Isa Mustafa: Deputetët s’kanë guxim ta dërgojnë shkarkimin e Valdete Dakës në Kushtetuese

23 nëntor 2021 | 22:45

Kanë kaluar pak ditë që nga momenti kur Avokati i Popullit zyrtarisht njoftoi se ka refuzuar kërkesën e paraqitur nga ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka për dërgimin e ankesës së saj në Gjykatën Kushtetuese.

Refuzimi i dërgimit të ankesës për shkarkimin e saj, sipas Avokatit të Popullit u mor pas vlerësimit se çështja e ngritur nga Daka nuk ka ofruar dëshmi se ka shteruar, apo që së paku ka përdorur mjetet e nevojshme juridike kundër vendimit të Presidentes, Vjosa Osmani.

Por, ishte pikërisht Partia Demokratike e Kosovës, e cila pati shprehur publikisht gatishmërinë për të çuar në Kushtetuese vendimin e Osmanit, për shkarkimin e Dakës.

Sipas PDK-së një prej mënyrave për ta dërguar këtë çështje në Kushtetuese ishte në kuadër të mbledhjes së nënshkrimeve nga përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Kosovës.

Propozimi i PDK-së pati ardhur para se Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian përmes një raporti pati konkluduar se Osmani e shkarkoi Dakën pa u bazuar në kuadër të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Pas konstatimit të hapur të vëzhguesve të BE-së, Valdete Daka mori vendim që nëpërmjet Avokatit të Popullit të ndjekë ligjërisht këtë çështje, duke e parë si mundësi të vetme ligjore që ta dërgojë në Kushtetuese.

Lidhur me “mosgatishmërinë” e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të merret me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar ish-liderin e saj, Isa Mustafa.

Sipas Mustafës, Avokati i Popullit, me rastin e lëndës së ish-kryetares së KQZ-së dëshmoi se nuk është i popullit, por i liderëve shtetërorë.

Madje Isa Mustafa ka deklaruar se kjo është e kundërta e asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës.

“Ai, në vend që t’ia procedojë lëndën Gjykatës Kushtetuese, i dha vetes autoritet vendimmarrës, duke e shndërruar institucionin e Avokatit të Popullit në Gjykatë. E vlerësoj të paarsyeshme që deputetët dhe Avokati i Popullit të mos i adresohen Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin, sipas bindjes sime arbitrare të zonjës Daka”, theksoi Mustafa.

Njëkohësisht ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa deklaroi se dhe jo vetëm për aktin, por edhe për arsyetimin krejtësisht politik dhe të pabazë të këtij akti.

“As deputetët dhe as Avokati i Popullit s’kanë nevojë të frikësohen nga vendimi i Gjykatës, por është përgjegjësi e tyre demokratike që kushtetutshmëria e veprimeve të Presidentes në këtë rast të vërtetohet. Nga vet fakti që këta po ia mbajnë anën Presidentes, duke i mbyllur sytë për vendimin e saj për të cilin reagoi edhe Bashkimi Evropian, fitohet bindja se janë marrë vesh me ta paraprakisht, sepse e kanë ditur se Gjykata do të vendosë drejt kundër sulmeve të vrazhda të një subjekti qeverisës që u noterizuan nga Presidentja e vendit”, shtoi Mustafa.

Isa Mustafa tha qartë se frikësohet se ky do të jetë një shembull i keq i cili do të inkurajojë edhe organet e tjera që ta shkelin Kushtetutën, pasi ky vend realisht “s’paska Avokat të Popullit, e as numër të mjaftueshëm të deputetëve që kanë guxim demokratik t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese”.

Ish-kryetari i LDK-së theksoi se në këtë rrugëtim, veprimet jokushtetuese të liderëve shtetëror një ditë do të trokasin edhe në derën e Avokatit të Popullit dhe në ndërgjegjen e deputetëve.

Në një deklarim të dhënë më parë nga përfaqësuesit e LDK-së është thënë se kjo çështje i takon instancave të tjera dhe se presin që vendimi të trajtohet nga Avokati i Popullit.

Kurse në vendimin e fundit të publikuar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është thënë se “Avokati i Popullit është bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese (Aktvendimi për Papranueshmëri në Rastin Nr. KI142/13, i datës 18 nëntor 2013, parashtrues Fadil Maloku, lidhur me Kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Nr.686-2013, të 6 shtatorit 2013), sipas të cilës gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë mjetet efektive juridike, të cilat duhet të shterohen para se çështja të ngritët në Gjykatën Kushtetuese.Për më tepër, Ligji për Avokatin e Popullit, neni 22, paragrafi 1, nën-paragrafi 4 përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar. Në rastin konkret znj. Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin”.

Pak para zgjedhjeve, Valdete Daka është shkarkuar nga posti i Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor.

Presidentja Vjosa Osmani shkarkoi Valdete Dakën, ndërsa në vendimin e saj thuhet se vendimi në fjalë ishte se saktësisht më 14 qershor vendimi ishte përcjellur edhe tek vetë Daka.

E shkarkimi i Dakës nga Osmani është kritikuar nga opozita, përfaqësuesit e shoqërisë civile si dhe së fundi në kuadër të raportit të vëzhguesve të Bashkimit Evropian.

Pavarësisht kësaj nuk shkoi larg dhe në kuadër të Komisionit Qendror Zgjedhor është emëruar Kreshnik Radoniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka folur rreth reagimit…