IPK-ja shënon 20-vjetorin e themelimit, zyrtarët vlerësojnë rritjen e besimit të qytetarëve
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka shënuar 20-vjetorin e themelimit. Udhëheqës shtetërorë dhe drejtues institucionesh kanë vlerësuar punën e këtij institucioni për ruajtjen e standardeve profesionale ndër vite.
Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, ka deklaruar se institucioni sot gëzon reputacion edhe përtej kufijve të Kosovës. Ai ka theksuar se anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtarë, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë homologe në rajon dhe më gjerë, janë dëshmi e besueshmërisë dhe profesionalizmit të ndërtuar ndër vite.
“Rritja e vazhdueshme e numrit të ankesave të paraqitura nuk është vetëm tregues i problemeve, por është gjithashtu dëshmi se qytetarët besojnë se zëri i tyre dëgjohet dhe se çdo pretendim trajtohet me paanshmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, ka thënë Hodaj.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, është shprehur se Inspektorati Policor e ka kryer misionin e tij me bindjen se llogaridhënia nuk e dobëson Policinë, por e forcon atë.
“Inspektorati Policor i Kosovës u ngrit me një mision që nuk është kurrë i lehtë: të kujdeset që ata të cilët e mbrojnë qytetarin të mbeten vetë brenda ligjit. Një nga detyrat më të vështira që një shtet demokratik mund ta ndërtojë brenda vetes, sepse është e thjeshtë të kërkosh përgjegjësi nga të tjerët, por është shumë e vështirë që shteti ta vendosë të njëjtin standard mbi vetë institucionet e tij”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo është ndalur edhe te numri i qytetarëve që i janë drejtuar IPK-së gjatë vitit 2025, duke theksuar se 2.539 qytetarë kanë paraqitur ankesa, rreth 500 më shumë se një vit më parë.
“Kjo rritje është dëshmi e një besimi në rritje. Është shenjë se qytetarët po e shohin Inspektoratin si adresë ku mund të drejtohen, ku mund të dëgjohen dhe ku shqetësimet e tyre trajtohen me seriozitetin më të lartë institucional. Ndër qytetarët që i janë drejtuar këtij institucioni ndër vite ka pasur shqiptarë, por edhe pjesëtarë të komuniteteve joshumicë në Kosovë, si serbë, turq, boshnjakë, romë, ashkali dhe egjiptianë”, ka theksuar ajo.
Kurti: Një polici e fuqishme kërkon mbikëqyrje po aq të fuqishme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar se IPK-ja është një institucion jetik për sundimin e ligjit dhe llogaridhënien në vend.
“Themelimi i Inspektoratit Policor ishte një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi të sigurisë që është transparent dhe llogaridhënës para qytetarëve. Një polici e fuqishme dhe e besueshme kërkon një mbikëqyrje po aq të fuqishme dhe të pavarur. Pikërisht këtë mision e ka përmbushur ky inspektorat përgjatë këtyre 20 viteve”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se numri i ankesave të trajtuara çdo vit tregon për një vetëdije më të lartë qytetare, por edhe për një besim në rritje ndaj këtij institucioni.



