Ismaili: Një PDK e fortë, që shtrihet në gjithë Prishtinën

12 maj 2019 | 12:25

Uran Ismaili ka kërkuar besimin për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë, në Kuvendin Zgjedhor që po mbahet sot, pasi procesi zgjedhor i zhvilluar muajve të fundit ka rezultuar me shtrirjen e kësaj partie në çdo pjesë të Kryeqytetit.

Ai ka thënë se tani PDK mbulon hapësirën e gjithë Prishtinës dhe është me pranë qytetarëve, ndërsa numri i lartë i anëtarëve të rinj dhe ardhjet e reja tregojnë se edhe qytetari i Prishtinës është më afër PDK-së.

“Si njeri që aspiratat politike i ka të lidhura krenarisht me Partinë Demokratike të Kosovës dhe jetën në dashuri me kryeqytetin, unë kam marrë përsipër një angazhim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Të jem Kandidat për Kryetar të PDK-së në Prishtinë”, ka deklaruar Ismaili.

“Ndjej nevojën që Prishtina dhe PDK-ja të ndërtojnë një marrëdhënie të re mes tyre, që PDK-së ia jep një identitet të ri, kurse Prishtinës vëmendjen që meriton”, ka shtuar ai.

Uran Ismaili, i cili është edhe nënkryetar i PDK-së dhe ministër i Shëndetësisë, ka vlerësuar se me këtë proces zgjedhor ka filluar edhe një ridefinim radikal i marrëdhënies mes PDK-së dhe Prishtinës.

“Nën Platformën e Dekadës së Re, të dizajnuar dhe udhëhequr nga Kryetari Kadri Veseli, një raport më intensiv dhe më dinamik mes qytetarit dhe PDK-së është duke zënë vend gjithandej në Kosovë. Për këtë arsye, PDK ka themeluar shumë nëndegë afër qytetarëve të Prishtinës, ndërkohë që qytetarët e Prishtinës nuk kanë qenë kurrë më të hapur dhe më të interesuar për të parë dhe dëgjuar se çfarë mund t’u ofrojmë atyre”, ka thënë Ismaili.

Ai ka pohuar se 75 nëndegët e formuara gjatë këtyre ditëve përbëjnë numrin më të madh të nëndegëve që PDK ka pasur ndonjëherë në Prishtinë.

“Vullneti i fortë i partisë sonë, i kalitur në luftën çlirimtare dhe i formësuar në shumë fitore të zgjedhjeve, është dëshmi dhe frymëzim yni për të qenë parti e parë në Prishtinë. Ky kuvend, prezenca e juaj, puna juaj dhe mijëra aderime, shënojnë një pikë kthese në rrugën tonë politike në Prishtinë. Prova të këtij mobilizimi janë qindra takime me këshilla inicues e mijëra qytetarë që iu përgjigjën thirrjes sonë”, është shprehur Ismaili para qindra delegatëve të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të Degës së PDK-së në Prishtinë.

Më tutje, ai ka thënë se tani ka një PDK të fortë që shtrihet në gjithë Prishtinën, një PDK që është inkluzive në shtrirje dhe më demokratike në vendimmarrje, dhe e cila është më e gatshme për të luftuar degradimin e Prishtinës dhe më vitale për t’u përballur me këdo që shtyn përpara degjenerimin e saj.

“Prishtina ka shumë probleme dhe pak zhvillim. Ka shumë defekte dhe pak vizion. Ka shumë kokëçarje dhe pak ide për ta nxjerrë atë nga humnera e trafikut të paralizuar urban, nga kaosi arkitekturor që ka lënë shumë dritare pa rreze të diellit, nga vrazhdësia e betonit që ka shtypur brutalisht çdo hapësirë të gjelbër, nga ajri i ndotur që shkurton jetë dhe nga shëmtia e mbeturinave që na turpëron. Ky është realiteti i dhimbshëm për secilin që merr frymë në Prishtinë, për çdo fëmijë dhe të rritur, për çdo person dhe familje, për çdo çift dhe shtëpi. Prishtina nuk mund të vazhdojë më kështu. Ajo i ka të gjitha atributet për zhvillim të madh. Gjendja aktuale e Prishtinës nuk është e drejtë dhe duhet të ndryshohet. Partia Demokratike e Kosovës do ta krijojë një klimë që i hap rrugë ndryshimit të madh”, ka deklaruar Ismaili.

Ismaili ka thënë se Platforma e Dekadës së Re është zgjidhja për Kryeqytetin dhe ajo do të jetësohet, ndërsa ka shtuar se Prishtina meriton më mirë dhe PDK mund të ofrojë e punojë më shumë.

“Ky edhe është synimi i Dekadës së Re për Prishtinën. Një transformim i PDK-së dhe i Prishtinës. Një periudhë e re plot përkushtim, vëmendje e përmirësim”, është shprehur ai.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se shteti i Kosovës pret…