Jashari zotohet se do t’i mbështes gratë në tejkalimin e sfidave

08 mars 2020 | 14:10

Komuna e Skenderajt me rastin e shënimit të Ditës së Gruas, 8 Marsit, ka mbajtur një tryezë me temën: “Roli dhe Pozita e Gruas në Komunën e Skenderajt”.

Në këtë tryezë, kryetari i Komunës, Bekim Jashari, pasi ka uruar gratë për 8 Marsin, ka vlerësuar lartë kontributin e jashtëzakonshëm të grave shqiptare në edukimin e brezave të rinj. “Gruaja shqiptare çdo herë ka qenë shtylla e shoqërisë dhe kontributi i saj në proceset nëpër të cilat ka kaluar shteti ynë ka qenë dhe mbetet i jashtëzakonshëm”, ka thënë Jashari.

Më tutje Jashari ka thënë se Komuna e Skenderajt ka shënuar hapa pozitiv në arritjen e barazisë gjinore brenda institucioneve vendimmarrëse.

Duke theksuar faktin se Kuvendi Komunal i Skenderajt udhëhiqet nga një grua, ai ka thënë se ka gra të cilat janë udhëheqëse të drejtorive të rëndësishme e institucioneve shkollore.

“Sot në Komunën që unë udhëheq, gratë janë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes institucionale, pjesë e udhëheqjes së drejtorive përkatëse. Sot po ashtu kemi gra në pozita udhëheqëse në Komunë, institucione shkollore dhe të tjera vendimmarrëse në nivelin lokal. Në këtë drejtim në Komunën e Skenderajt kemi drejtore gra, kemi kryesuesen e Kuvendit, kemi zyrën ligjore e zyrën e prokurimit që udhëhiqen nga gra, kemi pozita tjera udhëheqëse që drejtohen nga gra të përgatitura dhe te vendosura që të kontribuojnë për të mirën e komunës sonë”, ka thënë Jashari.

Gjatë këtij organizimi gratë janë njoftuar me problemet e ndryshme të cilat ato hasin çdo ditë, duke filluar nga problemet e përditshme brenda familjes e deri tek pabarazitë me të cilat ato ballafaqohen në rrugë apo edhe në vendet e tyre të punës, për të cilat i pari i Komunës së Skenderajt është zotuar se do t’i mbështes ato në tejkalimin e sfidave.

Komuna e Skenderajt po përkrah gratë edhe me subvencione të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe fushave tjera për t’u mundësuar atyre vetëpunësimin por edhe ngritjen e nivelit të mirëqenies së tyre.

Po ashtu, Komuna e Skenderajt është duke bërë përpjekje që në bashkëpunim me donatorët të hapë qendrën e gruas në të cilën gratë do të ushtrojnë veprimtari të ndryshme artizanale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër (e hënë) në objektin e administratës komunale, do të…