Jep dorëheqjen diplomati rus në OKB: Kurrë nuk jam ndjerë kaq i turpëruar

23 maj 2022 | 17:01

Shumë shtete kanë zgjedhur të largohen nga Rusia dhe të mos bëjnë më biznes me të ose të largojnë nga vendi i tyre diplomatët rusë.

Së fundmi një diplomat rus në OKB ka dhënë dorëheqjen, duke thënë se ai “kurrë nuk ka qenë kaq i turpëruar” nga vendi i tij, derisa ka dënuar Vladimir Putinin për luftën e tij agresive kundër Ukrainës, shkruan “The Guardian”.

Boris Bondarev, një këshilltar i misionit rus në zyrën e OKB-së në Gjenevë, ka kritikuar Ministrinë e Jashtme ruse – ku ai ka punuar për 20 vjet për gënjeshtra dhe joprofesionalizëm, ka raportuar vëzhguesi i të drejtave UN Watch.

“Për njëzet vite të karrierës sime diplomatike kam parë kthesa të ndryshme të politikës sonë të jashtme, por kurrë nuk kam pasur aq turp për vendin tim sa më 24 shkurt të këtij viti”.

Lufta agresive e nisur nga Putini kundër Ukrainës, dhe në fakt kundër gjithë botës perëndimore, nuk është vetëm një krim kundër popullit ukrainas, por gjithashtu, ndoshta, krimi më i rëndë kundër popullit të Rusisë.

Ata që e konceptuan këtë luftë duan vetëm një gjë – të qëndrojnë në pushtet përgjithmonë, të jetojnë në vila luksoze, të shëtisin me jahte duke gëzuar fuqi të pakufizuar dhe pandëshkueshmëri të plotë. Për ta arritur këtë, ata janë të gatshëm të sakrifikojnë aq persona sa është e nevojshme. Mijëra rusë dhe ukrainas kanë vdekur tashmë vetëm për këtë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se puna e Ministrisë së Jashtme ishte katastrofike gjatë viteve të fundit. Ai ishte veçanërisht kritik ndaj ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, për të cilin ka thënë se ishte kthyer nga një “intelektual profesionist dhe i arsimuar” në “një person që transmeton vazhdimisht deklarata kontradiktore dhe kërcënon botën me armë bërthamore”.

“Sot Ministria e Jashtme nuk ka të bëjë me diplomaci. Gjithçka ka të bëjë me persona që nxisin luftën, gënjeshtra dhe urrejtje. Ajo u shërben interesave të pak njerëzve, të atyre pak njerëzve, duke kontribuar kështu në izolimin dhe degradimin e mëtejshëm të vendit tim. Rusia nuk ka më aleatë dhe nuk ka asnjë për të fajësuar veç politikës së saj të pamatur”, ka thënë ai.

Ai ka përfunduar  deklaratën e tij duke thënë se nuk mund të vazhdonte më të punonte për Ministrinë e Jashtme dhe të ishte dëshmitar i kësaj lufte të përgjakshme dhe të panevojshme.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ambasadori amerikan në Serbi,…