Opozita është konstruktive, qytetarët të zhgënjyer me qeverinë Kurti

11 prill 2023 | 13:11

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka kritikuar qeverinë Kurti për mospunë.

Ai ka thënë se për dy vjet qytetarët e Kosovës janë zhgënjyer me këtë qeveri.

Lekaj në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epokën e re”, ka thënë se qeveria Kurti do të mbahet mend vetëm për politizimin e ndërmarrjeve publike, rritjen e çmimeve dhe mosrealizimin e premtimeve, sidomos të atyre ekonomike.

Ai ka theksuar se edhe pse opozita ka qenë konstruktive, nuk ka pasur se për çfarë ta kritikojë këtë qeveri për shkak të mospunës.

Në këtë intervistë, Lekaj ka folur edhe për procesin gjyqësor në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve tjerë.

Ai ka thënë se UÇK-ja është vlera më e madhe kombëtare e Kosovës. “Çfarëdo gjykimi nuk mund të njollosë vlerën dhe kontributin e pjesëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së. Gjykata ka devijuar pak mënyrën e funksionimit dhe idenë mbi atë se çfarë është krijuar. Më pengon tendenca që krerët e UÇK-së të përgënjeshtrohen dhe etiketohen me të pavërteta”, ka thënë Lekaj.

Deputeti i AAK-së pret që katërshja e UÇK-së të shpallet e pafajshme. “Presim drejtësi e liri për të gjykuarit, pasi po duket se kjo është duke munguar. Presim dhe do të ishte mirë që edhe ndërkombëtarët të jenë të involvular në gjykimin e drejtë”, ka thënë deputeti Lekaj, i cili ka qenë ushtar dhe mjek i UÇK-së.

“Epoka e re”: Z. Lekaj çfarë vlerësimi të përgjithshëm keni për punën dyvjeçare të qeverisë Kurti?
Lekaj: Për dy vjet qeverisje të Kurtit nuk kemi parë asnjë veprim dhe rezultat konkret. Disa nga të këqijat e qeverisjes janë: humbja e madhe ekonomike qysh nga niveli makroekonomik, në nivel të mikroekonomisë; moslejimi i qeverisë që qytetarët e Kosovës ta tërheqin 30 për qind të Trustit; rritja e çmimit të shportës familjare; rritja e çmimit të energjisë për dy herë radhazi; rritja e çmimit të derivateve në ekstrem, rritja e çmimit të tatimit në pronë në vlerë 100-300 për qind, politizimi i të gjitha ndërmarrjeve publike, institucioneve dhe ministrive; mungesa e investitorëve të huaj dhe mospërkrahja e bizneseve e ndërmarrjeve kosovare; mosshuarja e AKP-së dhe moskrijimi i Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran.

“Epoka e re”: Sipas jush këto dy vite të qeverisë kanë qenë të shpresës apo zhgënjimit për qytetarët?
Lekaj: Mbi këto fakte që i thashë më lartë, qytetarët e vendit kanë pasur vetëm zhgënjim.

“Epoka e re”: AAK-ja është partia e vetme opozitare që e ka mbështetur qeverinë Kurti sa i përket marrëveshjes me Serbinë. Pse?
Lekaj: Marrëveshja me Serbinë është një marrëveshje e cila i ka dhanë Kosovës mundësinë e vazhdimit të shumë proceseve tjera. Është një marrëveshje e garantuar nga fuqitë perëndimore, saktësisht e planit franko-gjerman. Është koha që të ndahen një herë e përgjithmonë rrugët me Serbinë, dhe të vazhdojmë tutje në proceset integruese të Evropës.

“Epoka e re”: Brenda kësaj marrëveshje është edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Çfarë vlerësimi keni për këtë asociacion, i cili ishte kundërshtuar në kohën kur Kurti ishte në opozitë?
Lekaj: Ende nuk dihet formati konkret i funksionimit të asociacionit kur të fillojë funksionimi në tërësi. Ne kemi përkrahur marrëveshjen ku nuk parashihet asociacioni me kompetenca ekzekutive, dhe do ta kundërshtojmë një asociacion me kompetenca ekzekutive nëse ai do të bëhet në realitet dhe do ta rrezikon shtetësinë dhe të drejtën e Kosovës.

“Epoka e re”: Krahas punës se qeverisë, si e vlerësoni punën e opozitës? Ka qenë në nivel të detyrës gjatë këtyre dy viteve?
Lekaj: Kemi një opozitë konstruktive, por që në realitet nuk kemi pasur çka të kritikojmë pasi për t’u kritikuar diçka duhet që qeveria të punojë. Ne kemi kritikuar mospunën e tyre dhe vendime të caktuara që kanë dëmtuar interesat dhe mirëqenien e qytetarëve. Ne si AAK me forcën që kemi, jemi munduar të jemi zë i qytetarëve, ku kem kërkuar shumë debate parlamentare, interpelanca parlamentare, si dhe pyetjeve parlamentare. Kemi kërkuar largimin e TVSh-së për produktet bazë, largimin e TVSh-së për derivate, dhënien e Trustit për qytetarët e Kosovës, mos rritjen e tatimit në pronë, rritjen e pagës minimale, hyrjen në fuqi të Ligjit të pagave, etj.

“Epoka e re”: Javën e kaluar ka filluar gjykimi i drejtuesve kryesor të UÇK-së. Z. Lekaj si e keni parë ketë proces?
Lekaj: UÇK-ja është vlera më e madhe kombëtare e Kosovës. Çfarëdo gjykimi nuk mund të njollosë vlerën dhe kontributin e pjesëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së. Gjykata ka devijuar pak mënyrën e funksionimit dhe idenë mbi atë se çfarë është krijuar. Më pengon tendenca që krerët e UÇK-së të përgënjeshtrohen dhe etiketohen me të pavërteta.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja nga ky gjykim, i cili është thënë se do të jetë maratonik?
Lekaj: Presim drejtësi e liri për të gjykuarit, pasi po duket se kjo është duke munguar. Presim dhe do të ishte mirë që edhe ndërkombëtarët të jenë të involvular në gjykimin e drejtë.

Lirim GECI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gati qe dy orë ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të…