Qeveria e hutuar, opozita e çakorduar

30 nëntor 2022 | 17:00

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti në minutat e fundit dhe pas një presioni të jashtëzakonshëm evro-amerikan, e pranoi kërkesën që më parë e kishte refuzuar, por dëmet tashmë ishin shkaktuar dhe ato do të na ndjekin edhe për një kohë.

“Për fat të keq, Serbia që është përgjegjësi kryesor për krejt faqet e zeza në veri, jo vetëm në këto 4-5 javë por që nga viti 2000 e këtej, brenda natës u shndërrua në beniaminin e Perëndimit dhe kjo është e padrejtë”, ka theksuar Nitaj.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së nuk është i sigurt se dialogu do të rifillojë me propozimin evro-amerikan që tashmë njihet si plani franko-gjerman.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Nitaj, ka theksuar se është e mundur që Kosova të vihet para një sfide tjetër, krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, që, sipas tij, do të ishte fijasko për Kosovën.

Nitaj thotë se vendit po i mungon një front i bashkuar opozitar. “Opozita është copa-copa dhe kjo nuk e ndihmon as opozitën e as qeverinë e besa as vendin. Kur opozita është e çakorduar ka rrezik që vendi të rrëshqasë në diktaturë. Përtej modestisë, kujtoj që Aleanca ka qenë opozitë e mirëfilltë e kësaj qeverie”, ka deklaruar Nitaj.

Në këtë intervistë Nitaj ka theksuar se AAK-ja ka një trend të rritjes. “I janë bashkuar plot njerëz që më parë nuk kanë qenë pjesë e saj”, ka thënë Nitaj.

Intervistoi: Mal QORRAJ

“Epoka e re”: Z. Nitaj, AAK-ja dhe lideri i saj ka pasur reagime të shumta sa i përket situatës për targat ilegale në veri. Tash pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel si e shihni situatën?
Nitaj: Udhëheqja e Kosovës bëri gabime të mëdha në trajtimin e kësaj çështje. I kishte bërë hesapet gabim që në momentin e parë kur kishte refuzuar kërkesën amerikane për shtyrjen e zbatimit të marrëveshjes së targave. Dhe kjo për fat të keq do të ketë kosto edhe për ta edhe për vendin. Në minutat e fundit dhe pas presionit të jashtëzakonshëm evro-amerikan, kryeministri e pranoi kërkesën që më parë e kishte refuzuar, por dëmet tashmë ishin shkaktuar dhe ato do të na ndjekin edhe për një kohë. Për fat të keq, Serbia që është përgjegjësi kryesor për krejt faqet e zeza në veri, jo vetëm në këto 4-5 javë por që nga viti 2000 e këtej, brenda natës u shndërrua në beniaminin e Perëndimit dhe kjo është e padrejtë.
Tash situata është më e komplikuar sesa që ishte para se të hapej çështja e targave dhe unë nuk shoh se ajo do të mund të qetësohet, nëse nuk do të ketë një ndërhyrje të fortë të BE-së e posaçërisht të SHBA-së.

“Epoka e re”: Tashmë është e qartë se dialogu do të rinisë me diskutimin rreth planit franko-gjerman, këtë plan me aq sa kemi parë AAK-ja e përkrah, sepse edhe Haradinaj ishte i vetmi nga opozita që iu përgjigj ftesës së Kurtit për takim dhe e ka parë këtë plan?
Nitaj: Nuk jam shumë i sigurt nëse do të rifillojë dialogu për propozimin evro-amerikan që tashmë njihet si plani franko-gjerman, apo do të ketë edhe ndonjë pengesë para se të arrihej deri aty. Është e mundur që Kosova të vihet para një sfide tjetër, që është krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të ishte fijasko për Kosovën. Gjithmonë ky ka qenë rreziku që të futeshim në një vorbull nga e cila nuk do të mund të dilnim. Trajtimi i çështjeve të vogla teknike e “një nga një”, ka qenë skenar e kurth i Serbisë që të mos arrihet kurrë te një marrëveshje për njohje me Kosovën. Prandaj ka pasur një reagim aq të fortë prej nesh e prej opinionit publik, që Kurti të mos binte në këtë kurth, e jo sepse ne nuk do ta mbështesnim vendosjen e regjimit shtetëror të targave.

“Epoka e re”: Nganjëherë jepet përshtypja se AAK-ja po i afrohet shumë qeverisë Kurti, duke pasur parasysh se Haradinaj ka ofruar përkrahje për dialogun dhe i është përgjigjur ftesave të Kurtit, por nganjëherë aq shumë drejtohen pastaj akuza në drejtim të qeverisë. A ka diçka të vërtet që AAK-ja të bëhet pjesë e kësaj qeverie?
Nitaj: Është gabim fatal që kryeministri i vendit, pavarësisht se cili është ai, të trajtohet me inat, aq më tepër kur bëhet fjalë për vendime që mund të përcaktojnë të ardhmen tonë si shtet e si shoqëri për shumë vite. Opozita nuk e ka komoditetin vetëm të kundërshtojë, por edhe të bëhet pjesë e zgjidhjes. Nuk duhet fërkuar duart për dështimin e qeverisë e të kryeministrit, sepse dështimi i tij është dështim i vendit. Një kategori njerëzish kanë paguar çmim të madh për lirinë e këtij vendi dhe tash e kanë të pamundur të bëjnë sehir. Dialogu me Serbinë sot është çështje madhore dhe tema më e madhe që nga qershori i vitit 1999 dhe Kosova nuk mund t’i ketë disa palë në këtë çështje. Në këtë rrafsh duhet parë përkrahjen e Aleancës dhe të Ramush Haradinajt për dialogun. E sa i përket përshtypjeve se po o afrohemi shumë ose pak qeverisë Kurti, se mos është hera e parë që përshtypjet janë të gabuara. Nuk ka asgjë të vërtetë se Aleanca mund të bëhet pjesë e kësaj qeverie.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për qeverinë Kurti?
Nitaj: Gjatë kohës së kësaj qeverie jemi më të varfër, më të emigrushëm, më të mërzitur, më të sëmurë, më të ndarë…Ndoshta e gjithë kjo është pasojë edhe e një krize që e ka përfshirë globin, por unë si qytetar jam i pakënaqur me rolin e kësaj qeverie në zbutjen e kësaj krize.

“Epoka e re”: Si sekretar i përgjithshëm i AAK-së si është organizimi i sotëm i AAK-së në nivel vendi?
Nitaj: Aleanca e ka përfunduar me sukses një proces të zgjedhjeve të brendshme. Ka arritur që t’i funksionalizojë disa degë, që nuk kanë qenë aq funksionale. Ka një trend të rritjes. I janë bashkuar plot njerëz që më parë nuk kanë qenë pjesë e saj. Kryetari Haradinaj e ka zhvilluar një tur diskutimi me qytetarë në pothuaj të gjitha qytetet e Kosovës. Grupi Parlamentar, sado që me numër jo të madh deputetësh, ka qenë funksional, i zëshëm dhe ka shtyrë plot nisma më interes për publikun. Kryetarët e komunave që qeverisen nga Aleanca, kanë pasur një performancë të jashtëzakonshme, në shumë raste duke qenë kampionë në qeverisje transparente. Është rreshtuar drejtë e me kohë në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin. Të gjitha këto e bëjnë Aleancën një parti të serioze e të strukturuar. Natyrisht asgjë nuk ka perfekte dhe ne jemi një proces të vazhdueshëm të shtrirjes sonë më të madhe.

“Epoka e re”: Shpesh kritikohet opozita se nuk është duke e luajtur rolin e vet opozitar përball këtij pushtet. A mendoni se opozita do të duhej të ishte më e koordinuar në veprime, jo vetëm në deklarime?
Nitaj: Vlerësoj se kritikohet me të drejtë. E vërteta është se sot nuk ka një front të bashkuar opozitar. Opozita është copa-copa dhe kjo nuk e ndihmon as opozitën e as qeverinë e besa as vendin. Kur opozita është e çakorduar ka rrezik që vendi të rrëshqasë në diktaturë. Përtej modestisë, kujtoj që Aleanca ka qenë opozitë e mirëfilltë e kësaj qeverie.

“Epoka e re”: Nuk po shohim se opozita është fortë e interesuar për zgjedhje të reja, pavarësisht kritikave që i jep për këtë pushtet. A është e gatshme AAK-ja për zgjedhje të reja?
Nitaj: Nuk besoj që ka një parti politike që thotë, nuk jemi të gatshëm për zgjedhje. Opozita mund të mos jetë e kënaqur më pushtetin, siç nuk është sot, por kompleksiteti i situatës politike e të sigurisë në vend e në rajon, nuk është në favor të zgjedhjeve. Qeveria reflekton e hutuar, por ajo nuk mund të ‘dezertojë’ nga përgjegjësitë që i ka marrë. Ajo duhet t’i kryej detyrat që i ka, sado të komplikuara qofshin ato. Ajo duhet të mbahet mend për “marrëveshjen e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”! Më pastaj shohim e bëjmë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Gjermanisë ka njoftuar të mërkurën se planifikon t’i…