Interi dëshiron ta shkëmbejë Icardin me Dybalan

12 qershor 11:56

Interi shpreson se do të arrijë ta largojë Mauro Icardin nga skuadra gjatë afatit kalimtar të verës dhe më së shumti duan të arrijnë marrëveshje me Juventusin për ta shkëmbyer sulmuesin e tyre me Paulo Dybalan.

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, “Goal.com”, ka raportuar se trajneri i ri i Interit, Antonio Conte, nuk dëshiron ta ketë 26-vjeçarin në skuadër, ndërsa edhe bordi drejtues dëshirojnë ta shesin atë.

“Zikaltrit” janë duke e shtyrë kampionin e Serisë A, Juventusin, për ta shqyrtuar ofertën për shkëmbimin e Icardit me Dybalan, i cili ka pasur një rol më të vogël në skuadër të “bardhezinjve” pas transferimit të Cristiano Ronaldos verën e kaluar.

Dybala kishte qenë mjaft mbresëlënës gjatë sezonit 2017/18, ku kishte shënuar 22 gola. Mirëpo, ai këtë sezon ishte vendosur në një rol më të thellë në mesfushë për t’i bërë vend Ronaldos. Me këtë pozitë të re, ai i ka shënuar vetëm pesë gola.

Për Icardin është interesuar edhe Roma, që të martën e ka emëruar Paulo Foncesan në pozitën e trajnerit. Megjithatë, argjentinasi nuk është i entuziazmuar për këtë mundësi pasi që Roma nuk është kualifikuar për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka bërë me dije se gjatë 24…