Ish-drejtori i Urbanizmit në Prishtinë: Komunat nuk guxojnë të ndërhyjnë në vlerësimin e pronave

24 janar 20:45

Ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Ardian Olluri është përfshirë në debatin për rritjen e tatimeve për objektet e banimit në Prishtinë. Ai ka propozuar që komunat të bëjnë ndërhyrje në normën tatimore, në mënyrë që të u lehtësohet barra qytetarëve.

Olluri përmes një shënimi në Facebook ka thënë se në dy vitet e fundit vlera e patundshmërive në treg ka shënuar rritje në vazhdimësi, andaj sipas tij është normale që kjo duhet të reflektohet në çfarëdo procesi të vlerësimit të pronave.

“Vlerësimi i pronave për qëllim të caktimit të vlerës së tatimit është obligim ligjor. Dhe jo vetëm aq por ky vlerësim duhet të bëhet në pajtim me rregullat dhe metodologjinë e përcaktuar me ligj dhe akt nënligjor”, ka shkruar Olluri.

Mirëpo, sipas tij vlera e tatimit në pronë nuk ndikohet vetëm nga vlera e pronës por edhe nga norma tatimore.

“Përderisa, në njërën anë vlera e pronës caktohet në kuadër të një procesi objektiv të vlerësimit i cili nuk varet nga vullneti i subjekteve por nga zhvillimet në tregun e patundshmërive. Në anën tjetër norma tatimore është vendim politik i Kuvendit të Komunës i cili varet nga vullneti politik i akterëve politik”.

“Andaj, pasi gjendja ekonomike e qytetarëve nuk ka lëvizur në përpjesëtim të drejtë me vlerën e patundshmërive në treg, vlera e tatueshme e këtyre patundshmërive është bërë e papërballueshme”.

Ai thotë se komunat duhet të zbusin normat tatimore pasi ndërhyrja në procesin e vlerësimit të pronave është veprim i paligjshëm.

“Në këtë situatë Komunat duhet të ndërhyjnë në normën tatimore, në mënyrë që të u lehtësohet barra qytetarëve. Por asesi, as nuk duhet të kërkohet e as nuk guxon të ndërhyhet në procesin e vlerësimit, çfarëdo ndërhyrje në këtë proces do të ishte e paligjshme”, ka shkruar tutje Olluri.

Ndryshe, vendimi për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë, ka sjell përplasje dhe paqartësi ndërmjet Ministrisë së Financave (MF), Asociacionit të Komunave të Kosovë (AKK) dhe opozitës.

Dhjetëra qytetarë nga gjithë vendi kanë reaguar, duke mos u pajtuar me këtë vendim.

Ministria e Financave me anë të një reagimi publik, është shprehur se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

“Bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat”, thuhet në arsyetimin e MF-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fabrika për asgjësimin dhe riciklimin e kafshëve të ngordhura në…