Jahjaga ende në Amerikë, tregon çfarë po bën
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ditë më parë ka udhëtuar për në ShBA, me qëllim të marrjes pjesë në funeralin e ish-sekretares së shtetit, Madeleine Albright. Qëndrimi i saj në shtetin amerikan po vazhdon ende.
Jahjaga në Facebook ka bërë me dije se sot ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit Fordham në Nju-Jork.
“Në vazhdën e punës për të mentoruar e motivuar liderët e së nesërmes, pata kënaqësinë që të mbaj një ligjeratë për studentët e Universitetit Fordham në Nju Jork mbi udhëheqësinë politike dhe dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar ajo.
Ish-presidentja ka thënë se ka folur për historinë politike dhe sociale të Kosovës, por edhe për luftën e popullit të saj për të drejta të barabarta.
“Gjatë ligjëratës dëftova historinë politike e sociale të Kosovës dhe luftën paqësore të popullit tonë për të drejta të barabarta e trajtim dinjitoz në regjion. Theksova padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë dhe fokus të veçantë i dhashë mungesës së drejtësisë për të dënuar personat që kanë kryer krime lufte e që nuk janë ballafaquar me ligjin asnjëherë. Historia e Kosovës shërben si një shembull konkret për dëmet që lufta i shkakton dhe për traumat që mbesin ende të freskëta edhe pas shumë dekadash të përfundimit të luftës. Është mision i yni që të punojmë në shpërndarjen e narracionit të Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të dhimbjeve të popullit tonë”, ka njoftuar ajo, njofton “Epoka e re”.



