Ish-komandanti amerikan në Beograd: Mos u bëni Venezuela e Evropës, pa miq

17 nëntor 2020 | 14:05

Ish-komandanti i forcave tokësore amerikane në Evropë, Ben Hodges, në një vizitë në Beograd ka folur për raportet mes Kosovës e Serbisë. Ai i ka thënë Beogradit se nuk duhet të mbetet pa miq në Evropë, si Venezuela.

Ish-komandanti i forcave tokësore amerikane në Evropë, tani gjeneral i pensionuar, Ben Hodges, mbrëmë në Beograd ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të njëjta sikurse në vitin 1999 dhe se po ashtu as Serbia nuk është e njëjtë.

I pranishëm në panelin “Stabiliteti dhe prosperiteti i Komunitetit Transatlantik”, në kuadër të Javës së NATO-s në Beograd, organizuar nga Qendra për Studime Euro-Atlantike CEAS, Hodges foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, transmeton “lajmi.net”.

Siç shkruajnë mediet serbe, Hodges ka thënë se liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi duhet t’u jepet hapësirë për të biseduar-negociuar siç theksoi Hodges, “pa kufizime dhe vija të kuqe për të negociuar të gjitha çështjet e vështira që duhet të përfundojnë”.

Sipas tij, ShBA-ja dhe BE-ja kanë përgjegjësinë për të mbrojtur të dyja palët në procesin e dialogut pasi që siç u shpreh ish-komandanti, ka shumë ndikim të jashtëm në dialog dhe akoma nuk ka asnjë përparim të duhur në procesin e dialogut.

“Ka vende dhe individë që përfitojnë nga vazhdimi i kaosit, do me thënë, çështjeve të pazgjidhura. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet patjetër të koordinohen me Bashkimin Evropian në këtë proces. Unë jam shumë krenar për ekipin e ambasadës së SHBA-ve në Beograd, por edhe për administratën që punon për të arritur diçka, por nuk ka asnjë mënyrë që ne të bëjmë asgjë vetë”, ka thënë Hodgesi.

Ai ka theksuar se është BE-ja ajo që mban çelësat e suksesit në këtë rajon sepse siç ka thënë Hodgesi, ka çelësat e integrimit ekonomik dhe perëndimor. Ai ka thënë se, në një situatë të tillë, BE-ja dhe ShBA-të duhet të punojnë së bashku.

Sipas Hodges, Serbia e vitit 2020 nuk është e njëjta me atë të vitit 1999 pasi që kanë kaluar dy dekada mirëpo, gjenerali amerikan ka theksuar se, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë ato që kanë qenë në vitin 1999.

“Ne duhet të merremi me çështjet dhe t’i përballojmë e shohim ato nga këndvështrimi i sotëm, jo mënyra si e bëmë dy dekada më parë. Ne ashtu sikurse edhe udhëheqësit në Serbi, kemi një përgjegjësi të mos qëndrojmë në histori të gabuar”, ka thënë Hodgesi.

Sipas tij, Serbia duhet të ketë kujdes, pasi që siç theksoi Hodges, është Kremlini zyrtar ai i cili po e përdor Kishën Ortodokse si “armën” e saj për të arritur qëllimet strategjike, të cilat siç tha ai, nuk janë asgjë e re për të dhe për askënd.

“Ne duhet ta shikojmë me ndershmëri dhe të mos kemi frikë ta përballojmë atë. Kremlini ka zero përfitim nga zgjidhja e çdo problemi në Ballkan. Interesi i tyre strategjik është që Ballkani Perëndimor nuk do të jetë kurrë i gatshëm për integrim në Perëndim”, ka thënë Hodgesi.

Kur bëhet fjalë për çështjen e mbrojtjes, ai thotë se çdo vend ka të drejtë të mbrojë njerëzit e tij dhe ka të drejtë të zgjedhë se çfarë armësh të përdorë në përputhje me nevojat e tij, dhe shtoi se Qeveria e Serbisë mori një vendim të guximshëm duke ngrirë të gjitha stërvitjet ushtarake për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Hodges shtoi se Serbia nuk duhet ta vendosë veten në pozicionin e të qenit, siç tha ai, Venezuela në Evropë dhe se nuk ka miq ose partnerë të tjerë, por vetëm Moskën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci,…