Iniciativa për tribunalin ndërkombëtar për krimet serbe duhet të mbështetet

08 maj 2019 | 15:02

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe Australi, Sabri Kiçmari, i ka dhënë mbështetje iniciativës për themelimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet serbe në Kosovë.

Profesori universitar ka thënë se kjo iniciativë, ndonëse është e vonuar, duhet të mbështetet.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se trajtimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është një obligim.

“Është një iniciativë e vonuar, por që duhet mbështetur. Në fakt, Kosova ka dështuar në trajtimin me seriozitet dhe kompetencë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Kam përshtypjen se është neglizhuar një gjë e tillë. Ata që e kanë udhëhequr sistemin tonë të drejtësisë janë përgjegjësit kryesorë që nuk është bërë një gjë e tillë. Trajtimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është një obligim. Ata që kanë kryer krime duhet të identifikohen, arrestohen, gjykohen dhe dënohen”, ka thënë Kiçmari.

A ka treguar se për ta bërë realitet një tribunal të tillë, Kosovës i duhet ndihma e miqve ndërkombëtarë.

“Vendet tona mike, sidomos ShBA-ja, vendet e BE-së, Australia, Japonia, Kanada, Zelanda e Re dhe vendet e tjera demokratike, mund të jenë mbështetëse të kësaj iniciative. Ka nevojë për krijimin e grupeve profesionale të punës, me ekspertë nga fusha të ndryshme relevante, që të përgatitet një projekt serioz dhe premtues”, është shprehur ai, duke shtuar se varrezat masive në Kosovë dhe Serbi, masakrat e ndryshme dhe dhunimet, janë lehtë për t’u dëshmuar.

Sipas tij, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrah një tribunal të tillë, atëherë Kosova duhet të procedojë vetë një gjykatë speciale për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Nevojitet akt vendimmarrjeje institucionale, përzgjedhje kadrovike, ndarje buxhetore dhe punë profesionale e ekipore për të arritur sukses. Në rast se aktorët ndërkombëtarë nuk pajtohen, askush nuk e pengon Kosovën ta procedojë vetë një gjykatë speciale për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Në Izrael, Gjermani dhe vende të tjera, edhe pas disa deceniesh, janë vënë para drejtësisë ata që kanë kryer krime gjatë Luftës së Dytë Botërore. Krimi gjatë luftës nuk duhet harruar”, ka thënë ai.

Kiçmari ka folur edhe për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë se marrëveshja përfundimtare në mes të dy shteteve nuk duhet bërë ngutshëm dhe shkel e shko.

“Marrëveshja në mes të dy vendeve duhet të arrihet në interes të paqes dhe marrëdhënieve bilaterale. Ajo duhet të rezultojë me njohjen e ndërsjellë. Por, marrëveshja nuk duhet bërë ngutshëm dhe shkel e shko. Më mirë është të negociohet më gjatë sesa të arrihet një marrëveshje e shpejtë dhe e dobët, e cila nuk implementohet ose shkakton probleme, në vend që t’i zgjidhë ato”, është shprehur Kiçmari.

“Epoka e re”: Z. Kiçmari, sapo keni themeluar Institutin për Politikë të Jashtme të Kosovës. Çfarë ju shtyri ta themeloni këtë institut?
Kiçmari: Së bashku me një numër profesorësh dhe studiuesish të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare erdhëm në përfundim se politikës sonë të jashtme i mungon analiza shkencore. Ekspertët e politikës së jashtme janë vëzhgues të zhvillimeve, por nuk e kishin një forum në të cilin mund t’i shprehin pikëpamjet e veta për politikën tonë të jashtme, për zhvillimet ndërkombëtare dhe për diplomacinë. Vendi ynë po kalon zhvillime tepër dramatike në fushën e politikës së jashtme. Mendojmë se është detyrë e studiuesve ta thonë mendimin e tyre në rrafshin shkencor në lidhje me këto zhvillime.

“Epoka e re”: Në këtë muaj keni paraparë edhe organizimin e një konference shkencore. Cili është qëllimi i saj?
Kiçmari: Konferenca “Politika e jashtme e Kosovës në këndvështrim shkencor” do të mbahet më 23 maj. Në të do të analizohen sfidat e Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe refleksionet e tyre në politikën e jashtme, raportet e Kosovës me shtetet e tjera, procesi i njohjes dhe vështirësitë me të cilat po përballet Republika e Kosovës në këtë proces, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, procesi i integrimit të Republikës së Kosovës në BE, NATO dhe organizata ndërkombëtare etj. Përmes një debati të mirëfilltë shkencor do t’i shqyrtojmë mundësitë, interesat, qëllimet dhe mjetet e politikës së jashtme të Kosovës dhe do të propozojmë edhe rrugë konkrete për realizimin e tyre.

“Epoka e re”: Dialogu me Serbinë mbetet një prej sfidave kryesore të politikës së jashtme të Kosovës. A po veprojnë institucionet e Kosovës si duhet në raport me këtë proces?
Kiçmari: Kosova dhe Serbia janë vende fqinje. Të dy vendet kanë interes të komunikojnë dhe zgjidhin problemet që ekzistojnë mes tyre. Dialogu në marrëdhëniet në mes të vendeve fqinje është rrugë racionale dhe e logjikshme. Por, në dialog janë bërë disa gabime themelore: Gjykata Kushtetuese, me të drejtë, hodhi poshtë marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, fusnota ishte një kompromis absurd, kurse që nga vera e vitit të kaluar u hodh në diskutim publik mundësia e shkëmbimit të territoreve, e cila u shpreh me fraza të ndryshme politike. Shqetësuese është gjuha tregtare, përmes së cilës u operua në rrafshin publik: Vuçiqi arsyetohej se “Kosova nuk mund të fitojë gjithçka e Serbia asgjë”, kurse te ne dikush fliste për “dhuratën e Rankoviqit”. Kjo nuk është gjuhë politike. Nëse lexohen me kujdes të dyja këto fraza, prapa tyre fshihet logjika tregtare, duke e konsideruar territorin si mall, të cilin duhet fituar, ose si dhuratë, të cilën duhet refuzuar. Marrëveshja në mes të dy vendeve duhet të arrihet në interes të paqes dhe marrëdhënieve bilaterale. Ajo duhet të rezultojë me njohjen e ndërsjellë. Por, marrëveshja nuk duhet bërë ngutshëm dhe shkel e shko. Më mirë është të negociohet më gjatë sesa të arrihet një marrëveshje e shpejtë dhe e dobët, e cila nuk implementohet ose shkakton probleme, në vend se t’i zgjidhë.

“Epoka e re”: Samiti i Berlinit duket se fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi i ka dhënë një kah tjetër. Tani të gjithë sytë i kanë kthyer kah Samiti i Parisit, në të cilin do të diskutohet vetëm për këtë proces. Cilat janë pritje e juaja nga ky samit?
Kiçmari: Në Samitin e Berlinit të dyja palët kanë marrë mesazhin e rëndësisë që ka pajtimi dhe gjetja e një marrëveshjeje në mes të dy vendeve për të ardhmen e tyre në BE. Kancelarja Merkel dhe presidenti Macron ua kanë ofruar palëve përvojën gjermano-franceze dhe, bazuar në këtë përvojë, u munduan t’i joshin me përfitimet që ka për Kosovën, Serbinë dhe vendet e rajonit nga një marrëveshje eventuale në mes të dy vendeve. Takimi i sotëm i kancelares Merkel me sekretarin e Shtetit të ShBA-së është shumë me rëndësi për dakordimin e hapave që duhen ndërmarrë. Është një zhvillim që përputhet me strategjinë diplomatike të aktorëve tanë, që gjithçka të jetë në pajtim edhe me aleatin tonë strategjik – ShBA-në. Samiti i Parisit pritet të jetë më konkret. Në të do të debatohet për hapat drejt zgjidhjes. Mund të supozojmë një ashpërsi të gjuhës, të asaj që në diplomaci quhet si vënia para shkopit dhe karotës: nëse pranoni këtë veprim, do të keni këto përfitime; në rast refuzimi, do t’i keni këto pasoja. Megjithatë, është ende herët të flitet për detajet. Shumica do të qartësohet në javët që vijnë.

“Epoka e re”: Kryeparlamentari Kadri Veseli tani ka marrë një iniciativë për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë. Si e keni parë këtë iniciativë?
Kiçmari: Është një iniciativë e vonuar, por që duhet mbështetur. Në fakt, Kosova ka dështuar në trajtimin me seriozitet dhe kompetencë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Kam përshtypjen se është neglizhuar një gjë e tillë. Ata që kanë udhëhequr sistemin tonë të drejtësisë janë përgjegjësit kryesorë që nuk është bërë një gjë e tillë. Trajtimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është një obligim. Ata që kanë kryer krime duhet të identifikohen, arrestohen, gjykohen dhe dënohen.

“Epoka e re”: Cilat janë gjasat që ky tribunal të bëhet realitet, dhe kush mund ta ndihmojë Kosovën në këtë drejtim?
Kiçmari: Vendet tona mike, sidomos ShBA-ja, vendet e BE-së, Australia, Japonia, Kanada, Zelanda e Re dhe vende të tjera demokratike, mund të jenë mbështetëse të kësaj iniciative. Ka nevojë për krijimin e grupeve profesionale të punës, me ekspertë nga fusha të ndryshme relevante, që të përgatitet një projekt serioz dhe premtues. Varrezat masive në Kosovë, varrezat masive të gjetura dhe ende të pagjetura në Serbi, masakra e Prekazit, e Reçakut dhe një numër masakrash të tjera, rasti i Ukshin Hotit, Xhavit Hazirit, Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit dhe shumë raste të tjera, dhunimi i rreth 20 000 femrave, janë lehtë për t’u dëshmuar. Nevojitet akt vendimmarrjeje institucionale, përzgjedhje kadrovike, ndarje buxhetore dhe punë profesionale e ekipore për të arritur sukses. Në rast se aktorët ndërkombëtarë nuk pajtohen, askush nuk e pengon Kosovën ta procedojë vetë një gjykatë speciale për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Në Izrael, Gjermani dhe vende të tjera, edhe pas disa deceniesh, janë vënë para drejtësisë ata që kanë kryer krime gjatë Luftës së Dytë Botërore. Krimi gjatë luftës nuk duhet harruar.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Klinë ka filluar asfaltimi i rrugëve kryesore të qytetit…