Institucionet Shëndetësore në Mitrovicë të përkushtuara në menaxhimin e pandemisë

18 janar 2022 | 11:46

Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, ka zhvilluar takime me drejtoreshën e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, dr. Teuta Fejza, me u.d të drejtorit ekzekutiv të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, dr. Luljeta Zhubi, si dhe drejtorin e QKMF-së, dr. Fevzi Sylejmani.

Qëllimi i mbajtjes së këtyre takimeve ishte përgatitja dhe koordinimi i punëve dhe veprimit ndërinstitucional për menaxhimin sa më të mirë dhe efikas të situatës me pandeminë Covid-19 në Komunën e Mitrovicës.

Nga këto takime është bërë me dije se institucionet shëndetësore në Mitrovicë janë të përgatitura dhe punëtorët shëndetësorë vazhdojnë të jenë të përkushtuar që edhe këtë valë të rritjes së numrit të rasteve të infektuar me Covid-19 ta përballojnë më efikasitet.

Sa i përket Kujdesit Parësor Shëndetësor në kuadër të QKMF-së po rifunksionalizohet qendra anti-Covid, me ç’rast pacientët me Covid-19 mund të marrin terapinë. Po ashtu është funksionale 24 orë linja telefonike në nr. 194, ku pacientët me Covid-19 mund të marrin këshillat dhe udhëzimet e nevojshme nga ana e profesionistëve shëndetësorë.

Njësia e Vaksinimit dhe Imunizimit në kuadër të QKMF-së është duke vazhduar me intensitet punën për vaksinim e popullatës me vaksinat anti-Covid, por edhe me vaksinat kundër gripit sezonal.

Pra, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare me të gjitha njësitë dhe kapacitetet e saj është e përgatitur për përballimin e kësaj situate.

Drejtoria Komunale për Shëndetësi iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të kenë kujdes në respektimin e masave për parandalimin e Covid-19, si dhe të vaksinohen me vaksinat anti-Covid.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kupën e Afrikës nuk mungojnë gafat dhe këtë gjë…