Ismajli kërkon nga organet e drejtësisë zbardhjen e masakrës së Llovcës

05 prill 2021 | 12:05

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli me bashkëpunëtorët, ka bërë homazhe te varrezat e shtatë martirëve të fshatit Llovcë, të ekzekutuar nga forcat paramilitare serbe 22 vite më parë.

Në emër të kryetarit Haziri, Ismajli ka kërkuar zbardhjen e kësaj masakre makabre në mënyrë që eshtrat e tyre pushojnë të qetë.

“Shtatë martirët e Llovcës u sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Ky është një përvjetor i dhimbjes, por në të njëjtën kohë edhe i krenarisë sepse falë tyre ne po e gëzojmë këtë ditë të bardhë. Kaluan 22 vite dhe akoma kjo masakër makabre mbetet e pazbardhur. Kërkojmë nga organet e drejtësisë që ta zbardhin sa më parë dhe autorët ta marrin dënimin meritor. Në këtë mënyrë, eshtrat e tyre do të pushojnë të qetë. Lavdi e përjetshme”, ka thënë Ismajli, duke shtuar se Komuna e Gjilanit po i përkujton edhe masakrat tjera, siç është ajo e Llashticës, Zhegrës, Lladovës e vendbanimeve tjera, ku qytetarët e pafajshëm e kanë paguar në mënyrën më të ashpër dhe me sakrificën më të madhe sublime lirinë e Kosovës.

Në emër të familjeve të martirëve ka folur djali i mësuesit Rahim Ymeri, Fitimi, i cili e ka falënderuar kryetarin Komunën e Gjilanit për nderimet që u ka bërë shtatë martirëve në 22-vjetorin e masakrës.

Ndryshe, 22 vite më parë, në fshatin Llovcë u masakruan në mënyrën më barbare shtatë persona: Rahim Ymeri (arsimtar), Xhemail Halimi, Xhevrije Zeqiri, Nexhmije Azemi, Rabit Dalipi, Sami Xhelili dhe Avdi Rexhepi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prodhuesi i telefonave  në Korenë e Jugut, “LG”, ka vendosur…