Jahjaga takon ish-presidentin Obama: Kosova nuk do të ketë kurrë aleate më të madhe se ShBA-ja
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është duke marrë pjesë në një samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Në margjina të këtij samiti, ajo e ka takuar edhe ish-presidentin amerikan, Barack Obama.
Jahjaga ka shkruar në “Facebook” se Obamën e falënderuar për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës.
“Me ftesë të ‘The Jefferson Educational Society’, sot mora pjesë në samitin global në Erie, Pensilvani, ku do te flas për adresimin e pasojave të luftës gjatë mandatit tim si presidente e Kosovës. Ne margjinat e samitit, pata nderin të takoj Presidentin Barack Obama, të cilin e falënderova për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës gjatë mandatit tim, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit tonë. Kërkova nga presidenti Obama angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës, të cilat janë sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik se fundmi. Kërkova edhe ndihmën dhe përkrahjen e zotit Obama në konsolidimin e shtetësisë tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ajo, duke shtuar se ShBA-ja është aleatja më e madh e Kosovës.
“Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan. Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues”, ka shkruar Jahjaga.



