa prej tyre që i kanë lëshuar brekët para se të shkojnë në gjykatë. Luftën çlirimtare nuk mund ta mbrojnë ata që nuk lanë pa bërë të gjitha të zezat pikërisht në emër të luftës dhe nuk e bëjnë dallimin midis erës së barotit dhe erës së m..it sepse kurrë nuk kanë qenë në luftë për ta dëgjuar erën e barotit kurse erën e m..t e kanë dëgjuar sa herë që kanë dëgjuar për luftën për faktin se i kanë mbushur brekët në mënyrë automatike. Në këto kohë pa kohë, Bacë, spiunimi dhe denoncimi është bërë mënyrë e të jetuarit dhe letër njoftimi, si nga ata që e kanë pasur traditë e që janë në të gjitha segmentet e shtetit dhe të pushtetit, deri te këta të rinjtë që, për ta shpëtuar lëkurën dhe bythën, e kanë përvetësuar këtë punë të ndyrë.

Krenarë që jetuam dhe u përpoqëm të veprojmë në kohën tënde, me mësimet tuaja, nën urdhrin tënd dhe në rrugën tuaj dhe të turpëruar nëse dalim jashtë këtyre parimeve!

Shokët tuaj që nuk t’u ndanë kurrë dhe që ende, së paku e ruajnë kujtimin për ty: Ilmiu, Binaku, Nuhiu, Duli, Tahiri, Basriu, Hakiu dhe Besimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një javë pas dorëheqjes nga pozita e kryeministrit, Ramush Haradinaj…