Ish-ambasadori Dedaj: Vetëm PDK-ja mund ta mposhtë majtizmin ekstrem dhe totalitarizmin në Kosovë

12 janar 2024 | 21:31

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, kryetar nderi i PLK-së, ka shkruar në “Facebook” për bashkëpunimin PLK-PDK.

“Koalicioni i Partisë Liberale të Kosovës me PDK-në daton që nga viti 2007, kur pas vdekjes së presidentit historik Ibrahim Rugova, në vitin 2006, ishim të vetëdijshëm se vetëm PDK-ja dhe subjektet politike të dala nga lufta çlirimtare e UÇK-së, gëzojnë besimin qytetar dhe kanë guximin dhe mandatin për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ashtu siç edhe ndodhi më 17 shkurt 2008, kur presidenti Hashim Thaçi, shpalli Deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu besonim thellësisht se vetëm ky spektër politik i dalë nga lufta titanike e UÇK-së, do ia dalë të profesionalizoj Policinë e Kosovës, të formojë Ushtrinë e Kosovës, të ruajë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe së bashku me SHBA-të dhe BE-në, të sjell njohje të reja për shtetin e Kosovës duke garantuar paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Dedaj.

Ai ka thënë se PLK-ja si subjekt i parë i anëtarësuar në familjet dhe institucionet e grupimeve politike në Europë dhe në botë, (ELDR/ALDE dhe në Internacionalen Liberale), promovonte politikat e qendrës së djathtë, thellimin e partneritetit me SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe, të procesit të integrimit Euro-Atlantik të Kosovës, të cilat politika të qendrës së djathtë i përfaqësonte dhe promovonte edhe PDK-ja, e cila po ashtu arriti të bëhet anëtare fuqiplote në Aleancën Liberale Demokratike të Europës ALDE, me seli në Bruksel, me të cilën, sipas Dedajt, PLK-ja bashkëpunojë afër 30 vite, në mbështetje të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës dhe të partneritetit historik me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.

“PLK-ja mbi 17 vite ka koalicion me PDK-në dhe mbështeti politikat kombëtare, integruese dhe Euro-Atlantike të PDK-së, se fundmi me rinënshkrimin e koalicionit parazgjedhor me Kadri Veselin, kryetar i PDK, për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës! Politikat kombëtare të qendrës së djathtë parandalonin rrezikun e ardhjes në pushtet të ekstremit të majtë, të partikracisë, të forcimit të konceptit parti-shtet, të etatizmit dhe të totalitarizmit, të cilat nga viti 2021-2023 dëmtuan partneritetin Euro-Atlantik, raportet me SHBA-në, BE-në, Shqipërinë dhe vendet fqinje, proceset demokratike, duke mos i sjell Kosovës asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në mekanizmat dhe institucionet Europiane dhe ndërkombëtare! Rritja e rrezikut të themelimit të autonomisë serbe (Republikës Serbe)brenda shtetit të Kosovës, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, rritja enorme e çmimeve dhe e shkallës së varfërisë, zbrazja masive e vendit, nepotizmi, kapja e shtetit dhe ngulfatja e mediave të lira, ndërhyrjet në organet e prokurorisë, drejtësisë dhe të sigurisë, dëmtimi i diplomacisë dhe i partneritetit me miqtë e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, janë pasoja të forcimit të majtizmit ekstrem neobolshevik dhe neokomunist në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Dedaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari dhe analisti Vehbi Kajtazi ka reaguar në lidhje me…