Islami: Nuk kemi frikë nga Prishtina, titulli është i ‘Niklit’

17 maj 2019 | 21:23

Përparim Islami i ka dërguar porosi skuadrës së Prishtinës, se futbollistët e Feronikelit nuk ia kanë frikën dhe se titulli i kampionit do të shkojë në Drenas.

Skuadrës së Feronikelit në derbin ndaj Prishtinës i mjafton edhe barazimi që të shpallet kampion në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.

Përparim Islami ka thënë të enjten për “Epokën e re” se shtabi teknik do të vendosë se si do t’i qaset ndeshjes kryesore në edicionin 2018/2019, por është i bindur se “Nikli” do të shpallet kampion i Kosovës. “Jemi shumë afër titullit të kampionit. Assesi nuk bën të gabojmë në ndeshjen e fundit. Se si do t’i qaset skuadra kësaj ndeshje, do të vendosë shtabi teknik, por është pozitive për ne fakti se kemi në opsion dy rezultatet: fitoren dhe barazimin. Ne futbollistët jemi të gatshëm të luajmë ashtu siç kemi bërë deri tash dhe ta përmbushim objektivin në kampionat duke e fituar trofeun”, ka thënë Islami.

Mbrojtësi i djathtë pret që atmosfera të jetë madhështore të dielën në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, kurse konfirmon se Feronikeli nuk ka aspak frikë nga Prishtina. “Interesimi është shumë i madh në Drenas. Pritet që stadiumi të mbushet. Normalisht se ata i motivojnë futbollistët. Sa i përket kundërshtarit, ai ka ekip cilësor, por nuk kemi aspak frikë nga ai sepse jemi lojtarë me përvojë dhe secili lojtar është kampion brenda skuadrës. Titulli do të jetë i ‘Niklit’”, ka thënë Islami. Nëse Feronikeli e fiton titullin e kampionit, atëherë do të jetë i dyti për Përparim Islamin në karrierë, sepse një të tillë e pati marrë dy vjet më parë me skuadrën e Trepçës ’89. “Një titull e kam fituar sa isha pjesë e ’89-shit. Besoj se edhe tash do ta fitoj me Feronikelin. Luftimi për titull dhe Kupë është arsyeja që kam zgjedhur të vij në këtë klub”, ka shtuar Islami.

Një javë pa përfunduar kampionati, Feronikeli është skuadër lidere me 77 pikë, dy më shumë se Prishtina. Skuadra që drejtohet nga Zekrija Ramadani ka regjistruar 24 fitore, 5 barazime dhe 3 humbje.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe…