Jashari pret në takim investitorë të huaj, diskutojnë për ndërtimin e fabrikës së duhanit

14 prill 2019 | 17:48

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur të dielën investitorët e huaj, Bjerne Christensen dhe Klaus Jakobsen nga Danimarka, si dhe biznesmenin shqiptar, Naim Kadishani, me të cilët ka diskutuar në lidhje me ndërtimin e fabrikës së duhanit.

Ky projekt është paraparë të kushtojë rreth 7 milionë euro, ndërsa numri i punëtorëve llogaritet të jetë nga 2.500 deri 3.000.

Kryetari Jashari i ka shoqëruar investitorët në fshatin Kryshec, ku Komuna e Skenderajt planifikon t’i ndajë 3.5 hektarë tokë, për ndërtimin e fabrikës, e cila gjithashtu do të ketë në shfrytëzim tokën për mbjellje të duhanit.

Gjatë diskutimit me investitorët, kryetari Jashari ka premtuar siguri të plotë për realizimin e këtij projekti milionësh, duke theksuar se është në interes të qytetarëve ndërtimi i fabrikës, pasi do të punësohej një numër i madh punëtorësh.

Investitorët nga ana e tyre kanë treguar interesim të investojnë në Skenderaj, dhe janë befasuar me kushtet e ofruara për investime, si dhe tokën e cila planifikohet t’i jepet në shfrytëzim sipas legjislacionit në fuqi.

Gjatë vizitës në Skenderaj, mysafirët kanë vizituar edhe Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, ku kanë bërë homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të kombit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj,…