Jackie Chan kërkon të bëhet anëtar i partisë komuniste kineze, Pekini heziton

20 korrik 2021 | 08:07

“Ajo që premton Partia Komuniste Kineze nuk realizohet brenda një shekulli por në pak dekada. Unë besoj se është e mrekullueshme dhe jam shumë xheloz që ju jeni anëtarë të partisë, pasi i tillë dua të jem edhe unë”.

Kjo ka qenë deklarata e Jackie Chan, një nga aktorët më të famshëm në botë të filmave te arteve marziale, e fitues çmimi Oskar për karrierën në 2016, gjatë një simpoziumi të shoqatës kineze të filmit.

Eventi ishte pjesë e celebrimeve të 100-vjetorit të partisë komuniste kineze (1 korrik 2021) ku Chan iu kërkua të komentonte mbi fjalën e presidentit Xi Jinping me rastin e festimeve.

Lideri kinez kishte përmendur më herët fraza si “Kina nuk do të jetë më e shtypur nga vende të tjera, dhe as nuk do të pranojë predikimet e tyre hipokrite” apo “kushdo që tenton ta bëjë këtë do të përplasë kokën ndaj një muri gjigand të ngritur me gjakun e një miliardë e gjysmë kinezëve”, të cilat duket se emocionuan aktorin e njohur aq shumë, sa dëshironte të bëhej anëtar partie.

Zhvillimi është më i fundit në historinë e dashurisë së aktorit të krijuar në Perëndim, me komunizmin kinez.

Jackie Chan ka lindur në Hong Kong në 1954 nga një familje refugjatësh nga Kina kontinentale, por gjithmonë ka thënë se është “krenar që jam kinez”. Në 2009 ai ka kritikuar ashpër lëvizjet e protestave anti-kineze në Hong Kong.

Më vonë në 2013 ai u bë pjesë e Asemblesë Popullore të Kinës (parlamentit) edhe pse nuk ishte anëtar i partisë.

Në komentet e fundit në mbështetje të regjimit komunist, Chan gjithahtu këndonte himnin Lumi i verdhë në stadiumin kombëtar të Pekinit, “Foleja e Zogut”.
Tashmë atij i mbetet vetëm të bëhet pjesë e partisë, por për këtë duhen kaluar disa teste si mbajtja e fjalimeve, hetimet për të shkuarën (edhe pse kjo është publike në këtë rast) apo verifikime për punën në terren për një periudhë 2-3 vjeçare.

Por për kandidaturën e Jackie Chan kinezët në rrjetin e tyre social Weibo kanë shprehur dyshime për aspekte si “karakteri moral” duke cituar faktorë si besnikërinë bashkëshortore, faktin që i biri është ndaluar për shkelje droge, apo dhe raportin problematik me të bijën Etta.

Madje në rrjetet sociale disa kinezë kritike thonin me ironi se komentet e Chan ishin “rezultat i grushtave të shumtë që ka ngrënë në fimat e tij”.
Mbetet për t’u parë sa do të avancojë kërkesa politike e yllit të filmave të aksionit ndaj Pekinit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka uruar qytetarët…