Impresione nga dita e parë e Samitit të Diasporës

04 mars 2019 | 10:58

Prof. Lisen Bashkurti

Po mbahet Samiti i dytë i Diasporës Shqiptare. Është një ngjarje me shumë rëndësi që buron nga vlera e jashtëzakonshme që ka diaspora shqiptare për kombin, popullin dhe shtetin shqiptar. Përgjithësisht është për t’u përshëndetur një iniciativë e tillë. Ndonëse nuk kanë munguar edhe kritikat e shumta lidhur me formatin, me kohën dhe me shpenzimet publike të bëra për mbajtjen e tij.

Konfuzion rreth definicionit ‘diasporë’

Pa u bërë as pjesë e tifozëve për dhe e kritikëve kundër, mua ma tërheqin vëmendjen disa aspekte që lidhen me keqkuptimin ose më saktë me keqpërdorimin e përcaktimit diasporë në Samit. Definicioni ose përcaktimi shkencor i termit ‘diasporë’ është qartësuar nga shkencat shoqërore shumë kohë më parë. ‘Diasporë do të thotë një grup i madh njerëzish me lidhje të ngjashme trashëgimie ose atdheu, i cili është larguar nga vendi i tij për t’u vendosur anembanë botës’. Keqkuptimi ose abuzimi me termin diasporë më tërhoqi vëmendjen nga dy aspekte kryesore të Samitit: nga pjesëmarrësit dhe nga fjalimet kryesore që u mbajtën.

Lidhur me pjesëmarrësit mendoj se ishte bërë mirë që ishin ftuar shqiptarë të shumtë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Por, referuar definicionit shkencor të termit diasporë, asnjëri nga këto grupe shqiptare të ardhur nga Ballkani Perëndimor nuk bëjnë pjesë në kategorinë ‘diasporë’, sa kohë ato nuk janë të larguar nga trojet e tyre diku gjetkë nëpër vende të huaja në botë.

Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës janë shqiptarë etnikë në origjinën e tyre dhe autoktonë në trojet e veta. Me fjalë të tjera janë grupe njerëzish me të njëjtën trashëgimi origjine dhe vazhdues në të njëjtat troje të tyre etnike. Konsiderimi i shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, nën definicionin ‘diasporë’, është shkencërisht e pasaktë dhe politikisht e gabuar.

Fjalimet, agjenda politike, jo agjenda diaspore

Lidhur me fjalimet kryesore që u mbajtën nga kryeministri i Shqipërisë, Rama dhe presidenti i Kosovës, Thaçi, mund të thuhet se të dy ishin të një goje, njëkohësisht në një dizakord të përbashkët. Të dy luajtën në një akord të përbashkët politik dhe të dy dolën jashtë akordit të përbashkët ‘diasporë’. Akordi i përbashkët politik u duk në ngritjet e toneve nacionaliste nga të dy. Kryeministri Rama hodhi ‘tezën retorike bajate’ të bashkimit shqiptar. Presidenti Thaçi u betua dhe përbetua se ‘copëtimi i kufijve të Kosovës mund të ndodhte vetëm nëse kalohej mbi trupin e tij’.

Dukej nga kushdo që këto ide dhe tone nacionaliste të panatyrshme, të panevojshme dhe të padobishme, ishin të sinkronizuara dhe u bënë për qëllime konjukturale: Rama për ta larguar vëmendjen nga kriza politike, ekonomike dhe sociale e brendshme dhe nga akuzat për përzierje në negociatat për copëtimin e Kosovës; Thaçi për ta rikuperuar imazhin e vet të rrënuar, të shkaktuar nga tezat e tij për ‘korrigjim’, ‘ndryshim’, ‘shkëmbim’, apo ‘korrigjim të lehtë’ të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy liderët abuzuan mjedisin e diasporës për agjendat dhe përgjegjësitë e veta politike personale.

Ndërsa dizakordi i përbashkët i të dy folësve lidhej me anashkalimin e çështjeve themelore të diasporës shqiptare në botë dhe marrëdhënieve të saj me shtetet amë. Këto çështje kanë të bëjnë me ngushtimin e distancave midis diasporave dhe shteteve amë, me vendosjen e urave përfaqësuese dhe participuese të diasporave në jetën e brendshme të shteteve tona, me rritjen e kontributeve të shteteve amë për nevojat e diasporës, me veprime të sinkronizuara strategjike shtet-diasporë dhe me forcimin e identitetit kombëtar dhe ngritjen e reputacionit të kombit shqiptar në botë. Të dy liderët i anashkaluan nga fjalimet e tyre këto çështje specifike të diasporës. Zhurmat nacionaliste lanë në hije qëllimet kryesore për të cilat duhet të shërbejnë samite të tilla për diasporën.

Të mos harrojmë se ky është Samiti i Dytë i Diasporës. Kjo presupozon, para se gjithash, të bëhet një bilanc mbi punën e bërë, me arritjet, sukseset dhe dështimet. E më tutje të përpilohen strategji, prioritete, plane veprimi, masa konkrete, institucione dhe burime njerëzore e financiare në zbatim të tyre. Këto janë impresionet e ditës së parë të Samitit. Le të shpresojmë se dita e dytë do të jetë më frytdhënëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interi ka arkivuar një humbje të dhimbshme ndaj Caglarit, ku…