Jennifer Lopez ironizon katër martesat e saj të dështuara, fansi e lë pa fjalë me batutën!
Jennifer Lopez ka treguar edhe një herë se di ta marrë me humor jetën e saj sentimentale. Këngëtarja dhe aktorja amerikane është bërë protagoniste e një momenti gazmor gjatë një prej shfaqjeve të saj, pasi një fans në publik bëri një koment ironik për katër martesat e saj të përfunduara me divorc.
Gjithçka ndodhi gjatë spektaklit “The JLO Show: Live in Las Vegas”, në New York. Teksa po fliste për historinë e saj romantike, Lopez përmendi se ka kaluar nëpër katër divorce, duke ngritur njëkohësisht katër gishta për ta ilustruar këtë fakt.
Por përgjigjja që mori nga publiku ishte e papritur.
“Ke ende gjashtë gishta!”, i thirri një fans, duke lënë të kuptohej se këngëtares i mbeten ende gjashtë mundësi për martesë. Lopez nuk arriti ta mbante të qeshurën. Ajo shpërtheu në të qeshura, nisi të kërcente nga gëzimi dhe drejtoi gishtin nga personi që bëri batutën.
“Pikërisht! Zot i madh, kjo është gjëja më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time”, u përgjigj artistja.
Madje, dikush nga skena sugjeroi që kjo batutë të kthehej në një slogan për një bluzë, ide me të cilën Jennifer u pajtua menjëherë.
Videoja e momentit u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ku përdoruesit komentuan reagimin e saj plot humor. Disa e vlerësuan faktin që këngëtarja arriti të qeshte me një pjesë kaq personale të jetës, ndërsa të tjerë u shprehën se do ta blinin me kënaqësi një bluzë me atë mbishkrim.
Marina Pruitt, fansja që filmoi skenën, tregoi për “Today” se Jennifer është një shembull frymëzimi për të, pasi vazhdon të punojë, të arrijë suksese dhe të ngrihet sërish pas çdo vështirësie.
Sa i përket jetës së saj sentimentale, Lopez ka qenë e martuar katër herë.



