Vende pune për 400 mijë punëtorë të kualifikuar, Gjermania lehtëson rregullat e punës

30 nëntor 2022 | 16:58

Qeveria e Gjermanisë ka njoftuar të mërkurën se planifikon t’i lehtësojë rregullat ligjore për hyrjen e emigrantëve që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian (BE), me qëllim që të mundësojë ardhjen e punëtorëve të kualifikuar që i duhen shtetit gjerman.

Qeveria ka rënë dakord për një projektligj që do të ndihmonte emigrantët e mundshëm nga jashtë BE-së me njohjen e aftësive dhe kualifikimeve.

Mungesa e punëtorëve kërcënon planet ambicioze të Gjermanisë për të inkurajuar futjen e burimeve të rinovueshme të energjisë, u ka thënë gazetarëve ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, shkruan “Euronews”.

Habecku ka thënë se Gjermania e dinte prej vitesh se do të kishte një problem demografik.

Ndërsa ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, ka thënë se Gjermania ka punë të shkëlqyera për të ofruar dhe se duhet të forcojë imazhin e saj jashtë vendit. Ai ka vlerësuar se është në interesin e Gjermanisë të paraqitet si një shoqëri kozmopolite.

Propozimi ligjor duhet të diskutohet dhe miratohet nga parlamenti gjerman. Ekspertët kanë thënë se Gjermania ka nevojë për rreth 400 mijë punëtorë emigrantë të kualifikuar çdo vit, veçanërisht për të plotësuar vendet e lira të punës në fushën e kujdesit shëndetësor, IT dhe ndërtimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, e ka quajtur…