Intertekstualiteti
David Lodge
“Duhet të përpiqemi ta tërheqim nga afër velën kryesore”, thashë. Hijet u larguan pa fjalë. Ata burra ishin fantazma të vetvetes dhe pesha e tyre në litar s’mund të ishte më shumë se pesha e një tufe fantazmash. Vërtet, nëse ndonjë velë është tërhequr nga forca e pastër shpirtërore, duhet të ketë qenë kjo velë sepse, nëse flasim drejt, në gjithë anijen nuk kishte muskuj të mjaftueshëm për këtë detyrë e lëre më ne mjeranët në kuvertë. Natyrisht unë e mora drejtimin e punës. Ata bridhnin pafuqishëm pas meje nga litari në litar, pengoheshin dhe gulçonin. U munduan si titanë. Punuam të paktën një orë në të dhe gjithë kësaj kohe universi i zi nuk lëshoi asnjë zë. Kur ana e veles u lidh qëndrueshëm, sytë e mi, të mësuar me errësirën, dalluan format e burrave të rraskapitur që binin mbi binarë, të rrëzuar në kapakë. Njëri ishte varur mbi kapstan, ngashërehej për frymë; dhe unë qëndrova mes tyre si kullë forcash, i papërshkuar nga sëmundjet ndieja vetëm sëmundjen e shpirtit tim. Prita ca kohë, luftoja kundër peshës së mëkateve të mia, kundër ndjenjës së padenjësisë dhe pastaj thashë:
“Tani, burra, të shkojmë në pupë dhe ta drejtojmë shtyllën kryesore. Kjo është gjithçka çfarë mund të bëjmë për anijen; dhe për pjesën tjetër ajo duhet të shfrytëzojë rastin”. / JOSEPH CONRAD, Vijë-hija (1917)
EKZISTOJNË SHUMË MËNYRA me anë të të cilave teksti mund t’i referohet një tjetri: parodi, pastish, jehonë, aluzion, citim i drejtpërdrejtë, paralelizëm strukturor. Disa teoricienë besojnë se intertekstualiteti është vetë kushti i letërsisë, se të gjitha tekstet janë të thurura nga indet e teksteve të tjera, pavarësisht nëse autorët e tyre e dinë apo nuk e dinë. Shkrimtarët e përkushtuar ndaj realizmit të stilit dokumentar tentojnë ta mohojnë ose ta ndrydhin këtë parim. Për shembull, Samuel Richardsoni kujtoi se kishte shpikur një lloj tërësisht të ri të fiksionit, që ishte krejt i pavarur nga letërsia e mëparshme, mirëpo lehtësisht dallojmë arketipin përrallor te Pamela (1740) kustorja ka të bëjë me një shërbëtore të virtytshme që martohet me padronin e saj pas shumë sprovash dhe vuajtjesh. Një roman tjetër i rëndësishëm anglez ishte ai i Henry Fieldingut, Joseph Andrews (1742), që fillon si parodi e Pamelës dhe përfshin ripërpunimin e parabolës së Samaritanit të Mirë dhe shumë fragmente të shkruara në stilin heroiko-komik. Me pak fjalë, intertekstualiteti është i mpleksur në rrënjët e romanit anglez, ndërsa në skajin tjetër të spektrit kronologjik, romancierët u treguan të gatshëm ta përdorin në vend se t’i rezistojnë, duke ricikluar lirshëm mitet e vjetra dhe veprat e mëhershme letrare, për t’i dhënë formë ose për t’i shtuar rezonancë paraqitjes së jetës bashkëkohore.
Disa shkrimtarë i tregojnë referencat e tilla në mënyrë më eksplicite se të tjerët. James Joycei njoftoi lexuesit duke e titulluar epin e jetës moderne dublinase Uliks, Nabokovi duke e quajtur pararendësen e Lolitës, me emrin e Annabelës së Poesë. Conradi përcjell një aluzion më të hollë në nëntitullin e Vijë-Hijes: “Konfesioni”.
Kjo novelë, me origjinë autobiografike, është rrëfimi i një oficeri të ri të marinës tregtare, i cili, ndërsa pret në një port të Lindjes së Largët të lundrojë në shtëpi, papritmas i ofrohet komanda e drejtimit të anijes me vela, kapiteni i së cilës kishte vdekur në det. Duke u nisur në Gjirin e Siamit, ai zbuloi se kapiteni i vdekur ishte çmendur ndërsa zëvendësi i tij beson se plaku e kishte mallkuar anijen. Kjo frikë konfirmohet kur anija ngec, ekuipazhi sëmuret me ethe dhe kapiteni i ri e kupton se paraardhësi i tij ka shkatërruar të gjitha rezervat e kininës. Pastaj, në mes të një nate pisë të zezë, ka edhe shenja të ndryshimit të motit.
Përshkrimi i marinarëve të sëmurë dhe të ligështuar që i binden urdhrit të kapitenit ta tërheqin velën kryesore, në mënyrë që anija të lundrojë kur të fryjë era, tregon përmes detajeve teknike (“ana e velës”, “kapstani”, “drejtimi i shtyllës kryesore”) se Konradi e dinte se për çfarë po fliste – natyrisht ai kishte qenë kapiten i anijes me njëzet vjet përvojë në det. Por ajo, gjithashtu, risjell fragmentin e njërës nga poemat më të famshme të letërsisë angleze, “Balada e marinarit të vjetër” të Samuel Taylor Coleridgeit, ku marinarët e vdekur ngrihen nga kuvertat e anijes së magjepsur dhe mbajnë direkun:
Gjithë marinarët filluan punën me litarë,
Siç ishin mësuar dikur;
Ngritën gjymtyrët si mjete pa jetë –
Ishim ekuipazh fantazmash.
Marinari vret një albatros, sjell mallkimin në anije në formë të qetësisë e murtajës, lirohet prej saj kur bekon gjarpërinjtë e ujit dhe kthehet në shtëpi me anë të ndihmës mbinatyrore; vetëm ai i mbijeton sprovës, por ndien faj dhe përgjegjësi për fatin e shokëve të anijes. Në storjen e Conradit akti i lig që mallkon anijen i kalon kapitenit të vdekur, por për narratorin vazhdimi është përvojë kuazifetare jo e ndryshme nga ajo e Marinarit. Ajo që mund të ketë qenë thjesht storje për detin, bëhet rit kalimi nëpër “vijë-hije” që ndan pafajësinë nga përvoja, rininë nga pjekuria, arrogancën nga përulësia. Çuditërisht i kursyer nga ethet (si Marinari) kapiteni i ri ndien “sëmundjen e shpirtit… peshën e mëkateve… ndjenjën e padenjësisë”. Ai përhumbet nga “vizioni i anijes që lëviz në qetësi dhe lëkundet në ajër të lehtë, të gjithë ekuipazhin që vdes ngadalë rreth kuvertës”. Pasi vela kryesore ngrihet dhe era fillon të fryjë, ai reflekton, “fantazma e djallëzuar u hodh, magjia e keqe u thye, mallkimi u ndoq. Tani jemi në duart e fatit të mirë dhe të gjallë. Ajo po na sulte në..”.. Krahasojmë:
Shpejt e shpejt fluturonte anija,
Lundronte edhe butësisht:
Ëmbël, ëmbël frynte flladi –
Fill mbi mua frynte.
Kur anija në storjen e Conradit arrin më në fund në port, duke sinjalizuar kërkesën për ndihmë mjekësore, kirurgët detarë që hipin janë po aq të habitur kur gjejnë kuvertën e shkretë si Piloti dhe Hermiti në poezinë e Coleridgeit, me kthimin e Marinarit në krye të anijes. Ashtu si Marinari i vjetër, kapiteni s’mund të shpëtojë nga ndjenja e përgjegjësisë për vuajtjet e ekuipazhit të tij. Ndërsa i largojnë nga anija, ai thotë: “Ata u shuan në sytë e mi njëri pas tjetrit – secili prej tyre mishërim turpi i llojit më të hidhur..”.. Krahasojmë:
Sëmbimi, mallkimi me të cilin vdiqën,
Kurrë nuk m’u shua:
S’mund t’i hiqja sytë prej tyre,
As t’i ngrehja lart të lutem.
Ashtu si Marinari, i cili “ndalte një në tre” për t’u zbrazur, kapiteni detyrohet të bëjë një “konfesion” të përvojës së tij.
Nuk e dimë nëse Conradi me vetëdije i synonte këto aludime sepse ato nuk mund të vërtetohen në tekst. Ndonëse do të ishte interesante të provohen dhe të zbulohen dhe përgjigjja nuk do të paraqiste ndonjë ndryshim të madh. Jehonat janë dëshmi se ai e njihte poezinë e Coleridgeit por, mbase, mund ta ketë riprodhuar pavetëdijshëm (personalisht dyshoj) ashtu siç mund të ketë efekt subkoshient te lexuesit që e kanë lexuar poezinë dhe e kanë harruar, ose e njohin vetëm përmes citateve selektive. Sigurisht, nuk është rasti i parë apo i vetëm ku Conradi e përdori aludimin letrar në këtë mënyrë. Udhëtimi i Marlowit në Kongo te Zemra e errësirës krahasohet në mënyrë eksplicite me zbritjen e Dantes në rrathët e ferrit te Ferri dhe romani i tij i fundit Fitorja u modelua sipas Shtrëngatës së Shekspirit.
Uliksi i James Joyceit është ndoshta shembulli më i famshëm dhe më me ndikim i intertekstualitetit në letërsinë moderne. Kur u botua më 1922, T. S. Elioti e mirëpriti përdorimin e Odisesë si mjet strukturor, duke thënë “manipulimi i paraleles së vazhdueshme midis bashkëkohores dhe antikitetit”, dhe inovacion teknik frymëzues, “një hap drejt bërjes së botës moderne të përshtatshme për artin”. Kur Elioti e lexonte romanin e Joyceit në formë serike përgjatë viteve, vetë punonte në poemën e tij të shkëlqyer Toka e shkretë, e botuar gjithashtu në vitin 1922, ku manipuloi paralelen e vazhdueshme midis bashkëkohores dhe legjendës së Grailit; në këtë rrafsh lëvdatat e tij për Uliksin mund t’i interpretojmë si mirënjohje por, pjesërisht, edhe si manifest. Por, në asnjërën vepër intertekstualiteti nuk kufizohet në një burim të vetëm, ose në paralelizëm strukturor. Toka e shkretë u bënë jehonë shumë burimeve të ndryshme; Uliksi është plot parodi, pastish, citate dhe aludime të të gjitha llojeve të teksteve. Për shembull, aty ekziston një kapitull, i vënë në një zyrë gazete, i ndarë në rubrika me tituj që imiton zhvillimin e stilit gazetaresk, kapitulli tjetër shkruhet kryesisht si pastish i revistave të lira të grave dhe një tjetër, i vënë në maternitet, parodizon zhvillimin historik të prozës angleze nga periudha anglo-saksone deri në shekullin e njëzetë.
Duke qenë se për gati tridhjetë vjet shkrimin fiksional e kombinova me karrierën akademike, s’është për t’u habitur që romanet e mia u bënë gjithnjë e më shumë intertekstuale dhe ngjau që edhe Joycei edhe Elioti ndikuan shumë në këtë aspekt, sidomos i pari. Për paroditë te Muzeu Britanik po bie u frymëzova nga shembulli i Uliksit, po ashtu edhe për veprimin njëditor, ndërsa kapitulli i fundit është homazh mjaft i pacipë ndaj monologut të Molly Bloomit. Çështja e “risisë” në gjenezën e veprës Botae Vogël rezultoi kur nuhata mundësinë që romanin komik-satirik për shoqërinë e lartë akademike, të cilët ngarendnin nëpër konferenca ndërkombëtare dhe konkurronin me njëri-tjetrin profesionalisht edhe erotikisht, ta bazoja në storjen e mbretit Arthur dhe kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët në kërkim të Graalit, veçanërisht sipas interpretimit në librin e Jessie L. Weston ku tregohet se T. S. Elioti ishte bastisur për Tokën e shkretë. Kam shkruar edhe diku tjetër për gjenezën e këtyre romaneve (në Pasthënien e Muzeut Britanik dhe te vepra Shkruaj) dhe po i përmend prapë këtu për të vënë në pah se intertekstualiteti, jo është domosdo, thjesht dekor në tekst, por nganjëherë është faktor vendimtar në konceptimin dhe kompozimin e tij.
Megjithatë, ekziston një aspekt tjetër i artit të fiksionit, i njohur vetëm për shkrimtarët, që shpesh përfshin intertekstualitetin dhe ka të bëjë me Mundësinë e Humbur. Dikush nganjëherë, gjatë leximit, pashmangshëm ndeshet me jehona, anticipime dhe ngjashmëri me atë të veprës së vet, shumë kohë pas përfundimit të saj dhe shumë vonë për të përfituar nga ky zbulim. Kah fundi i veprës Botae vogël është një skenë e vendosur në Nju-Jork gjatë Konventës së MLA-së, që gjithmonë mbahet në ditët e fundit të dhjetorit. Pas triumfit të heroit, Persse McGarrigleit, në seancën mbi Funksionin e Kritikës, moti ndryshon papritmas, një rrymë e ngrohtë ajrore nga jugu rrit temperaturën në Manhattan në nivel të paprecedentë në atë sezon. Në skemën mitike të librit, kjo është ekuivalente me fertilizimin e mbretërisë shterpe të Mbretit Fisher në Legjendën e Grailit, si rezultat i Kalorësit të Grailit që bën pyetjen e domosdoshme. Arthur Kingfisher, doajen i kritikës moderne akademike që kryeson Konventën, ndien që mallkimi i impotencës seksuale i shqitet mrekullisht. Ai i thotë zonjës së tij koreane, Songmi:
“Është si ditët e haliconit… Një periudhë e motit të butë në mes të dimrit. Të lashtët i quanin ditë halicone, kur bilbili i ujit duhej të çelte vezët. Kujto Miltonin – “Zogu ulet të ngroh vezët në valët magjepsëse?” Zogu ishte bilbil uji. Në greqisht kjo do të thotë “halycon”, Song-mi: bilbil uji. Ditët e haliconit ishin ditët e bilbilit të ujit. Ditët e mia. Ditët tona”.
Ai do të vazhdonte të citonte vargje të tjera rrëmbyese, jashtëzakonisht të përshtatshme:
Moti i bilbilit të ujit, me një fllad të lehtë,
Kanavacë e plotë dhe tetë vela që ngrehin mirë.
Dhe mund të ketë shtuar: “Janë vargjet më të mira te Toka e shkretë, por Ezra Pound e bindi Tom Eliotin t’i hiqte”. Fatkeqësisht, këto vargje nuk i hasa në botimin e Valerie Eliotit, Toka e shkretë: faksimile dhe transkript i drafteve origjinale përfshirë shënimet e Ezra Poundit, deri pak kohë pasi Bota e Vogël u botua.
Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi.
Marrë nga numri 26 i revistës “Akademia”.
© “Armagedoni”



