Ja yjet që nuk kanë marrë pjesë në Kupën e Botës (foto)

24 korrik 2018 | 16:47

Shumë yje të futbollit nuk kanë pasur fatin të luajnë në Kupën e Botës.

Alfredo Di Stefano (Argjentinë/Spanjë)

Ikona e Real Madridit, Alfredo Di Stefano, e ka fituar 5 herë Kupën Evropiane dhe 2 herë Topin e Artë. Fillimisht ai kishte zgjedhur të përfaqësonte Argjentinën, me të cilët nuk arriti të kualifikohet për në Kupën e Botës as në vitin 1950, e as në 1954. Në vitin 1956, ai vendosi të ndërrojë Kombëtaren dhe iu bashkua Spanjës. Megjithatë as Spanja nuk arriti të kualifikohej për Botërorin e vitit 1958. Përfundimisht, ai arriti të kualifikohej me Spanjën për Kupën e Botës të vitit 1962, por u lëndua dhe nuk mundi të luajë asnjë minutë.

George Best (Irlanda Veriore)

Fituesi i Topit të Artë në vitin 1968, George Best, fitoi të gjitha trofetë e mundshme me klubin e tij Manchester United në po të njëjtin vit. Por për shkak se Irlanda Veriore nuk arritën të kualifikohen asnjëherë në Kupën e Botës, Besti nuk pati mundësi t’i tregojë aftësitë e tij në këtë turne. Në vitin 1966, ata duhej të fitonin kundër Shqipërisë për t’u kualifikuar, por ëndrrat e tyre u shuan nga Mexhit Haxhiu i cili barazoi gjithçka në minutën e 77-të.

George Weah (Liberia)

Fituesi i Topit të Artë në vitin 1995, George Weah, nuk arriti të luajë asnjëherë në Kupën e Botës pasi që ekipi i tij nuk u kualifikua asnjëherë. Megjithatë, ata shkuan shumë afër Kupës së Botës të vitit 2002, kur Weah do të ishte 36-vjecar. Por, një humbje në shtëpi kundër Ganës bëri që ata të mbesin një pikë prapa Nigerisë, rrjedhimisht nuk u kualifikuan.

Ryan Giggs (Uellsi)

Lojtari më i suksesshëm në historinë e futbollit anglez, Ryan Giggs gjatë karrierës së tij ka fituar 13 tituj të Premierligës dhe 2 Liga të Kampionëve. Me klubin e tij, Manchester United, ai bëri afër 1000 paraqitje, por me Uellsin arriti të bëjë vetëm 64. Ai u akuzua shumë shpesh nga uellsianët se nuk i interesonte aspak Kombëtarja e Uellsit. Megjithatë, ai ishte shumë afër kualifikimit për Botërorin e vitit 1994, por një gjë të tillë nuk ua mundësoi Rumania.

Bernd Schuster (Gjermania Perëndimore)

Gjermania Perëndimore i mori dy medalje të argjendta të Kupës së Botës radhazi në vitet e 80-ta. Edhe pse gjatë kësaj kohe Bernd Schuster u listua 3 herë në top treshen për Top të Artë, ai nuk pranoi të luante për Kombëtaren e Gjermanisë Perëndimore pasi nuk kishte marrëdhënie të mira me stafin e trajnerëve. Beckenbauer tentoi t’ia mbushte mendjen t’i bashkëngjitej skuadrës për Kupën e Botës të vitit 1986, megjithatë nuk pati sukses.

Duncan Edwards (Angli)

Edhe pse vdiq në moshën 21-vjecare, Duncan Edwards veçse kishte filluar të njihej si një ndër lojtarët më të mirë në botë. Në moshën 20-vjecare, ai u rendit i treti në listën për çmimin Topi i Artë. Tragjedia e Mynihut mori jetën e 21 personave, përfshirë këtu atë të Duncan Edwards, Tommy Taylor dhe Roger Bryne.

Eric Cantona (Francë)

Francezi Eric Cantona është një ndër lojtarët më të njohur të kohërave të hershme të Premierligës. Cantona fillimisht e humbi Botërorin në vitin 1990, kur Franca nuk arriti të kualifikohej kundër Skocisë. Ndërsa, në Botërorin e vitit 1994, ata përjetuan një dështim edhe më dëshpërues. Francës i nevojitej vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit të cilat do t’i luante në shtëpi. Megjithatë, Franca mori gola në minutën e fundit në ndeshjet kundër Izraelit dhe Bullgarisë, të cilat ia pamundësuan kualifikimin. Cantona qëndroi me Kombëtaren edhe pas këtyre dy dështimeve dhe u emërua kapiten. Mirëpo, atij nuk iu lejua pjesëmarrja në Kupën e Botës të vitit 1998, të cilën Franca e fitoi, pasi që e kishte sulmuar një tifoz në stadium.

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modeluesja e famshme ruse, Anastasia Kvitko nuk e ka ndërmend…