Irani konfirmon bisedimet në Doha, përjashton takime të drejtpërdrejta me ShBA-në

30 qershor 2026 | 16:29

Irani ka konfirmuar se të mërkurën do të zhvillojë bisedime me ndërmjetësuesit e Katarit në Doha për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit mes ShBA-së dhe Iranit, por ka përjashtuar mundësinë e takimeve të drejtpërdrejta me përfaqësues amerikanë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka deklaruar se diskutimet do të përqendrohen në zbatimin e klauzolave të memorandumit, përfshirë lirimin e aseteve të ngrira iraniane që ndodhen në Katar.

“Ajo që do të bëhet në Doha nesër është një diskutim rreth zbatimit të klauzolave të memorandumit të mirëkuptimit, përfshirë lirimin e aseteve të ngrira të Iranit, të cilat janë me palën e Katarit”, ka thënë Baghaei, sipas Anadolu.

Ai ka theksuar se Teherani nuk planifikon të zhvillojë takime me palën amerikane.

“Në thelb, ne nuk kemi plane për t’u takuar me palën amerikane në asnjë nivel në ditët në vijim”, ka deklaruar ai.

Komentet e Baghaeit vijnë pasi Katari njoftoi se të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner ndodhen në Doha për t’u takuar me ndërmjetësuesit dhe për të diskutuar progresin e negociatave me Iranin.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, ka bërë të ditur se transferimi i 6 miliardë dollarëve nga gjithsej 12 miliardë dollarët e fondeve të ngrira iraniane do të miratohet nga ShBA-ja dhe Irani, duke shtuar se fondet ende nuk janë transferuar në Teheran.

Sipas tij, çështja e fondeve të ngrira është e lidhur me ecurinë e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet ShBA-së dhe Iranit, i ndërmjetësuar nga Pakistani, hyri në fuqi më 18 qershor, pasi u nënshkrua në mënyrë elektronike nga presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe presidenti amerikan Donald Trump.

Marrëveshja synon krijimin e një kornize për t’i dhënë fund tensioneve dhe për të adresuar çështjet e pazgjidhura ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë lehtësimin e sanksioneve, programin bërthamor iranian, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe çështje të tjera të sigurisë rajonale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas dorëheqjes…