INSTAT: Mbi 245 mijë shqiptarë në varfëri të skajshme

28 maj 2026 | 08:10

Mbi 10% e popullsisë që jeton në Shqipëri është në vështirësi shumë të mëdha për të përballuar jetesën e përditshme sipas të dhënave nga databaza e INSTAT të rishikuara me censin e ri të popullsisë 2023.

Sipas të dhënave zyrtare të Anketës së Të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, përqindja e familjeve që deklarojnë se e sigurojnë jetesën me shumë vështirësi ka rënë nga 18.0% që ishte në vitin 2021, në 10.2% në vitin 2024.

Ky përmirësim statistikor nuk erdhi nga niveli i jetesës, po nga kalibrimi i të dhënave bazuar mbi strukturën e re demografike të Censit. Duke iu referuar të dhënave të reja aktualisht në Shqipëri janë rreth 245,015 individë që vuajnë nga varfëria e skajshme.

Treguesi u përllogarit përmes vetë-deklarimit dhe perceptimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve mbi të ardhurat e tyre.

Një familje në këtë fashë “jetoj më shumë vështirësi” nënkupton se ajo përballet çdo ditë me privime materiale tejet të mprehta.

Këta individë përjetojnë një pamundësi totale për të përballuar qoftë edhe një shpenzim minimal të papritur, siç mund të jetë një emergjencë shëndetësore apo një defekt i thjeshtë shtëpiak, duke qenë se nuk zotërojnë asnjë lloj kursimi.

Ky grup karakterizohet gjithashtu nga vonesa të vazhdueshme dhe të përsëritura në pagimin e faturave të detyrueshme utilitare si energjia elektrike, uji apo qiraja e banesës, duke bashkëjetuar vazhdimisht me ankthin dhe rrezikun e ndërprerjes së këtyre shërbimeve jetike për shkak të pamundësisë për të shlyer detyrimet në kohë.

Përtej faturave, varfëria e skajshme prek në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e ushqyerjes dhe shëndetit, ku familjet e këtij grupi shpesh detyrohen të kursejnë në nevojat më elementare biologjike.

Kjo do të thotë se ata e kanë të pamundur të sigurojnë një vakt të plotë me mish, peshk ose ekuivalentë të paktën një herë në 2 ditë, duke u mjaftuar me një dietë të varfër ushqimore. Gjatë muajve të dimrit, ky presion financiar transferohet te pamundësia për të mbajtur shtëpinë ngrohtë mjaftueshëm, çka ndikon direkt në shëndetin e fëmijëve dhe të moshuarve që jetojnë në këto mjedise.

Kjo pjesë e popullsisë e ka mjaft të vështirë të përballojë zëvendësimin ose blerjen e pajisjeve elektro-shtëpiake më bazike si një lavatriçe apo një frigorifer funksional.

Sipas të dhënave 245,015 shqiptarët shumë të varfër kërkojnë ndërhyrje të targetuara, pasi kjo shtresë e ka të pamundur të përfitojnë nga rritja e përgjithshme ekonomike e vendit pa pasur politika specifike mbështetëse. /Monitor

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qëllimi ka qenë që hapësira të sigurohet. Por veç pamjes që…