Ish-inspektori i AKI-së nuk beson se ambasadori Hovenier e ka informuar Kurtin më shumë sesa AKI-ja për situatën në veri

30 nëntor 2022 | 00:10

Ish-inspektori i Agjencionit të Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkëlzen Sopjani, e ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku kishte thënë se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA), Jeff Hovenier, e kishte informuar për diçka që ai nuk kishte qenë në dijeni.

Por, kjo deklaratë e të parit të Qeverisë së Kosovës, për ish-inspektorin është e çuditshme.

Ai nuk beson se ka mundur të ketë diçka shtesë në informacion ma shumë sesa që i ka dhënë AKI-ja Kurtit.

“Amerika qenka e fortë. Ne e kemi ditur këtë punë shumë më herët, por tani është mirë që edhe Qeveria e Kosovës është duke e ditur, sepse një herë këta të fundit ia filluan me Bashkimin Evropian edhe i lanë anash SHBA-të. Por, tani përsëri janë rikthyer nga Amerika. Edhe në fund iu dashtë një takim me ambasadorin për të marrë një vendim, që është dashur të merret më herët”, ka deklaruar Sopjani, në Debat Plus në RTV Dukagjini.

Më tej, ai ka vlerësuar se deklarata e kryeministrit nuk ka qenë aspak e mirë, pasi sipas tij, kjo demotivon zyrtarët e sigurisë së Kosovës.

“Zyrtarët e sigurisë së Kosovës e bëjnë një punë shumë të madhe, sepse ata i japin informata në kohë ”, ka theksuar ai.

Ndërkohë ai ka rrëfyer përvojen e tij me AKI-në, ku ka thënë se këta të fundit janë ballafaquar me sfidat shumë më të mëdha. Edhe atëherë ka qenë veriu, por, përveç kësaj ata kanë pasur edhe sfidën e terrorizimit në 2015-tën dhe ia kanë dalë mbanë.

“Nuk ka pasur problem asnjëherë AKI-ja në dhënien e informacionit, aty ku është dashur të informohet. Të njëjtit agjentë janë, nuk ka ndryshuar diçka”, ka përfunduar ai.

Sopjani ka folur për sigurinë në veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë  për targat e paligjshme “KM”, ku ka thënë se ky vendim ka prodhuar vetëm degradimi të sigurisë në katër komunat veriore të vendit, pasi serbët lokalë i kanë bojkotuar institucionet e Kosovës.

Sipas ish – inspektorit të AKI-së, me sigurinë kombëtare nuk bën të bëhet aventura.

“Dy muajt e fundit nuk kanë qenë të suksesshëm për Republikën e Kosovës, as deklaratat as vendimet, as vendimet pas vendimeve, asgjë, thjeshtë ka pasur degradim të sigurisë”, ka deklaruar Sopjani, duke i replikuar deputetit të pozitës, Enver Dugolli, i cili ka thënë se Kosova pas 20 vitesh ka filluar ta shtrijë sovranitetin në veri dhe se ka forcuar sigurin atje.

Më tej, Sopjani ka sqaruar se si ka ardhur ky përkeqësim i situatës.

“Degradimi ka ardhur si pasojë e vendimeve të pamatura mirë, ku si rezultat e kemi EULEX-in i cili patrullon në katër komunat veriore të Kosovës”, ka theksuar ai, duke shtuar se “deri më tani Policia e Kosovës ka qenë primare, pastaj institucionet e tjera, ndërsa tani atje kemi EULEX-in si forca e par e reagimit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska po përgatitej…