Jemi gati për fillimin e mësimit

12 shtator 2020 | 09:04

Më 14 shtator fillon viti i ri shkollor 2020/2021, i cili do të nisë në dy faza. Faza e parë është paraparë të fillojë më 14 shtator në institucionet parashkollore, klasat 1, 2, 3, 6, edhe klasat 10 në shkolla. Edhe klasa 4-5 do të fillojë sipas skenarit A, mësim të kombinuar ose prani në shkollë. Ndërsa më 21 shtator do të fillojnë mësimin klasat 7, 8, 9, 11 dhe 12. Këto klasa do ta fillojnë mësimin më 21 shtator si mësim i kombinuar me prani dy ditë në shkollë dhe tri ditë mësim në distancë.

Në lidhje me fillimin dhe përgatitjet për vitin e ri shkollor 2020/2021 në një intervistë për gazetën “Epoka e re” ka folur kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj.

Ai ka thënë se janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në këtë kontekst, Jasharaj ka deklaruar se janë të kënaqur me bashkëpunimin kanë pasur me Ministrinë e Arsimit dhe me ministrin Ramë Likaj. “Nga ajo që kemi parë gjatë vizitave me ministrin Likaj në disa shkolla dhe nga informacionet që kemi marrë nga kryetarët e nivelit komunal sindikal nga komunat e Kosovës, janë bërë përgatitje brenda mundësive dhe gjendja tani është shumë më e mirë se ajo që ishte para fillimit që planifikohej më 1 shtator”, është shprehur Jasharaj, duke shtuar se tashmë edhe mësimdhënësit janë të përgatitur për fillimin e mësimit.

Në këtë kontekst, Jasharaj ka thënë se SBAShK-u do ta monitorojë procesin mësimor për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.

“Veprimtarë të SBAShK-ut nga afër do ta përcjellin situatën dhe krijimin e masave mbrojtëse në shkollat e tyre dhe do ta kemi një pasqyrë të qartë e të saktë që nga e hëna e 14 shtatorit”, ka deklaruar Jashari, duke shtuar se, varësisht prej rrethanave, mësimdhënësit do të testohen për Covid.

Më tutje, Jasharaj ka folur për reformat dhe cilësinë në arsim. Ai ka thënë se në arsim janë bërë eksperimente, të cilat nuk kanë qenë në përputhje me rrethanat në Kosovë. Në këtë drejtim, Jasharaj ka thënë se duhet të ndërmerren disa veprime për ta përmirësuar cilësinë në arsim.

“Institucionet e Kosovës duhet ta përkrahin shumë më tepër MASh-in dhe arsimin duke krijuar kushte të duhura të punës arsimore dhe edukative në institucionet arsimore. Ka kaluar koha e procesit mësimor me shkumësa e shpuza. Duhet investuar në arsim në mënyrë që shkollat tona të ecin në hap me zhvillimet e hovshme teknologjike. Duhet ruajtur figura e mësuesit e jo që kjo figurë të kritikohet publikisht e pa bazë. Duhet shtuar numrin e inspektorëve profesionalë, të cilët do të shkojnë në shkollat tona e do ta përcjellin në klasë punën e mësimdhënësit dhe ta lavdërojnë për punën e përkushtimin, por edhe t’i tregojnë për lëshimet eventuale për t’i dhënë kështu mundësi e këshilla për përmirësim të vazhdueshëm”, ka theksuar Jasharaj.

“Epoka e re”: Të premten keni mbajtur takimin e Kryesisë së Kolegjiumit për Arsim sa i përket përgatitjes për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021, fazës së parë. Sa janë të gatshme shkollat për fillimin e vitit shkollor të hënën?

Jasharaj: Nga ajo që kemi parë gjatë vizitave me ministrin Likaj në disa nga shkollat dhe nga informacionet që kemi marrë nga kryetarët e nivelit komunal sindikal nga komunat e Kosovës janë bërëpërgatitje brenda mundësive dhe gjendja tani ështëshumë më e mirë se ajo që ishte para fillimit qëplanifikohej më 1 shtator. SBAShK-u e ka thënë edhe në takime, por edhe publikisht, se ky angazhim duhet të vazhdojë dhe të angazhohen të gjitha palët brenda kompetencave dhe obligimeve që kanë marrë.

“Epoka e re”: Si SBAShK, a mendoni se përgatitjet janë bërë në mënyrën më të duhur?

Jasharaj: Në një pjesë të madhe të institucioneve janëbërë vërtet përgatitje gjatë gjithë këtyre dy javëve. Mund të ketë edhe ndonjë institucion arsimor që nuk ka bërë përgatitje të duhura, por taskforcat e formuara në nivel shkolle dhe në nivel të drejtorive arsimore do ta plotësojnë formularin gjegjës dhe do të deklarohen për shkollat, gjegjësisht për përgatitjet se sa janë bërë.

“Epoka e re”: Çfarë do të thotë për mësimdhënësit ky proces mësimor në këtë kohë pandemie?

Jasharaj: Mësimdhënësit janë deklaruar qëmoti se janë të përgatitur dhe janë shprehur qysh në muajin gusht se janë për versionin e fillimit të vitit të ri nëinstitucionet arsimore. Ata kanë ngritur çështjen e sigurisë dhe masave mbrojtëse për nxënësit dhe punëtorët arsimorë dhe ne e kemi aktualizuar këtëçështje në takimet në MASh-in, në takimet me DKA-tëdhe të tjerët, por edhe në paraqitjet publike.

“Epoka e re”: Sipas planit, secila shkollë ka task-forcën e vet dhe ajo do të vendosë për llojin e skenarit me të cilën zhvillohet mësimi në bazë të kapaciteteve të shkollës. A besoni se do të ketë sukses kjo mënyrë e fillimit të mësimit?

Jasharaj: Urojmë që të nisë mbarë viti i ri shkollor. Taskforcat kanë detyra konkrete, por edhe obligime dhe përgjegjësi dhe ata duhet t’i realizojnë detyrat etyre. Po ashtu, edhe veprimtarë të SBAShK-ut nga afër do ta përcjellin situatën dhe krijimin e masave mbrojtëse në shkollat e tyre dhe do ta kemi një pasqyrë të qartë e të saktë që nga e hëna e 14 shtatorit.

“Epoka e re”: Para fillimit të procesit mësimor mbi 1 500 mësimdhënës në gjithë territorin e Kosovës është thënë se do të testohen për Covid. A ka përfunduar ky proces?

Jasharaj: Ky proces është bërë sipas vendimit tëInstitutitShëndetësisë Publik dhe ka qenë kërkesë e SBAShK-ut. Madje ne kishim kërkuar që të bëhet testimi i tërë personelit arsimor dhe i të punësuarve të tjerë në sistemin arsimor, por pasi që Instituti ka edhe angazhime shumë të mëdha me testimet e tjera në këtë situatë të rënduar nga Covid është vendim që si mostër të bëhet testimi i këtij numri të punëtorëve arsimorëdhe nga kjo mostër do të fitohet një pamje se si qëndrojnë punët. Besoj se do të vazhdohet edhe në të ardhmen me testimin e një numri tjetër të punëtorëve arsimorë sipas situatës aktuale që do të jetë.

“Epoka e re”: SBAShK-u, sa është i kënaqur me bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit në koordinimin e fillimit të procesit mësimor dhe kërkesave që kanë mësimdhënësit?

Jasharaj: SBAShK-u është i kënaqur me bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit. Ne kemi qenë gjithmonë të prirë për bashkëpunim korrekt në shërbim të arsimit dhe për zgjidhjen me dialog të kërkesave të anëtarësisë. Ministri Likaj me angazhimin dhe korrektësinë e tij ka krijuar një klimë të mirë të bashkëpunimit dhe vazhdimisht jemi në një front të përbashkët të angazhimit në shërbim të arsimit. Besojmë se kështu edhe do të vazhdohet.

“Epoka e re”: Z. Jashari, ju shpeshherë keni qenë kritik sa iu përket reformave në arsim. A i kanë dhënë rezultatet e duhura këto reforma dhe çfarë duhet të bëhet në këtë drejtim?

Jasharaj: Kam deklaruar shpesh se në vitet e pasluftës në arsimin e Kosovës janë bërë shumë eksperimentedhe janë marrë modele të zhvillimit të arsimit nga vende shumë të zhvilluara. Duhet krijuar një platformë tonën për arsimin bazuar në kushtet tona. Institucionete Kosovës duhet ta përkrahin shumë më tepër MASh-in dhe arsimin duke krijuar kushte të duhura të punës arsimore dhe edukative në institucionet arsimore. Ka kaluar koha e procesit mësimor me shkumësa e shpuza. Duhet investuar në arsim në mënyrë që shkollat tona të ecin në hap me zhvillimet e hovshme teknologjike. Duhet ruajtur figura e mësuesit e jo që kjo figurë të kritikohet publikisht e pa bazë. Duhet shtuar numrin e inspektorëve profesionalë, të cilët do të shkojnë në shkollat tona e do të përcjellin në klasë punën e mësimdhënësit dhe ta lavdërojnë për punën dhe përkushtimin, por edhe t’i tregojnë për lëshimet eventuale, për t’i dhënë kështu mundësi e këshilla për përmirësim të vazhdueshëm.

(Mal Qorraj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mëngjesi i kësaj të shtune shënoi një tjetër rekord fluksi…