Ja cilat janë udhëzimet rreth Covid-19 për shkollat në SHBA?

18 shtator 11:35

Në Shtetet e Bashkuara këtë vjeshtë u hapën shkollat, por ky vit shkollor e gjeti shtetin me mijëra nxënës dhe mësues të sëmurë nga Covid-19, sëmundje që shkakton koronavirusi.

Ky nuk ishte një kthim i shumëpritur në normalitet, pasi për kohë të gjatë shumë shpresuan që do të riktheheshin fizikisht në shkolla. Por, me rritjen e rasteve, disa qarqe janë përballur me prindër të zemëruar, me anëtarë të bordeve dhe me publikun që kanë ngritur pyetje lidhur me vaksinimin e detyrueshëm.

Rregullat e karantinës kanë ndryshuar, sikurse edhe rregullat për mbajtjen e maskave. Është krijuar shqetësim dhe paqartësi, shkruan Associated Press.

Pra, çfarë po ndodh në shkollat në SHBA? Detajet dallojnë nga qarku në qark, por më poshtë ju sjellim disa përgjigje:

Çfarë rekomandon CDC-ja për maskat në shkolla?

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë mbajtjen e maskave në shkolla, pavarësisht statusit të vaksinimit apo rasteve me COVID-19 që janë të raportuara në nivele lokale.

Si do të organizohet ushqimi në shkolla? Apo a do të lejohen nxënësit që të luajnë saksofon?

Shkollat duhet të krijojnë plane që do të mundësojnë distancë, kur njerëzve do t’iu duhet që të heqin maskat kur gjenden në ambiente të brendshme, thonë Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Këto plane duhet të aplikohen kur nxënësit dhe personeli arsimor ushqehet apo edhe gjatë trajnimeve të bendeve muzikore.

Nëse keni pasur kontakt me një të infektuar me COVID-19 a duhet të mos shkosh në shkollë?

Nëse një person që është i pavaksinuar dhe ka pasur kontakt me dikë të infektuar, CDC-ja rekomandon që të testohet menjëherë dhe të izolohet për 14 ditë. Në disa vende, lejohet që ai person të kthehet më shpejt në shkollë nëse del negativ në test për COVID-19. Po ashtu, nëse një person e ka kaluar koronavirusin në tre muajt e fundit dhe nuk ka simptoma të virusit, nuk kërkohet karantinimi. E njëjta vlen edhe për personat që janë të vaksinuar plotësisht, por atyre u kërkohet që të monitorojnë nëse zhvillojnë simptoma të sëmundjes.

Nëse një person i vaksinuar plotësisht del pozitiv dhe ka simptoma, a mund të shkojë në shkollë?

Jo. CDC-ja rekomandon që kushdo që del pozitiv për koronavirus duhet të izolohet për të paktën dhjetë ditë, edhe nëse nuk shfaq simptoma. Studentët dhe stafi i shkollave duhet të kthehen në shkolla të paktën dhjetë ditë pasi kanë zhvilluar simptoma ose nga testi pozitiv dhe të paktën 24 orë pasi që nuk kanë pasur temperaturë dhe simptoma të tjera të sëmundjes u janë përmirësuar.

Si do të organizohen trajnimet e futbollit apo shfaqjet në shkolla?

Zyrtarët federalë kanë theksuar që njerëzit në karantinë apo ata që janë të sëmurë nuk duhet të praktikojnë sporte apo aktivitete të tjera jashtëmësimore.

Sa duhet të jetë distanca?

CDC-ja thotë se në përgjithësi një person duhet të qëndrojë dy metra larg një personi të infektuar dhe që të konsiderohet rast kontakti, ai duhet të ketë qëndruar 15 minuta brenda 24 orëve në kontakt të afërt me një të infektuar.

Por, gjatë kësaj vere, CDC-ja bëri një përjashtim për nxënësit të cilët do të qëndrojnë në klasa. Kjo agjenci tha se distanca me një të infektuar, nuk ka rëndësi nëse është një apo dy metër, për aq kohë sa të gjithë mbajnë maska në mënyrë të duhur. Por, ky rregull nuk vlen për mësuesit dhe të rriturit.

Çfarë dallimi bëjnë politikat e maskave sa i përket karantinës?

Mbajtja e maskave ka gjasa të bëjë dallim të madh. Shkollat që kërkojnë mbajtjen e maskave ka pak gjasa që të fusin në karantinë një klasë të tërë apo numër të madh nxënësish nëse në atë shkollë identifikohet ndonjë rast me koronavirus. Megjithatë, karantina e gjithë klasës kur del një rast pozitiv aplikohet në disa shkolla, pavarësisht se mbajtja e maskës është e obligueshme.

Çfarë thonë zyrtarët federalë për planet për mësimin nga distanca?

Disa qarqe në Shtetet e Bashkuara kanë bërë disa plane ose nuk kanë bërë fare plane sesi do ta vijojnë mësimin studentët e infektuar me koronavirus. Por, zyrtarët federalë kanë udhëzuar që këtyre studentëve t’u mundësohet që të mësojnë nga distanca.

Zyrtarët federalë kanë thënë se duan që qarqet të fokusohen në mësimin me prezencë fizike, por edhe ata studentë që infektohen të vijojnë mësimin nga distanca nëse është e mundshme.

Si po i interpretojnë këto rekomandime qarqet? Apo po i marrin këto rekomandime vetëm si sugjerime?

Shtetet e SHBA-së dhe shkollat në qarqe të ndryshme nuk e kanë për obligim që të zbatojnë udhëzimet e CDC-së. Disa shtete kanë politika standarde që aplikohen në të gjitha shkollat e qarqeve, ndërsa disa të tjera ua lejojnë qarqeve që të vendosin politika të veta, duke filluar nga kërkesa për mbajtjen e maskave, rregullave të karantinës dhe mësimit në distancë.

A mund që shkollat të kërkojnë vaksinimin e nxënësve që kanë moshën e lejuar për t’u vaksinuar kundër COVID-19?

Përgjigja e kësaj pyetje varet se në cilën pjesë të SHBA-së jeton një student. Të paktën nëntë shtete amerikane u kanë thënë shkollave në mënyrë eksplicite se nuk mund të kërkojnë vaksinimin e studentëve, përfshirë Alabamën, Arizonën, Arkansasin, Indianën, Ajovën, Montanën, Oklahomën, Tenesinë dhe Teksasin.

Ndërkaq, një numër i shteteve dhe disa qarqe po kërkojnë që punonjësit e arsimit të vaksinohen. Në disa raste, ata po ua mundësojnë atyre që nëse nuk duan të vaksinohen, të testohen rregullisht për koronavirus.

Më herët gjatë këtij muaji, sistemi i shkollave publike në Los Angjellos u bë qarku i parë i madh që kërkoi nga të gjithë nxënësit mbi 12 vjeç që të vaksinohen, ndërkaq qarqet e tjera po kërkojnë nga nxënësit që duan të marrin pjesë në ngjarje sportive apo edhe aktivitete të tjera, që të ofrojnë dëshminë e vaksinimit.

Pse ka mungesë të shoferëve të autobusëve? Si do të shkojnë fëmijët në shkolla?

Qarqet në mbarë Shtetet e Bashkuara po përjetojnë mungesë të shoferëve të autobusëve, për shkak të tregut të vogël të punës dhe frikës nga infektimi me koronavirus. Në Masaçusets, autoritetet janë detyruar që të kërkojnë ndihmën e Gardës Kombëtare që linjat e autobusëve të mos ndërpriten.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e…