Ish-i burgosuri politik Musa Gashi kujton 27-vjetorin e deportimit të dhunshëm të të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe

10 qershor 2026 | 13:11

Ish-i burgosuri gjatë luftës në Kosovë, Musa Gashi, ka kujtuar 27-vjetorin e deportimit të dhunshëm të të burgosurve shqiptarë, i cili ndodhi më 10 qershor 1999, nga kampet dhe burgjet e Kosovës drejt burgjeve të Serbisë.
Gashi kujton se më shumë se 2 mijë të burgosur shqiptarë u dërguan më 10 qershor 1999 në burgjet e Pozharevcit, Nishit, Sremit, Beogradit e vende të tjera.
Postimi i plotë i ish-të burgosurit politik, i cili qëndroi mbi dy vjet në burgjet serbe:
“Me 10 qershor 1999, rreth 2 mijë të burgosur shqiptarë nga kampet e përqendrimit dhe burgjet e Kosovës u deportuan dhunshëm në burgjet e Serbisë (Nish, Pozharevc, Mitrovicë e Sremit etj.).
Të burgosurit shqiptarë, me duar të lidhura, pa bukë e pa ujë, të rrahur e të maltretuar, pasi kalonin nëpër ‘shpalir’, ngarkoheshin në autobusë dhe deportoheshin në Serbi nën mbikëqyrjen e gardianëve të armatosur serbë.
Kjo po ndodhte në të njëjtën kohë kur po tërhiqeshin forcat ushtarake dhe paramilitare serbe drejt Serbisë, një ditë pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe pak para hyrjes së KFOR-it në Kosovë.
Shumica prej tyre u mbajtën për më shumë se dy vjet pas përfundimit të luftës, në kushte të tmerrshme, dhe u liruan vetëm pas presionit të madh ndërkombëtar.
E shenjtë është liria e Kosovës!”

P.S. Fotoja është shkrepur në Burgun e Mitrovicës së Sremit në atë kohë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, ka kritikuar sërish…