Ish-diplomati britanik: Mosmarrëveshje Borrell -Von Cramon, në BE ka ndarje ideologjike lidhur me Kosovën

25 tetor 2021 | 13:03

Kosova duket e vendosur ta imponojë autoritetin e saj në veri, nëse është e nevojshme, me çdo mjet. Në këtë proces, me vetëdije refuzohet status quo-ja dhe shkrin mosmarrëveshja që është ngrirë që nga viti 2008.

Kështu ka thënë Timothy Less, ish-diplomat britanik dhe studiues në Qendrën britanike për gjeopolitikë në Universitetin e Cambridgeit.

“Mosmarrëveshja publike midis shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësues për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon tregon për ndarje ideologjike brenda institucioneve të BE-së se si të merren me Kosovën dhe Ballkanin në një kuptim më të gjerë”, ka thënë Less.

Për ngjarjet e fundit në Kosovë, veçanërisht në veri, Timothy Less ka thënë se ato i sheh si një mënyrë që “shqiptarët ta shtyjnë Kosovën drejt momentit të shumëpritur të së vërtetës”.

“Prishtina duket e vendosur ta imponojë autoritetin e saj mbi veriun, nëse është e nevojshme, me çdo mjet. Në këtë proces, ajo me vetëdije refuzon status quo-në dhe shkrin mosmarrëveshjen që është ngrirë që nga viti 2008. Sa për Borrell dhe von Cramon, mosmarrëveshja e tyre publike tregon për ndarje ideologjike brenda dhe ndërmjet institucioneve të BE-së se si të merren më me Kosovën dhe Ballkanin”, ka thënë ai.

Siç ka theksuar Less, Borrelli dhe të tjerët në Komisionin Evropian janë pjesë e kampit të realistëve që e shohin veriun e Kosovës si rajon të diskutueshëm dhe se veprimet e Kosovës i referohen sovranitetit të vendit.

“Kjo mosmarrëveshje ideologjike ishte e parëndësishme përderisa mosmarrëveshja mbi Kosovën ishte e ngrirë dhe për aq kohë sa BE-ja mund ta shmangte marrjen e ndonjë vendimi kuptimplotë për vendin. Megjithatë, kjo po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme pasi Prishtina e shkrin mosmarrëveshjen, Kosova fillon ta përdorë forcën dhe Serbia kërcënon ndërhyrjen ushtarake”, ka thënë Less, duke shtuar se “duhet të shohim se cili kamp do të mbizotërojë tani”.

I pyetur nëse pret veprime të reja nga Policia speciale e Kosovës në veri para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, siç ishte rasti së fundmi, dhe nëse mund të pritet ndërhyrja e FSK-së në rast të konflikteve të mëdha, Less ka thënë se sheh se ka mundësi që të ndodhë diçka e tillë.

“Nëse nuk ka ndërhyrje të mëtejshme para zgjedhjeve, ndoshta do të ndodhë pas, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për zgjedhje, por për një përpjekje më të gjerë të qeverisë për ta imponuar pushtetin e saj në të gjithë territorin e Kosovës, veçanërisht në veri. Është e mundur që Kosova të mund ta vendos Forcën e Sigurisë së Kosovës atje, por për mendimin tim ende jo. Pozicioni zyrtar i Prishtinës është se operacioni në veri është çështje ligji dhe rendi, kështu që nuk ka asnjë justifikim të dukshëm për ndërhyrje ushtarake”, ka thënë Less.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valentino Rossi ka zhvilluar të dielën garën e tij të…